Kanabisi mjekësor dhe industrial, Qeveria cakton rregullat:  Kontrolle, monitorim me kamera, dronë dhe satelit

4 October 2026, 15:22 / AKTUALITET ALFA PRESS
Kanabisi mjekësor dhe industrial, Qeveria cakton rregullat:

Qeveria vendos rregulla të reja për mbikëqyrjen e kultivimit dhe prodhimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale. Agjencia Kombëtare e Kontrollit të kanabisit do të mund të kryejë kontrolle të papritura, ndërsa aktiviteti do të monitorohet edhe me kamera, sensorë, dronë dhe imazhe satelitore. Për shkeljet parashikohen masa që shkojnë deri te sekuestrimi i materialit dhe pezullimi apo heqje të licencës.

Qeveria ka miratuar VKM-në që vendos rregullat e detajuara për kontrollin e kultivimit dhe prodhimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.

Vendimi përcakton mënyrën se si Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it do të mbikëqyrë subjektet e licencuara, nga importi i farërave dhe kultivimi, deri te korrja, përpunimi, magazinimi, transporti dhe eksporti.

Kontrollet do të bazohen në analizën e riskut, raportimet e kompanive dhe historikun e respektimit të licencës. Por VKM-ja i jep Agjencisë të drejtën të zhvillojë edhe kontrolle të papritura, në rast dyshimesh për shkelje, mungesë raportimi apo mospërputhje të gjendjes në terren me të dhënat e deklaruara.

Mbikëqyrja nuk do të kufizohet vetëm te inspektimet fizike. Subjektet mund të monitorohen përmes kamerave të sigurisë, sensorëve, sistemeve elektronike, dronëve dhe imazheve satelitore.

Inspektorët mund të hyjnë në ambientet e prodhimit, të kontrollojnë dokumentacionin, të fotografojnë e filmojnë dhe të marrin mostra për analiza. Nëse kontrolli pengohet, hyrja mund të realizohet me mbështetjen e Policisë së Shtetit.

Rregulla të posaçme vendosen për korrjen. Kompanitë duhet të njoftojnë Agjencinë të paktën 15 ditë përpara, ndërsa pas korrjes çdo sasi dhe lot duhet të regjistrohet menjëherë. Pa regjistrim dhe verifikim, materiali nuk mund të thahet, përpunohet, shitet apo eksportohet.

Për kanabisin industrial, loti konsiderohet jokonform kur THC-ja, e vlerësuar sipas përcaktimeve të VKM-së, tejkalon pragun 0,8%.

Në rast shkeljesh, materiali mund të sekuestrohet ose të propozohet për konfiskim, ndërsa mosrespektimi i kushteve thelbësore mund të çojë në pezullimin apo shfuqizimin e licencës.

Po ndodh...