“Do ta ngre sërish flamurin serb në Kosovë”/ Tirana reagon pas deklaratave të Ivica Daçiç: Kosova, realitet i pakthyeshëm!
Deklaratat e ministrit serb Ivica Daçiç, i cili gjatë fushatës elektorale premtoi se do ta ngrinte sërish flamurin serb në Kosovë, kanë nxitur reagime për retorikën nacionaliste dhe pasojat që ajo mund të ketë për stabilitetin në rajon.
Në reagimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare, theksohet se një gjuhë e tillë nuk mund të konsiderohet vetëm retorikë politike, pasi mund të inkurajojë veprime që rrezikojnë sigurinë. Si shembull përmendet ngjarja e Banjskës, për të cilën, sipas reagimit, ende nuk është përcaktuar përgjegjësia e plotë.
Më tej, theksohet se Shqipëria mbështet fqinjësinë e mirë, bashkëpunimin rajonal dhe përpjekjet për pajtim, duke nënvizuar se nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të qëndrueshme për sa kohë vihen në pikëpyetje realitetet politike dhe përdoret retorika kërcënuese për përfitime elektorale.
Në përfundim, në reagimin e ministrit Ferit Hoxha riafirmohet se Kosova është një shtet sovran dhe demokratik, pjesë e rajonit dhe e komunitetit ndërkombëtar.
Reagimi:
Një gjuhë e tillë nxitëse mund të konsiderohej thjesht retorikë politike nëse nuk do të ekzistonte rreziku real që ajo t’u jepte zemër atyre që janë të gatshëm të veprojnë në këtë frymë. Këtë e kemi parë edhe më parë, shumë herë. Ngjarja e Banjskës, për të cilën ende nuk është vendosur përgjegjësia e plotë, mbetet një kujtesë e fortë e asaj që mund të ndodhë kur fjalët kthehen në veprime.
Shqipëria mbetet thellësisht e bindur se e vetmja rrugë përpara, sado e vështirë të jetë, kalon përmes marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal dhe përpjekjeve të sinqerta për të shëruar plagët e së kaluarës dhe për të ecur drejt pajtimit.
Megjithatë, nuk mund të ketë bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal për sa kohë mohohen realitetet, vihet në pikëpyetje legjitimiteti i fqinjëve apo përdoret retorika kërcënuese për përfitime politike.
Ndërtimi i paqes dhe besimit kërkon kohë, shpesh vite, në mos dekada. Ai kërkon vizion, guxim, vendosmëri dhe përkushtim të vazhdueshëm.
Vetë Evropa u ndërtua mbi njohjen, dialogun, respektin e ndërsjellë dhe solidaritetin, jo mbi mohimin, frikësimin apo nostalgjinë për të kaluarën.
Në Ballkanin Perëndimor, e dimë shumë mirë se ku mund të çojnë përçarja, nacionalizmi dhe retorika provokuese. Nuk mund të lejojmë t’i harrojmë këto mësime, e aq më pak t’i përsërisim gabimet e së kaluarës.
Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. Ajo është një shtet sovran dhe demokratik, pjesë e barabartë e rajonit tonë dhe një vend që po konsolidon vazhdimisht pozicionin e tij në komunitetin evropian dhe ndërkombëtar. Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë etnike, dhe e ardhmja e saj duhet të jetë një e ardhme paqeje, sigurie, gjithëpërfshirjeje dhe integrimi evropian.
Po ndodh...
ide
Aritmetika elektorale e reformës
Kush nuk është i shantazhueshëm dhe kujt mund ti besojmë
Ligji u miratua, tani sprova e sovranitetit!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
