ÇMIMET/ Ushqimet dhe transporti “shpojnë” xhepat e shqiptarëve

8 September 2026, 23:34 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS
ÇMIMET/ Ushqimet dhe transporti “shpojnë” xhepat e

Ushqimet dhe transporti po rëndojnë gjithnjë e më shumë buxhetet e familjeve shqiptare, duke prodhuar së bashku më shumë se gjysmën e inflacionit në vend.

Sipas INSTAT, inflacioni arriti në 3,2% në gusht 2026, nga 2,3% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Krahasuar me korrikun, çmimet e konsumit u rritën me 0,1%.

Goditja më e fortë është regjistruar te transporti, ku çmimet janë rritur me 12% brenda një viti dhe me 3,9% vetëm gjatë gushtit. Kjo rritje lidhet me shtrenjtimin e karburanteve, i cili reflektohet drejtpërdrejt jo vetëm te kostot e lëvizjes, por edhe te transporti i mallrave dhe shërbimeve.

Grupi i transportit i shtoi inflacionit total 0,79 pikë përqindjeje, duke u renditur ndër kontribuuesit kryesorë në rritjen e kostos së jetesës.

Edhe ushqimet dhe pijet joalkoolike u shtrenjtuan me 2,8% krahasuar me gushtin e kaluar. Për shkak të peshës së lartë në shpenzimet familjare, ato dhanë ndikimin më të madh në inflacion, me 0,95 pikë përqindjeje.

Në parim, forcimi i lekut duhet të ulte çmimet e një pjese të konsiderueshme të ushqimeve, të cilat sigurohen nga importi dhe blihen kryesisht në euro. Por kjo nuk ka ndodhur. Ushqimet vazhdojnë të shtrenjtohen, ndërsa përfitimi nga kursi i këmbimit nuk po përcillet te konsumatori, por duket se po absorbohet nga kostot dhe marzhet në zinxhirin e importit, shpërndajes dhe shitjes.

Vetëm ushqimet dhe transporti prodhuan së bashku 1,74 pikë përqindjeje, ose rreth 54% të inflacionit total. Presioni shtohet edhe nga qiratë, energjia elektrike, gazi dhe karburantet e tjera, çmimet e të cilave janë rritur me 3,7% dhe kanë kontribuuar me 0,76 pikë përqindjeje.

Tre grupet që lidhen me shpenzimet më të domosdoshme të familjeve – ushqimet, transporti dhe banesa – prodhuan rreth 78% të inflacionit në gusht.

Ndërkohë, ulje çmimesh janë regjistruar te veshjet dhe këpucët me 3,2% dhe te informacioni e komunikimi me 1%. Por këto ulje nuk kanë mjaftuar për të kompensuar shtrenjtimin e produkteve dhe shërbimeve bazë. /skyweb.al

Po ndodh...