Në Tiranë, më pak se 1 në 100 viktima të dhunës përfitojnë nga programet e strehimit

29 Shkurt 2024, 21:38 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Në Tiranë, më pak se 1 në 100 viktima të dhunës
Punësimi dhe strehimi konsiderohen dy elementët kryesorë për integrimin e viktimave të dhunës në familje, por aktivistët e të drejtave të njeriut theksojnë se fuqizimi ekonomik nga ana e shtetit është i papërfillshëm.

Në pritje të fëmijës së saj të pestë, Aleksandra ka trokitur sërish për ndihmë në dyert e qendrës “Në dobi të gruas shqiptare”. Ajo është vetën 32 vjeç, anëtare e komunitetit egjiptian në Tiranë dhe viktimë e përsëritur e dhunës në familje.

Sipas aktivistes Sevim Arbana, gruaja e re është martuar katër herë, por është dhunuar nga të gjithë bashkëshortët.

“Nuk kemi siguri që ajo mund të çlirohet nga dhuna. Ajo tashmë është shtatzënë dhe do e ketë shumë të vështirë dhe për të gjetur punë. Ne kemi bërë maksimumin, por kaq kemi mundur,” thotë Arbana, drejtuese e qendrës “Në Dobi të gruas shqiptare”

Punësimi dhe strehimi konsiderohen dy elementët kryesorë për integrimin e viktimave të dhunës në familje, por aktivistët e të drejtave të njeriut ankohen se pavarësisht parashikimeve në legjislacion, ndihma e shtetit në të dy drejtimet është e papërfillshme.

Mbështetja sociale për këtë kategori është gjithashtu nën nivelin minimal të jetesës – rreth 9 mijë lekë në muaj – dhe e pamjaftueshme për t’i nxjerrë gratë dhe fëmijët e tyre nga rrethi vicioz i dhunës.

Në bashkinë e Tiranës – më e madhja e vendit – më pak se 1 në 100 viktima të dhunës në familje kanë përfituar nga programet e strehimit social përgjatë katër viteve të fundit.

Sipas Bashkisë së Tiranës, e cila koordinon veprimtarinë e Mekanizmit të Referimit të Dhunës në Familje, nga 3388 raste të trajtuara të dhunës për vitet 2020-2023, vetëm 25 përfituan nga programi i subvencionimit të qirasë dhe 5 të tjera nga programi i subvencionimit të interesave të kredisë.

Rastet minimale të përfitueseve lidhen sipas Arbanës me kriteret e shtrënguara dhe burokracitë që aplikohen nga njësitë e qeverisjes vendore.

“Nëse realisht nuk realizojmë fuqizimin ekonomik të grave dhe pavarësinë e jetesës që do të thotë strehim, nuk kemi arritur asgjë,” tha Arbana për BIRN. “Në këtë mori ndërtimesh, jemi i vetmi vend në botë që bëjmë kaq ndërtime të mëdha dhe nuk ka asnjë ndërtim për shtresën e mesme dhe të varfër,” shtoi ajo.

Urdhri i mbrojtjes nuk funksionon

Në Gjykatën e Tiranës, kërkesat për urdhër mbrojtjeje ndaj dhunës në familje kanë shënuar rritje në vitet e fundit; nga 1052 kërkesa në vitin 2021 në 1271 të tilla në vitin 2023. Megjithatë, të dhënat e vëna në dispozicion nga Gjykata e Tiranës tregojnë se pranimi i këtyre kërkesave ka ardhur në rënie nga viti në vit.

Nga 3465 kërkesa të depozituara në Gjykatë për tre vjet janë miratuar vetëm 1542 urdhra mbrojtjeje ose rreth 44% e totalit.

Aktivistët e të drejtave të njeriut shprehen të shqetësuar se ky mekanizëm nuk po funksionon siç duhet dhe nuk mjafton për të ofruar mbrojtje efikase.

“Urdhri i mbrojtjes nuk funksionon në kuptimin e mbrojtjes që duhet të ofrojë. Pra sistemi nuk funksionon. Urdhrat lëshohen pa vonesa nga gjykatat dhe policia, por monitorimi i tyre dhe hallkat të cilat ofrojnë sigurinë dhe mbrojtjen nuk ekzistojnë,” thotë Ines Leskaj nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, AWEN.

Edhe Sidorela Vatnikaj, aktiviste e të drejtave të njeriut, i tha BIRN se mekanizmi i sistemit të mbrojtjes në Shqipëri është i dobët.

“Mekanizmat që ekzistojnë, janë tërësisht të dobët dhe të pamjaftueshëm. Në shumë raste urdhri i mbrojtjes nuk i mbron gratë e dhunuara,” theksoi ajo.

Avokati Klodian Meta, i cili ka mbrojtur disa raste të tilla në gjykatë, mendon gjithashtu se ekzekutimi i urdhrave të mbrojtjes paraqitet me problematika shumë të mëdha.

“Së pari, sa i takon faktit që bashkëshortët kanë vetëm një banesë, ndërkohë gjykata ka urdhëruar që dhunuesi të mos afrohet në një distancë prej 100 metrash,” thotë Meta.

“Së dyti, policia e shtetit e ka të pamundur të kontrollojë në kohë reale vendndodhjen e dhunuesit, pasi mungon instrumenti i mbikëqyrjes elektronike,” shtoi ai, duke theksuar se mbikëqyrja në kohë reale mund të mundësohej vetëm përmes kësaj teknologjie.

Mosfunksionimi i këtij mekanizmi mbrojtjeje ka sjellë dhe raste fatale, ku edhe pasi kanë denoncuar dhunën në polici apo gjykatë, gratë janë vrarë nga partnerët e tyre.

“Shumica e rasteve të femicidit kanë qenë të pajisura me urdhër mbrojtjeje. Mekanizmat ekzistues duhet të funksionojnë dhe mund të konsiderohen të pamjaftueshme,” thekson Leskaj.

Vështirësitë e riintegrimit

Sipas Bashkisë së Tiranës, në territorin e saj funksionojnë 7 qendra komunitare për riintegrimin e viktimave të dhunës në familje, të financuara me fondet e bashkisë.

“Gratë dhe vajzat e dhunuara janë mbështetur me paketën e shërbimeve si këshillim psikologjik, vakte ushqimore, pako ushqimore dhe higjieno-sanitare dhe mbështetje për detyrat e shtëpisë së fëmijëve,” tha Bashkia në një përgjigje me shkrim.

“Një ndër objektivat kryesorë të Bashkisë Tiranë është zgjerimi i hartës me shërbime komunitare sa më pranë individëve dhe në veçanti pranë banorëve të zonave rurale,” shtoi Bashkia.

Paralelisht me pushtetin vendor, edhe organizatat e shoqërisë civile ofrojnë shërbime për këtë kategori sociale, duke filluar nga strehëzat, shërbimi ligjor falas apo trajnimet për t’u aftësuar për tregun e punës.

Por përfaqësuesit e shoqërisë civile theksojnë se pa ndihmën e institucioneve, rezultatet mbeten të kufizuara.

“Gratë që denoncojnë dhunën nuk përfitojnë shërbime mjaftueshëm, këtu kam parasysh një strehim të denjë social dhe mbështetje financiare, gjë që e bën thuajse të pamundur që financiarisht ato të përballojnë jetesën të vetme, në shumicën e rasteve duke u kujdesur edhe për fëmijët e tyre,” tha Vatnikaj.

Edhe Leskaj nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas, AWEN, thotë se shumë pak bashki në Shqipëri e mbështesin këtë kategori për të tejkaluar problemet me punësimin dhe strehimin.

“Është e vështirë të punësohen me pagë të denjë dhe orare të përshtatshme. Shpeshherë janë nëna me fëmijë të mitur. Gjithashtu, problem mbetet strehimi social dhe mosfunksionimi i ligjit, i cili megjithëse ka të përcaktuara kategoritë që përfitojnë, përsëri shumë pak bashki mbështesin këtë kategori,” tha Leskaj.

Sevim Arbana nga Qendra “Në Dobi të Gruas Shqiptare” apelon gjithashtu për mbështetje më të mirë, ndërsa pranon se mundësitë e shoqërisë civile janë të kufizuara.

“Kemi bërë aq sa kemi mundur, kemi një agjenci për të punësuar këto gra dhe vajza. Ne u japim një trajnim shumë rigoroz dhe ato marrin një certifikatë për të pasur një punë,” tha Arbana.

“Por sa fuqi kanë shoqatat për të ndihmuar? Nuk kemi as 10%. Dy hallkat më të rëndësishme që është punësimi dhe strehimi nuk përmbushen siç duhet, pasi ne kaq fuqi kemi,” përfundoi ajo./Reporter.al

 

Po ndodh...