Lëvizja e qershorit 1924, faktorët politikë dhe ardhja në pushtet e Nolit/ Përplasja e dy blloqeve politike…

1 Prill 2024, 19:26 / JETË ALFA PRESS

Lëvizja e qershorit 1924, faktorët politikë dhe ardhja në
Copëtimi i Shqipërisë dhe përpjekja e gjatë e njohjes dhe përcaktimit të kufijve të shtetit shqiptar, po e kthenin Shqipërinë në një “tokë të askujt”.

Kjo kishte reflektuar dhe në krijimin e grupimeve politike në Shqipëri.

Në arenën politike të kohës ishin krijuar dy blloqe kryesore, ai i bejlerëve dhe pronarëve të mëdhenj, të cilët drejtoheshin jo-formalish nga Ahmet Zogolli, si dhe blloku tjetër i konsideruar si borgjezia e re, me intelektualë të rinj, të shkolluar në Perëndim, me rininë e organizuar në shoqërinë 'Bashkimi', të drejtuar nga Avni Rustemi, si dhe me mbështetjen e emigrantëve shiqptarë të Kosovës të mbledhur rreth Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.

Me këtë bazë sociale e strukturore opozita mblodhi rreth vetes figura të shquara që kishin luajtur një rol të dorës së parë në shpalljen e Pavarsisë, si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau e tjerë. Gjatë vitit 1923, tensionet ishin krijuar midis grupeve fetare, me të krishterët të pakënaqur me ish-zyrtarët osmanë që vazhdonin të përfitonin nga pozicioni i tyre dhe taksat nga pjesët më të pasura të krishtera të vendit duke subvencionuar një qeveri të udhëhequr nga muslimani Ahmet Zogu.

Këto tensione nxitën dhe përplasjen kryesore politike midis dy blloqeve, në vjeshtën e vitit 1923 për zgjedhjet në Asamblenë Kushtetuese, e cila kishte si detyrë përcaktimin e formës së regjimit, caktimin e kryeqytetit dhe në njëfarë mënyre caktimin e rrugës nga do të shkonte Shqipëria.

Nisja e përplasjeve

Zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923

Vrasja e kandidatëve Adem Gjinishit dhe Haxhi Isuf Kazazit në Peqin ishin kulmimi i acarimit të raporteve mes grupeve.

Zgjedhjet parlamentare të vitit 1923 u mbajtën në bazë të një sistemi votimi me dy shkallë, me raundin e parë në Nëntor dhe të dytin që u mbajt më 27 Dhjetor. Në Asamblenë me 102 vende, kandidatët e opozitës fituan 39, ndërsa Zogu me të tijët 44 vende. Pjesa tjetër e deputetëve ishin kandidatë të pavarur konservatorë, që përkrahin kryesisht Ahmet Zogun.

Nuk munguan akuzat e të dy palëve për shantazh, vjedhje dhe blerje votash, por megjithë pretendimet e opozitës, rezultatet e zgjedhjeve ofruan një grafi të saktë të klimës politike në Shqipëri.

Asnjë nga grupet nuk siguroi dot shumicën, duke treguar ndasitë e mëdha krahinore e fetare të kohës, ku opozita fitoi në Jug dhe në Veri, ndërsa Zogu me pasuesit e tij në Shqipëri të Mesme dhe në Dibër.

Kuvendi Kushtetues që kishte dalë nga zgjedhjet e 27 dhjetorit u mblodh për herë të parë më 21 janar 1924. Petro Poga u zgjodh kryetar i përkohshëm dhe sekretar Nush Bushati. Ali Këlcyra dhe Luigj Gurakuqi mbajtën një fjalë për rëndësimë e kësaj dite dhe në këtë seancë u mbajtën pesë minuta heshtje si shenjë nderi për kandidatët e vrarë gjatë fushatës, të ndjerët Adem Gjinishi dhe Haxhi Jusuf Kazazi.

Më 24 shkurt të vitit 1924 Kryeministrit Ahmet Zogu iu bë atentat në hyrjen e Parlamentit nga matjani Beqir Valteri.

Meqënëse atentatori ishte anëtar i shoqërisë “Bashkimi”, pasuesit e Zogut e lidhën atentatin me dhe kryetarin e saj Avni Rustemin. Zogu u tërhoq nga posti i Kryeministrit duke ia lënë vëndin Shefqet Vërlacit. Pavarësisht prej këtyre lëvizjeve politike, situata ishte mjaft e nderë. Në marsin e vitit 1924 qeveria kishte dy kundërshtarë të vendosur, forcat përparimtare të mbledhura rreth Fan Nolit dhe Komitetin e Kosovës.

Revolucioni i Qershorit

Vrasja e Avni Rustemit

Fërkimet mes palëve politike u theksuan pas atentatit të Beqir Valterit ndaj Zogut të nxitur nga Rustemi.

Organizator i ngjarjes ishte Rustemi dhe të tjerë të implikuar ishin Sali Hidri (Hoxha), Sejfulla Malëshova, Omer Nishani, etj. Rrustemi pasi kishte marrë pjesë për herë të fundit në Kuvendin Kushtetues më 12 prill 1924, rikthehet në Tiranë më 20 prill duke u paraqitur në Kuvend për të kërkuar leje tremujore, pasi kishte nisur procedurat për marrjen e një vize amerikane.

Pasditen e 20 Prillit, në Varrezat e Pashës (më pas sheshi "Avni Rustemi", Pazari i Ri), Rrustemi u ndal të përshëndeste dhe shkëmbente dy fjalë me Hoxhë Kadriun dhe në ato momente ai u qëllua me një plumb nga mullixhiu Jusuf Reçi.

Ali Këlcyra e strehoi disa orë në shtëpi dhe më pas e çuan në spital, ku pas një qëndrimi dyditor, Rustemi vdiq më 22 prill 1924 nga hemoragjia. Me vrasjen e Rustemit, armiqësia politike mori hov dhe shërbeu si shkak për organizimet me efekte revolucionare që u bënë për varrimin e deputetit të vrarë.

Varrimi i Avni Rustemit dhe ngritja e “Komitetit Revolucionar”.

Sipas Këlcyrës, meqë opozita e kohës kishte bindjen se vrasja e Rustemit ishte vetëm një komplot qeveritar, i vendosi kusht qeverisë që brenda 48 orëve të dorëzoheshin komplotistët. Pas mosmarrjes së masave u organizua varrimi, me anë të të cilit opozita dhe pasuesit e saj intelektualë u nisën drejt Vlorës ku dhe ndenjën të tërhequr.

Në Vlorë u formua një Komitet revolucionar i drejtuar nga Fan Noli, i përbërë prej Qazim Koculit, Spiro Kolekës, Koço Tasit e Këlcyrës, për Shqipërinë e Jugut; Luigj Gurakuqit e Xhemal beg Bushatit për Shqipërinë e Veriut. Ky komitet në pak ditë iu kundërvu qeverisë së ligjshme të vendit dhe kKrkoi njohje, pasi kyetari i komitetit i nisi nga Vlora ministrit të Italisë në Durrës, markezit Durazzo, një telegram ku shprehej shpresa për ndihmë morale nga Mussolini.

Futja në lojë e dy garnizoneve ushtarake, të atij të Shkodrës nën komandën e Rexhep Shalës, dhe atij të Përmetit, komanduar nga Kasëm Qafëzezi, si dhe mësymja e forcave të Bajram Currit nga Kruma, bënë që qeveria të largohej nga Shqipëria së bashku me Ahmet Zogun dhe pasuesit e tij.

Njëzet e katër orë pas fillimit të lëvizjes ngarendës të forcave nga Veriu dhe nga Jugu në drejtim të Tiranës, fuqitë e Lëvizjes, pa zbrazur pothuaj asnjë pushkë, hynë në kryeqytet

Qeveria Noli

Në 16 qershor 1924 Noli krijoi qeverinë e tij, një kabinet i vogël, i përbërë nga përfaqësues të të gjithë grupimeve të kryengritjes së Qershorit, ushtrisë, bejlerëve, liberalëve, progresistëve dhe lobit shkodran. Ndërsa Komiteti i Kosovës nuk u përfshi në qeveri.

Kabineti qeveritar përbëhej nga:

Fan Noli
Kryeministër
Sulejman Delvina
Ministër i Jashtëm
Luigj Gurakuqi
Ministër i Financave
Stavro Vinjau
Ministër i Arsimit
Kasëm Qafëzezi
Minist i Luftës
Rexhep Shala
Ministër i Brendshëm
Qazim Koculi
Ministër i Bujqësisë
Xhemal Bushati
Ministër pa portofol

Kërkimi i njohjes

Për gjashtë muaj qeverisje, 55 ditë qëndroi jashtë vendit, duke kërkuar njohjen, por nuk e mori dot, as nga Amerika në të cilën shpresonte.

As shtetet fqinje, Greqi e Jugosllavi, nuk e njohën qeverinë e Nolit, madje në atë kohë aleate me njëra-tjetrën, shtetet fqinje punuan së bashku për destabilizimin e qeverisë së Nolit.

Ai bëri thirrje për marrëdhenie të mira me shtetet fqinje, por arriti të zhvillojë marrëdhënie diplomatike vetëm me Bashkimin Sovjetik, gjë që nga fuqitë europiane interpretohej si orientim i tij kah bolshevizmi sovjetik.

Noli i largua nga qeverisja në 22 dhjetor 1924, pas presioneve me forca të armatosura të drejtuara nga rivali i tij Ahmet Zogu, që më pas mori pushtetin që e mbajti deri në 1939./Alfapress.al

 

Po ndodh...

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128