Shpenzimet marramendëse me paratë e shqiptarëve, ministria e Ekonomisë blen tre makina luksi me vlerë 200 mijë euro
Në një kohë kur qytetarët shqiptarë përballen çdo ditë me rritjen e kostove të jetesës dhe sfidat ekonomike, institucionet shtetërore duket se vazhdojnë të ndjekin një standard tjetër jetese. Rasti më i fundit vjen nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, e cila ka hapur thesin e parave të taksapaguesve për të siguruar automjete të reja, ku shifrat dhe mënyra e prokurimit ngrenë jo pak pikëpyetje.
Sipas dokumenteve zyrtare, procedura e prokurimit ka ndarë një fond prej rreth 200 mijë eurosh për blerjen e vetëm tre automjeteve për këtë ministri. Duke bërë një llogari të thjeshtë aritmetike, rezulton se çdo makinë i kushton buxhetit të shtetit, pra qytetarëve, rreth 66 mijë euro.
Kompania që është shpallur fituese e këtij tenderi është “Mektrin Motors”. Edhe pse fondi limit ishte parashikuar në rreth 16.6 milionë lekë pa TVSH, oferta fituese u ngjit në 18.9 milionë lekë me TVSH, duke prekur shifrën totale prej 200 mijë eurosh. Përtej shifrave, ajo që bie në sy është lidhja e kësaj kompanie me emra të njohur të pushtetit. “Mektrin Motors” administrohet nga Edmond Shahini, vëllai i Landi Shahinit (bashkëshortit të kryetares së Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako), pasi ky i fundit kishte transferuar më parë aksionet e tij te vëllai. Kjo kompani ka qenë ndër përfituesit e shpeshtë të kontratave publike ndër vite.
Absurditeti i këtij tenderi bëhet edhe më i dukshëm kur shihet se si janë shpërndarë fondet në të njëjtën procedurë blerjeje. Për një institucion tjetër varësie, Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, u blenë katër automjete për një vlerë totale prej rreth 85 mijë eurosh, që i bie rreth 20 mijë euro për çdo mjet.
Ndërsa inspektorët e terrenit duhet të lëvizin me mjete që kushtojnë rreth 20 mijë euro, drejtimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, nën drejtimin e ministres Delina Ibrahimaj dhe me mbështetjen e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, ka vendosur një standard trefish më të lartë për veten. Kërkesat teknike për automjete hibride dhe prodhime të vitit të fundit janë përdorur si argument për të justifikuar çmimet e kripura.
Në fund të kësaj llogarie, fatura mbetet sërish mbi supet e qytetarëve të thjeshtë, të cilët vazhdojnë të financojnë përmes taksave të tyre komoditetin e zyrtarëve të lartë.

Po ndodh...
Pushteti i kotësisë! Protesta i prishi “magjinë” Ramës dhe Berishës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128