
7 Marsi, Spiropali: Të vazhdojmë të rrisim investimet për arsimin

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali dha sot një mesazh me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.
Spiropali u shpreh se mësuesi është profesioni që formëson të gjitha profesionet e tjera.
“Thënia e Konfucit: “Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit janë të pamatshme”, është një mësim universal për të gjitha kohërat. Pas çdo historie suksesi, ka pasur një mësues që ka ndezur kureshtjen, ka nxitur ambicjen dhe ka forcuar besimin”, u shpreh Spiropali.
Më tej kryeparlamentarja u shpreh se, “mësuesit nuk janë thjesht profesionistë, por misionarë, të cilët, mbi të gjitha, motivojnë e frymëzojnë. Sepse të mësuarit është çelësi më i rëndësishëm për progresin, mirëqenien dhe zhvillimin”.
Prandaj, shtoi ajo, “nëse dëshirojmë t’u japim shumë shanse fëmijëve tanë, t’u japim më parë një shans mësuesve të Shqipërisë. Atyre që punojnë jo për t’u pasuruar, por për të ndërtuar jetët e fëmijëve tanë, që frymëzojnë me modelin dhe shembullin e tyre”.
Prandaj, vijoi Spiropali, “ne nuk kursehemi, dhe nuk do të kursehemi, të rrisim, siç edhe kemi rritur, pagat e mësuesve. Të përmirësojmë, siç edhe kemi përmirësuar, kushtet në shkollat në çdo qytet e fshat të vendit. Të vazhdojmë të rrisim investimet për arsimin, shkollimin, edukimin qytetar dhe formimin shkencor”.
Mësuesit, tha Spiropali, “e kthejnë këtë investim me përkushtimin, talentin dhe dashurinë e tyre për vajzat dhe djemtë e Shqipërisë”.
“Gëzuar 7 Marsin, mësuese dhe mësues, të dashur, të urtë e të respektuar! Mirënjohje pa fund për ju, mësues të së kaluarës, mësues të sotëm dhe të ardhshëm të Shqipërisë”, mbylli mesazhin e saj me rastin e 7 Marsit, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali.
ideas
top
Alfa recipes
TRENDING 
services
- POLICE129
- STREET POLICE126
- AMBULANCE112
- FIREFIGHTER128