Fitoret që i kushtuan më shumë se humbjet Ramës, Berishës dhe “të bindurve” të pushtetit!

9 October 2026, 16:28 / EDITORIAL NGA INDRIT GJYZELI
Fitoret që i kushtuan më shumë se humbjet Ramës,

Nga Indrit Gjyzeli

Mbështetësit e opozitës morën dje një vendim drastik, duke e rrudhur praninë e tyre në kufijtë më minimalë, edhe pse kreu i PD bëri thirrje për protestë kombëtare.

Braktisja që i bënë kreut të PD, e kombinuar me mungesën e ftesës nga ambasadori i ri amerikan disa ditë më parë, janë alarmi më i fuqishëm i qytetarëve drejt gjithë opozitës që të gjejë rrugën e zgjidhjes e të lidhë një kontratë të re me qytetarët, të cilët janë në një paradoks të pamenduar politik: as qeverinë nuk e duan, as PD nuk e mbështesin e as partitë e reja nuk i ngrohin.

Vetë Berisha ka mbyllur çdo derë debati, duke treguar hapur se kushdo që mendon largimin e tij duhet të ikë vetë i pari. Dhe të përzgjedhurit e tij për të qëndruar pa zë dhe pa fytyrë, po e zbatojnë këtë verbëri përballë realitetit. 

Fiks e njëjta logjikë funksionimi në PD si në PS, ku Rama kërcënoi hapur Braçen, Spiropalin, Sinajn e të tjerë se, nëse nuk do votonin reformën e re territoriale sipas versionit të tij, do përfundonin jashtë PS-së. 

Të gjendur përballë kësaj dhune kryetarësh, PD dhe PS nuk po e fshehin më aspak se janë prona të kryetarëve, e që të dyja bashkë janë vrasësit e çdo lëvizje tjetër politike. (Më e qartë kjo marrëveshje dallohet në rastin e kombinimit për zgjedhjen e Endri Shabanit si Avokat i Popullit, ku Berisha dha 35 firma e Rama votat e duhura, që të shkatërronin një lëvizje si "Shqipëria bëhet", apo në kombinimin për delegjitimimin e Agron Shehajt nga të dy grupimet).

Kjo tango e shëmtuar dhe qesharake, politikisht dëmton PD që e tredh edhe më shumë politikisht, ndërsa nga ana sociale dhe shoqërore dëmton jetën e përditshme të qytetarëve, të cilët nën mungesën e shpresës për rrotacion mund të gjunjëzohen edhe më shumë. Të paktën deri sa ta kuptojnë që Protesta do mbetet e vetmja zgjidhje për të rikthyer dinjitetin, që vijon t'u nëpërkëmbet nga tango politike PD-PS./Alfapress.al

Po ndodh...