“Bashkohuni për Kosovën!”/ Thirrja e Thaçit nga Haga: Nuk mund të vazhdoni kështu, uluni në tryezë!

20 August 2026, 21:29 / KOSOVA ALFA PRESS
“Bashkohuni për Kosovën!”/ Thirrja e Thaçit nga

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën e tij në Debat Plus me Ermal Pandurin, të fundit para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, ka bërë thirrje për një marrëveshje të gjerë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës në Kosovë.

Aktgjykimi në rastin ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së pritet të shpallet më 16 shtator, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Intervista është realizuar me shkrim.

Pyetjet (për situatën aktuale politike në Kosovë) i janë dërguar Thaçit më 9 mars 2026, ndërsa përgjigjet e tij janë finalizuar më 29 korrik, në orën 11:55.

Në kohën kur janë dërguar pyetjet drejt Hagës, në mars të këtij viti, Kosova tashmë ndodhej në një ngërç institucional, me krizën politike të lidhur edhe me zgjedhjen e presidentit dhe me vështirësitë për funksionalizimin e institucioneve.

Por, situata politike në Kosovë nuk ka marrë zgjidhje as disa muaj më vonë.

Tashmë jemi në gusht, ndërsa vendi vazhdon të përballet me një situatë të ngjashme institucionale. Gjatë kësaj periudhe janë mbajtur edhe zgjedhje, por partitë politike ende nuk kanë arritur një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.

Pikërisht në këtë kontekst, Thaçi në intervistën e tij në Debat Plus ka kërkuar që partitë politike, pavarësisht nëse janë në pushtet apo opozitë, të ulen në një tryezë dhe të arrijnë pajtim për disa çështje strategjike.

Ai ka përmendur si prioritete sigurinë nacionale, reformat demokratike, reformën elektorale, politikën e jashtme, marrëveshjet ndërkombëtare dhe investimet në mbrojtje.

“Mendoj se politika kosovare, pozitë dhe opozitë, duhet të ulet në një tryezë, të diskutojë dhe të pajtohet rreth disa zotimeve të përbashkëta: sigurisë nacionale, reformave demokratike, reformës elektorale (zgjedhja e presidentit drejtpërdrejt nga populli, si mundësi për evitimin e krizave institucionale), politikës së jashtme, marrëveshjeve ndërkombëtare, investimeve në mbrojtje, integrimit në NATO dhe BE, raporteve speciale me SHBA-në, pastaj me Shqipërinë dhe eventualisht dialogut me Serbinë, etj”, ka thënë Thaçi.

Kjo është intervista e fundit e Thaçit para shpalljes së aktgjykimit, ndërsa më 16 shtator, në orën 10:00, pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë.

Po ndodh...