KPP i jep goditjen finale AKSHI-t/ Saga e tenderit të fiskalizimit merr fund, kroatët marrin fitoren

20 August 2026, 18:18 / AKTUALITET ALFA PRESS

Pas një viti e gjysmë zvarritje dhe përplasjesh, tenderi 8 milionë euro për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit ka më në fund një fitues. Komisioni i Prokurimit ka rrëzuar Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit duke shpallur fitues ofertën e bashkimit të tre kompanive, të kryesuar nga kroatja Primus Albania.

Vendimi i saposhpallur i KPP, detyron AKSHI-n që të shfuqizojë vendimin për anullimin e tenderit dhe të kualifikojë si fitues të tij, ofertën e bashkimit mes Primus Albania, Datech dhe Advanced Data Management.

Sistemi i fiskalizimit është shndërruar në një makth për bizneset shqiptare, të cilat janë të detyruara që çdo shitje apo blerje ta kryejnë përmes tij. Mirëmbajtja e këtij sistemi ka përfunduar që në fillim të vitit të kaluar dhe që nga ajo kohë sistemi ka patur defekte të theksuara duke penalizuar deri në bllokim bizneset, në më shumë se një rast.

Saga e tenderit

Në 29 prill të vitit të kaluar, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit hapi një tender me vlerë 7.7 milionë euro me kursin e atëhershëm me objekt “Mirëmbajtje e Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.” E thënë thjesht kjo është mirëmbajtja e sistemit dhe serverit të fiskalizimit që bën të mundur lëshimin e faturave nga bizneset.

Por 10 ditë pas shpalljes, tenderi u ankimua në Komisionin e Prokurimit Publik nga një kompani e quajtur CSP shpk. Në ankesa kompania godiste kriteret e vendosura nga AKSHI duke i kërkuar Komisionit të Prokurimeve Publike modifikimin e tyre.

KPP-së iu deshën dy muaj për të dalë me një vendim. Në datën 1 korrik të vitit të kaluar, organi suprem i tenderave pranoi pjesërish ankesën e kompanisë CSP shpk dhe urdhëroi AKSHI-n, që të modifikonte dokumentat e tenderit. Në pikën 3 të vendimit, KPP urdhëroi AKSHI-n, që brenda 5 ditëve të vinte në dijeni Komisionin e Prokurimit Publik për zbatimin e vendimit. Por çfarë ndodhi më pas?

AKSHI i ktheu përgjigje KPP-së në datën 15 korrik për zbatimin e vendimit, por Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e mbajti të ngrirë procedurën për plot 5 muaj dhe ktheu përgjigje për zbatimin e vendimit të KPP-së vetëm në 18 nëntor të vitit 2025. Arsyet se pse Tatimet e bllokuan tenderin për 5 muaj mbeten mister.

Por këtu kishte një përplasje të fortë mes grupit të Beqirit dhe kroatëve, të cilët e kanë patur historikisht mirëmbajtjen e fiskalizimit. Të parët donin të nxirrnin jashtë loje të dytët.

Pasi Tatimet e zhbllokuan tenderin, ai u bllokua sërish, këtë herë nga kompanitë që ankimonin dokumentat. Si përfundim, tenderi u zhvillua në 5 mars të këtij viti.

Saga pas tenderit
Në tenderin për mirëmbajtjen e fiskalizimit morën pjesë formalisht 4 kompani. Por tre prej tyre ishin pa ofertë. Oferta e vetme financiare e paraqitur në garë ishte ajo e bashkimit të kompanive të kryesuar nga kroatët e Primus Albania, të cilët ofruan çmimin 756.9 milionë lekë nga 770 milionë lekë që ishte fondi limit.

Fillimisht AKSHI i skualifikoi të gjitha ofertat dhe shpalli anullimin e tenderit. Por bashkimi i kompanive Primus, Datech dhe ADM filluan breshërinë e ankesave në KPP. Për shkak të bllokimit të Komisionit të Prokurimit, për shkak të përfundimit të mandatit të anëtarëve, ankesa mbeti në shqyrtim nga prilli deri më tani.

Këtë të enjte, KPP vendosi që të rrëzojë vendimin e AKSHI-t duke e urdhëruar atë që të kualifikojë dhe të shpallë fitues ofertën e Primus Albania, Datech dhe ADM duke i dhënë kështu fund sagës gati një vit e gjysmë të tenderit të majmë./Kapitali.al

 

Po ndodh...