“Flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren” Deklarata e Ivica Daçiç dhe Radoiçiç në fushatë, Kosova kërkon reagim ndërkombëtar

11 October 2026, 19:28 / KOSOVA ALFA PRESS

“Flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren” Deklarata e

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiç, i cili gjatë një tubimi elektoral tha se flamuri i Serbisë, “herët a vonë, do të valëvitet mbi Prizren”.

Sipas Konjufcës, deklarata të tilla dëshmojnë se Beogradi nuk ka hequr dorë nga ambiciet territoriale ndaj Republikës së Kosovës.

Kreu i diplomacisë kosovare ka denoncuar gjithashtu shfaqjen publike të Milan Radoiçiçit, të kërkuar nga Interpoli për sulmin terrorist në Banjskë, në krah të Danilo Vuçiçit, djalit të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, gjatë një tubimi politik në Kragujevc.

Konjufca ka theksuar se, në të njëjtin tubim, presidenti serb sfidoi sërish pavarësinë e Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Kosovës i konsideron këto zhvillime jo si provokime të izoluara, por si vazhdimësi të një politike që ndërthur pretendimet territoriale me pandëshkueshmërinë e agresionit të armatosur.

Sipas tij, Serbia nuk mund të pretendojë se synon paqen dhe integrimin evropian, ndërkohë që zyrtarët e saj të lartë vënë hapur në diskutim sovranitetin e Kosovës dhe Milan Radoiçiç vazhdon të jetë i lirë, pavarësisht se ka pranuar organizimin e sulmit vdekjeprurës në Banjskë.

Konjufca i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që t’i dënojë pa ekuivok këto veprime dhe të kërkojë përgjegjësi.

“Sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është i negociueshëm, ashtu siç nuk është e negociueshme drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë”, përfundon deklarata e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

 

Po ndodh...