Renditja e Kompanive kryesore shqiptare, si po bëhen shumë të mëdha për tregun e vogël vendas

4 October 2026, 13:05 / EKONOMI&SOCIALE NGA ORNELA LIPERI

Grupet më të mëdha shqiptare po hyjnë në një fazë të re zgjerimi, teksa tregu vendas po bëhet gjithnjë e më i vogël për përmasat që kanë arritur. Investimet e kompanive shqiptare jashtë vendit arritën në 302 milionë euro në 2025, me rritje 25% me bazë vjetore. BALFIN, Kastrati, Agna dhe Concord janë ndër grupet që po rrisin praninë përtej kufijve, nga rajoni dhe Europa deri në SHBA. Zgjerimi jashtë po kthehet gjithnjë e më shumë nga mundësi në nevojë strategjike për të ruajtur ritmet e rritjes.

Nga Ornela Liperi/ Monitor

Sa më shumë rriten, aq më i vogël u duket tregu vendas. Me një popullsi që ka zbritur në rreth 2.4 milionë banorë, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më e ngushtë për disa prej grupeve më të mëdha të biznesit, të cilat gjatë tri dekadave të fundit kanë kaluar nga tregtia te diversifikimi dhe tashmë te zgjerimi jashtë kufijve.

Shumë prej këtyre sipërmarrjeve e nisën aktivitetin dy ose tri dekada më parë, në një ekonomi që pas viteve ’90 kishte një kërkesë të madhe për mallra, shërbime dhe kapital privat. Rritja në vitet e para ishte e shpejtë dhe tregu ofronte hapësira të mëdha për zgjerim.

Me kalimin e kohës, bizneset u diversifikuan, hynë në sektorë të rinj dhe krijuan struktura gjithnjë e më të mëdha.

Por sot, për disa prej tyre, as diversifikimi brenda vendit nuk mjafton më. Tregu vendas është relativisht i vogël, ndërsa mundësitë për rritje të mëtejshme janë më të kufizuara. Për këtë arsye, një pjesë e grupeve të mëdha shqiptare po përdorin ekspertizën e krijuar në tregun vendas, kapitalet e akumuluara dhe njohuritë menaxheriale për t’u zgjeruar jashtë Shqipërisë.

Ky proces po i bën gjithnjë e më ndërkombëtare grupet më të mëdha shqiptare, me investime që shtrihen nga tregjet e rajonit dhe Europa Qendrore deri në Amerikën e Veriut.

Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e kompanive shqiptare jashtë vendit në vitin 2025 arritën në 302 milionë euro, me rritje 25% krahasuar me një vit më parë. Rreth 65% e totalit përbëhej nga injektime të reja kapitali në shoqëri të kontrolluara jashtë vendit, një tregues se zgjerimi po merr gjithnjë e më shumë formën e investimeve të drejtpërdrejta dhe jo vetëm të pranisë tregtare.

“Grupi BALFIN” raportoi se në 2025-n, për herë të parë, rreth gjysma e qarkullimit vjetor erdhi nga bizneset jashtë Shqipërisë, duke reflektuar një peshë gjithnjë e më të madhe të tregjeve të huaja në aktivitetin e tij. “Për një grup me përmasat tona, rritja e qëndrueshme kërkon një hapësirë gjeografike gjithnjë e më të diversifikuar, që nuk varet nga cikli i një ekonomie të vetme”, thotë Edlira Muka, CEO e Grupit BALFIN.

Edhe “Kastrati Grup” po shtrihet përtej kufijve, duke mbërritur deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes blerjes së një hoteli. Zgjerimi jashtë vendit po shihet si një mënyrë për të diversifikuar burimet e të ardhurave dhe për të hyrë në tregje shumë më të mëdha se ai shqiptar.

Grupi Agna ka bërë të ditur ambicien për blerje kompanish në shtete të tjera, kryesisht në fushën e distribucionit, investimeve dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme.

“Tkurrja dhe lëvizja e popullsisë janë realitete që çdo biznes që operon në Shqipëri duhet t’i marrë në konsideratë. Ne jemi një treg relativisht i vogël dhe kjo është një nga arsyet pse shohim gjithnjë e më shumë me interes mundësitë e zgjerimit në rajon dhe më gjerë”, thotë z. Vasil Naçi,  President & CEO i AGNA Group.

Një tjetër lëvizje që tërhoqi vëmendje ishte ajo e grupit të sipërmarrësve Dulaku, “Concord Group” i cili bleu së fundmi një hotel në Greqi. Investimi mori jehonë edhe në mediat greke. “Ky është investimi i parë i rëndësishëm shqiptar në Greqi, i realizuar zyrtarisht përmes blerjes së një kompanie.

Lëvizja vjen relativisht vonë, pasi sipërmarrës shqiptarë, të ngritur mes vështirësive të mëdha të tranzicionit paskomunist, kanë ndërmarrë prej vitesh investime të konsiderueshme në vende të tjera të Ballkanit, në Europë dhe deri në Shtetet e Bashkuara. Zgjerimi i tyre jashtë vendit pasqyron njëkohësisht konsolidimin e biznesit shqiptar dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë”, shkruante media greke “Protothema.gr”.

Zgjerimi jashtë vendit shënon një fazë të re për kapitalin shqiptar. Për shumë nga grupet e mëdha, tregu vendas nuk është më i mjaftueshëm për të mbështetur ritmet e rritjes që kanë arritur në vite.

Dalja jashtë kufijve po shndërrohet kështu nga një mundësi në një nevojë strategjike.

Ky proces u jep kompanive shqiptare një dimension më ndërkombëtar, i ekspozon ndaj standardeve më të larta të konkurrencës dhe i detyron të përmirësojnë strukturat e menaxhimit, financimit dhe qeverisjes.

Në të njëjtën kohë, ai tregon edhe një ndryshim të modelit të sipërmarrjes vendase, nga biznese familjare të përqendruara kryesisht në tregun shqiptar, drejt grupeve më të konsoliduara, që kërkojnë rritje përmes investimeve, blerjeve dhe zgjerimit në tregje të huaja.

“Kastrati”

Grupi “Kastrati”, tregtuesi më i madh i karburanteve në vend, me aktivitet në fushën e sigurimeve dhe të tregtimit të automjeteve, është diversifikuar vitet e fundit në ndërtimit dhe hoteleri, dhe në fushën e aviacionit, duke marrë koncesionin e “Tirana International Airport”. Qarkullimi vjetor i grupit në vitin 2025, sipas të dhëmave paraprake, ishte rreth 147 miliardë lekë, me rritje rreth 9% me bazë vjetore, duke e renditur atë në më të madhin në vend, sipas të ardhurave.

“Kastrati Energy Trade” dhe “Kastrati Energy”, përkatësisht në tregtimin me shumicë dhe pakicë të karburanteve, mbajnë peshën kryesore të të ardhurave, me rreth 72% të totalit, të ndjekura nga “Tirana International Airport”, me rreth 9%. Grupi është i vetmi në Shqipëri që qarkullon më shumë se 100 miliardë lekë (mbi 1 miliardë euro) në vit, për shkak të volumeve të mëdha që kryhen nga treguesi me shumicë dhe pakicë i karburanteve.

Vitet e fundit, grupi po shkon drejt riorganizimit, teksa të gjitha aksionet e kompanive kanë kaluar në shoqërinë “Jonuz Kastrati”. Sipas dokumenteve të dorëzuara në QKB, ky proces riorganizimi i entiteteve në pronësi po bëhet për të optimizuar operacionet e tyre dhe për t’iu përgjigjur nevojave të zhvillimit strategjik të shoqërive, si dhe përmirësimin e efikasitetit operativ për të nxitur rritjen e investimeve afatgjata dhe përfitimet për ortakët e saj.

 

BALFIN 

Grupi BALFIN, me interesa në tregti me pakicë, qendra tregtare, ndërtim, turizëm, banka, është i dyti më i madh sipas qarkullimit vjetor.

Të ardhurat e 9 kompanive kryesore të grupit në Shqipëri ishin rreth 37 miliardë lekë, me tkurrje 28% me bazë vjetore. Rënia është e lidhur me daljen nga grupi të rrjetit të supermarketeve “Spar Albania”.

Që nga mesi i vitit 2025, kjo shoqëri nuk është më pjesë e grupit, pas shitjes te sipërmarrja nga Kosova, “Viva Fresh”. Në vitin 2024, ‘Spar’ ishte kompania më e madhe e grupit, sipas të ardhurave, me 25% të totalit. Një tjetër arsye lidhet me tkurrjen e qarkullimit nga “Green Coast”, teksa shitja e vilave në resortin me të njëjtin emër është drejt fundit.

Rrjeti i elektroshtëpiakeve “Neptun”, me “Tirana Bank”, janë tashmë dy shoqëritë më të mëdha të grupit. Si sektor, ndërtimi e turizmi po zënë gjithnjë e më shumë peshë, ndonëse ecuria e tyre është e varur nga cikli i projekteve.

Grupi publikon raportin vjetor të konsoliduar, që përfshin aktivitetin brenda dhe jashtë vendit. BALFIN ka gjithsej 57 shoqëri, nga të cilat 31 janë në Shqipëri, 7 në Maqedoninë e Veriut, 4 në Kosovë, 4 në Austri e të tjera deri në SHBA.

Duke përfshirë dhe aktivitetin jashtë Shqipërisë, “Grupi BALFIN” raportoi një total të ardhurash për të gjithë sektorët e veprimtarisë së grupit në përputhje me pasqyrat financiare të konsoliduara dhe të audituara në vlerën 65.1 miliardë lekë në vitin 2025, nga 63.2 miliardë lekë në 2024-n. Të dhënat nuk përfshijnë “Spar” dhe “Fashion Group Albania”, të dyja të shitura në 2025-n.

Rreth 64% të të ardhurave të konsoliduara janë realizuar nga sektori i shitjeve me pakicë (nga 60% në 2024-n), ndjekur nga pasuritë e paluajtshme 21% (nga 26% në 2024-n) dhe sektori bankar me 14% (nga 13% në 2024-n) mbi totalin e të ardhurave të konsoliduara.

Për herë të parë në vitin 2025, aktiviteti jashtë Shqipërisë ishte më i lartë se ai brenda vendit, me 52% të të ardhurave që u gjeneruan nga kompanitë e huaja, kundrejt 44% vitin e mëparshëm.

“Viti 2025 ishte një vit shumë i mirë për zhvillimin e Grupit BALFIN, por mbi të gjitha ishte viti kur një sërë vendimesh strategjike të marra më herët nisën të materializohen.

Fokusi ynë ishte dhe vijon të mbetet tek investimet me potencial për t’u zhvilluar në disa tregje dhe për të krijuar vlerë afatgjatë. Kjo tregohet jo vetëm nga arritjet financiare, por edhe në besimin që institucionet ndërkombëtare financiare na kanë dhënë duke mbështetur një sërë projektesh”, thotë Edlira Muka, CEO e Grupit BALFIN.

“Për t’i dhënë kontekst në numra vitit 2025 do të përmendja: totali i aktiviteteve arriti në 3.1 miliardë euro, 18% më shumë se një vit më parë, dhe EBITDA arriti në 161 milionë euro. Ndërkohë, investimet kapitale gjatë vitit 2025 ishin rreth 181 milionë euro”, shton ajo.

 

 Grupi “Bigalb”

“Bigalb” është grupi më i madh në vend me aktivitet në zinxhirin e supermarketeve. Nëpërmjet dy kompanive kryesore të tij, “Big Market” dhe “Tirana Cash and Carry”, të ardhurat totale arritën në 32 miliardë lekë në vitin 2025, me zgjerim prej 3%.

“Për ‘Big Market’, tregu i sotëm kërkon një ekuilibër mes çmimit, cilësisë, inovacionit dhe afërsisë me konsumatorin. Zgjerimi i rrjetit, forcimi i ‘Big Besniku’ dhe përdorimi më inteligjent i të dhënave janë pjesë e së njëjtës strategji: të jemi aty ku është klienti, ta kuptojmë më mirë dhe t’i ofrojmë një arsye të fortë për të zgjedhur ‘Big Market’ në mënyrë të vazhdueshme”, thanë burime zyrtare nga kompania.

 

 Grupi “Agna”

Grupi “Agna” është distributori më i madh në vend dhe ka njohur zgjerim vit pas viti. Krahas tregtimit me shumicë, grupi ka aktivitet edhe në prodhimin dhe ambalazhimin e pijeve freskuese dhe vitet e fundit ka hyrë dhe në segmentin e prodhimit të birrës.

Dy kompanitë kryesore të grupit, “Agna” sh.a. (shpërndarës produktesh dhe investues) dhe “Alfa” sh.a. (ambalazhues i “Pepsi”, “Ivi”, “7Up”, “Lipton Ice Tea”; prodhues i “Glina” dhe “Spring”; shpërndarës i “Heineken”, “Amstel”, “Alfa Beers”, “Tsantali Wines” dhe “Shark Energy Drink”), realizuan për vitin 2025 një xhiro prej rreth 29 miliardë lekësh, në nivelet e vitit të mëparshëm.

Krahas operacioneve bazë të tregtisë, “Agna” sh.a. pohon se vazhdon të ndërtojë portofol afatgjatë investimesh. Sipas raportit vjetor, shoqëria po zgjerohet në energjinë diellore dhe ndërtim. “Agna” do të bashkëfinancojë pajisjet për një park fotovoltaik.

Ky projekt pritet të krijojë burime alternative energjie dhe të sigurojë të ardhura në afatmesëm.

Në projektet rezidenciale, është themeluar shoqëria e parë e përbashkët, në fund të vitit 2023. Projektet synojnë zhvillimin e tokave në pronësi të “Agna”, duke ndërtuar struktura të destinuara për banim, akomodim, turizëm dhe industriale. Ortakët e tjerë janë kryesisht shoqëri me eksperiencë në ndërtim. Financimi i projektit pritet të bëhet fillimisht nga ortakët dhe bankat dhe pastaj nga shitja.

Kompania bën të ditur se më pas planifikon të marrë licencimet për të zhvilluar vetë pasuritë dhe/apo do të blihen/bashkëthemelohen shoqëri të tjera për partneritet, për zhvillimin e pasurive të paluajtshme që zotëron shoqëria “Agna” dhe partnerë të saj.

Kompania ka dhe projekte ndërkombëtare. “Shoqëria zotëron kompani në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Monako dhe po shikohet mundësia e themelimit apo blerjeve të kompanive dhe në shtete të tjera, kryesisht për distribucion dhe investime dhe zhvillim të pasurive të paluajtshme”, thuhet në raportin e aktivitetit.

Z. Vasil Naçi, President & CEO i AGNA Group thotë se pasuritë e paluajtshme dhe investimet e lidhura me turizmin janë ndër fushat ku shohim potencial të rëndësishëm, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj. Projektet kërkojnë investime të mëdha, ekspertizë, durim dhe standarde shumë të larta. Pikërisht për këtë arsye ne jemi shumë selektivë.

“Në të njëjtën kohë, shohim me interes edhe zgjerimin e aktivitetit tonë tradicional në rajon. Ambicia jonë afatgjatë nuk është vetëm të ndërtojmë një kompani të fortë shqiptare, por edhe të zhvillojmë marka dhe biznese shqiptare që mund të konkurrojnë me sukses përtej kufijve të vendit”, pohon ai.

 

 “Gjonaj Group”

“Gjonaj Holding Group” është një nga grupet relativisht më të reja në vend, që ka shënuar rritje të shpejtë gjatë viteve të fundit. Grupi ka një portofol në telekomunikacion, transferime të procesit të biznesit, tregtim dhe gjenerim të qëndrueshëm të energjisë dhe ndërtim e zhvillim të pronës së lartë.

Kompania kryesore e grupit është “Info Telecom”, me aktivitet në tranzitin e shërbimeve zanore, “Transit”, mesazhe dhe zgjidhje të personalizuara të menaxhimit të shërbimeve. Aktiviteti tjetër është tregtimi i energjisë, përmes “Ener Trade”, ndërsa grupi po investon dhe në energjinë diellore.

Të ardhurat e dy shoqërive kryesore ishin rreth 36 miliardë lekë në vitin 2025, me rritje të fortë prej 29%, të ndikuara nga shtimi i shpejtë i xhiros së “Ener Trade”, e lidhur me vitin e thatë, që kërkoi blerje energjie. Së fundmi, shoqëria po investon në energjinë diellore, duke hapur disa shoqëri me këtë fokus, por ende nuk ka filluar të gjenerojë të ardhura nga ky aktivitet.

Grupi ka 89% të aksioneve të “Solar Park Gjoricë”, të themeluar në vitin 2023, që nuk ka hyrë ende në aktivitet dhe 51% në “Infotelecom-Albsolar 3”, të themeluar po në 2023.

Sipas burimeve zyrtare, “Gjonaj Group Holdings mbylli vitin 2025 duke konfirmuar një drejtim strategjik gjithnjë e më të qartë: energjinë e pastër si motor kryesor të zgjerimit të grupit brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Momenti më domethënës erdhi në dhjetor të këtij viti, kur GreeNNat Solar Park në Ballsh, i zhvilluar nga INFOTelecom, konkludoi fazën e ndërtimit të kësaj vepre madhore kombëtare, duke shënuar hyrjen e plotë të grupit në ndërtimin dhe menaxhimin e parqeve fotovoltaike.

INFOTelecom EPC ka vijuar në 2025 zgjerimin me përfaqësi dhe projekte të energjisë diellore në rajonin e Ballkanit. Në qershor, Ener Trade – e njohur tashmë si një ndër kompanitë kryesore shqiptare në tregtimin e energjisë në Ballkan – u bë sponsor strategjik i Konferencës së Energjisë në Vjenë (ETCSEE 2025).

Kompania Promarketing ka vijuar bashkëpunimin e suksesshëm me korporatat e mëdha italiane, Vodafone Italia dhe WindTre.

Paralelisht, Gjonaj Group vijoi të konsolidojë praninë e tij në forume ekonomike ndërkombëtare të telekomunikacionit dhe energjisë, dhe të thellojë lidhjet me botën akademike shqiptare si një përgjegjësi sociale e këtij grupi biznesi”.

 

 “IGMJ Group”

Grupin IGMJ përfshin sipërmarrjet e z. Grigor Joti, që tashmë janë kryesisht në fushën e distribucionit, pasi në vitin 2023 ai shiti aksionet e “InfoSoft System Tiranë”, një prej kompanive më të hershme në vend, e krijuar në vitin 1995.

Ai vijon të jetë aktiv në “Inter Trade & Distribution”, “Inter Distribution Service”, nëpërmjet grupit “Investment Joti”, sipërmarrje që janë të përqendruara në shpërndarjen me shumicë të produkteve.

Grupi ka interesa dhe në pasuritë e paluajtshme, nëpërmjet “InRe” dhe “InveG”. Qarkullimi vjetor i kompanive të grupit në 2025-n ishte 32.7 miliardë lekë, me rritje 11.8%. Peshën kryesore e zënë shoqëritë e angazhuara në tregtimin me shumicë të produkteve të ndryshme.

 

“Bolv Group”

“Bolv Group” ka si aktivitet kryesor tregtimin me shumicë dhe pakicë të karburanteve, përmes “Bolv-Oil” sh.a. dhe “Olsi”. Kompania është diversifikuar dhe në tregtimin e pjesëve të automjeteve apo nxjerrjen e naftës. Të ardhurat e grupit ishin 20.3 miliardë lekë në vitin 2025, me rënie 10%.

Së fundi, grupi është orientuar dhe në ndërtim, përmes një investimi të madh, rezidenca “Folé”, që përbëhet nga 4 godina banimi, një model i ri biznesi që targeton akomodim për studentë dhe apartamente hotel për të punësuarit. Në prill 2025 është krijuar shoqëria “Kashari Center”, me objekt projektim dhe ndërtim i objekteve civile apo industriale, e cila nuk gjeneroi të ardhura në vitin 2025.

Në gusht 2026, “Bolv” shiti “Albrilling”, shoqërinë që merrej me shpime e gërmime nafte tek “Izvor 99”. Aktiviteti i “Albdrilling” ishte me ulje vitet e fundit, teksa në vitin 2025, raportoi 169 milionë lekë të ardhura, nga 2.2 miliardë lekë në vitin 2019, kur ishte dhe pjesë e renditjes së atij viti të “Monitor 200”.

 

 “Concord Group”

“Concord Group” është grupimi i disa kompanive në fusha të ndryshme me fokus në ndërtim, media, telekomunikacion. “Concord Investment” dhe “Edil-Al–It” janë dy shoqëritë kryesore të përqendruara në ndërtim.

Grupi është zgjeruar dhe në turizëm, me ndërtimin e kompleksit rezidencial “San Pietro” dhe një hoteli me 500 dhoma në Gjirin e Lalëzit, nën markën e njohur spanjolle “Meliá”, duke u bërë një nga investimet më të suksesshme në turizëm.

Grupi ka interesa dhe në programet televizive, nëpërmjet platformës me pagesë “Tring” dhe televizionit “Vizion Plus”. Të ardhurat e kompanive të grupit ishin rreth 17 miliardë lekë në vitin 2025, me zgjerim prej 3.2% me bazë vjetore.

Në raportet vjetore theksohet se sipërmarrja më e rëndësishme për shoqërinë për vitin 2025 ka qenë investimi në strukturën hoteliere “Maris Monoprosopi” në Korfuz.

Sipas burimeve zyrtarë të kompanisë, grupi ka 35 vite prezencë në tregun shqiptar. Gjatë kësaj periudhe, “Concord Group” ka ndërtuar ndër vite një nga strukturat më të diversifikuara të investimeve në vend.

“Me një xhiro të kombinuar prej 17 miliardë lekësh në vitin 2025, Concord Group konfirmon pozicionin e tij ndër grupet më të konsoliduara të investimeve në Shqipëri.

Grupi ka ndërtuar një ekosistem të gjerë biznesesh dhe investimesh, me aktivitet në sektorë strategjikë të ekonomisë, si zhvillimi i pasurive të paluajtshme, ndërtimi dhe prodhimi, industria automotive, turizmi dhe hoteleria, media, telekomunikacioni dhe shërbimet e sigurisë.

Në portofolin e tij përfshihen kompani lider në sektorët përkatës si “Concord Investment”, “Albanian Motor Company”, “Alba Beton”, “Edil Al”, “Concord Properties” dhe “Media Vizion”, krahas një sërë aktivitetesh të tjera që plotësojnë strukturën e Grupit.

Përmes investimeve të vazhdueshme, projekteve të përmasave të mëdha dhe zgjerimit të portofolit të tij, Concord Group ka krijuar një prani të qëndrueshme në treg, duke ndërthurur eksperiencën shumëvjeçare me një vizion të qartë për zhvillim dhe krijimin e vlerës së qëndrueshme.

Ky vizion afatgjatë e sheh rritjen jo vetëm në dimensionin e saj ekonomik, por edhe në standardin dhe vlerën që investimet e sotme ndërtojnë për të ardhmen”.

 

 “SIGAL Insurance Group”

“SIGAL Insurance Group” ka si aktivitet kryesor sigurimet e jetës dhe jo-jetës, përmes kompanive që operojnë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Grupi është zgjeruar gjatë viteve përtej tregut vendas, duke ndërtuar një prani rajonale në sektorin e sigurimeve dhe shërbimeve financiare.

Aktiviteti i tij zhvillohet përmes 8 kompanive, me mbi 2 mijë punonjës dhe agjentë dhe mbi 1.5 milionë klientë.

Në vitin 2025, grupi, sipas burimeve zyrtare, raportoi të ardhura totale  prej 12.09 miliardë lekësh, nga 10.87 miliardë lekë në vitin 2024. Rritja e aktivitetit është mbështetur nga zhvillimi i produkteve të reja të sigurimit, zgjerimi i shërbimeve dhe investimet në digjitalizimin e proceseve për klientët.

 “Ulaj”

Vëllezërit Ulaj janë ndër më të mëdhenjtë në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, nëpërmjet kompanisë “Gener 2”. Krahas ndërtimit, janë zhvilluar dhe aktivitetet e qendrave tregtare (“Aba Business Center”), qiradhënies, të cilat raportohet po si pjesë e aktivitetit të “Gener 2”.

Grupi është zgjeruar dhe në energji, përmes hidrocentralit Dragobia, ndërsa ka investuar dhe në energjinë përmes diellit.

Grupi ka marrë dhe koncesionin për projektimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Thumanë -Kashar.

Prej disa vitesh, pjesë e grupit është dhe televizioni i lajmeve “A2”, partner ekskluziv i “CNN”. Të ardhurat e grupit ishin 10.4 miliardë lekë në vitin 2025, me rënie 39.5%, të ndikuara nga cikli i aktivitetit të ndërtimit të “Gener 2”.

Sipas burimeve zyrtare, tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë, është transformuar gjatë viteve të fundit, nga thjesht m² ndërtim, në një paketë kërkesash komplekse, si cilësia e ndërtimit, efikasiteti energjetik/akustik, arkitektura, vendndodhja dhe elemente të tjera që përcaktojnë më saktë vlerën e pronës.

“Gener 2, me tri dekada aktivitet në sektorin e ndërtimit, po e mbështet strategjinë e zhvillimit pikërisht mbi këto elemente, nga projektet rezidenciale e komerciale deri te qendrat tregtare që janë kthyer në pika referimi dhe destinacione të preferuara në kryeqytet”.

 

 “Union Financiar Grup”

“Union Financiar Grup” është një grup financiar me kapital vendas. Grupi përfshin “Union Bank”, “Union Financiar Tiranë”, “Landeslease”, “Paylink”. Sipas të dhënave të bilancit, të ardhurat e grupit në Shqipëri ishin 9 miliardë lekë në vitin 2025, me zgjerim vjetor prej 9%, të udhëhequra për të dytin vit radhazi nga rritja e “Union Bank”.

“Union Financiar është ndër grupet financiare më të mëdha me kapital vendas dhe përfshin kompani me aktivitet në segmente të ndryshme të sektorit financiar në Shqipëri dhe rajon : Union Bank, Union Financiar Tiranë, Landeslease, Paylink, Union Financiar Prishtine, Union Financiar Shkup etj.

Diversifikimi i aktiviteteve dhe modeli i integruar i Grupit na mundësojnë të ofrojmë një gamë të gjerë shërbimesh financiare dhe të ndërtojmë një platformë të qëndrueshme për rritje të mëtejshme”, thotë Elton Çollaku, CEO i “Union Financiar Tiranë”.

Ai shton se 2025-a ishte një vit pozitiv për Grupin, me rritje të qëndrueshme të aktivitetit dhe të ardhurave. Një element i rëndësishëm i performancës së vitit 2025 ishte vijimi i zhvillimit të produkteve dhe shërbimeve të reja, veçanërisht në segmentet digjitale.

“Krahas produkteve tradicionale, të cilat mbeten një komponent i rëndësishëm i aktivitetit tonë, zgjidhjet digjitale po fitojnë gjithnjë e më shumë peshë dhe po shfaqin ritme të qëndrueshme rritjeje.

Kjo është një fushë ku kemi investuar dhe do të vijojmë të investojmë, pasi e shohim digjitalizimin si një faktor të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve financiare, rritjen e eficiencës dhe përmirësimin e eksperiencës së klientëve”.

Gjatë vitit 2025, Grupi vijoi investimet në teknologji dhe në zhvillimin e produkteve inovative, me fokus jo vetëm në zgjerimin e ofertës, por edhe në përshtatjen e saj me ndryshimet në treg dhe me kërkesat në rritje të klientëve për shërbime më të shpejta, më të aksesueshme dhe më të personalizuara.

Produktet dhe zgjidhjet e reja digjitale po penetrojnë gradualisht në treg dhe përbëjnë një nga drejtimet ku grupi pret të shohë zhvillim të mëtejshëm në vitet në vijim.

“Edhe për vitin 2026, pritshmëritë tona mbeten pozitive. Synimi është të vijojmë trendin e rritjes së qëndrueshme në të gjitha kompanitë e Grupit, duke ruajtur fokusin te zhvillimi i aktiviteteve ekzistuese dhe, njëkohësisht, te krijimi i burimeve të reja të zgjerimit.

Digitalizimi, teknologjia dhe produktet inovative do të vijojnë të jenë në qendër të investimeve tona, me synimin për të zgjeruar më tej përdorimin e zgjidhjeve digjitale dhe për t’i bërë ato një pjesë gjithnjë e më të rëndësishme të ofertës së Grupit”, thotë z.Çollaku.

Në të njëjtën kohë, një prioritet i rëndësishëm për 2026 do të jetë zhvillimi i burimeve njerëzore. Transformimi i vazhdueshëm i sektorit financiar kërkon jo vetëm investime në teknologji, por edhe në njerëz, kompetenca dhe aftësi të reja.

“Për këtë arsye, do të vijojmë të investojmë në zhvillimin profesional të ekipeve tona dhe në krijimin e kapaciteteve që na mundësojnë të përballojmë kërkesat e një tregu që po ndryshon me shpejtësi”.

Investimi në brand do të mbetet gjithashtu një komponent i rëndësishëm i strategjisë së grupit. “Synimi është të vijojmë të forcojmë markat e Grupit, duke ruajtur besimin e klientëve dhe duke ndërtuar një prezencë gjithnjë e më të konsoliduar në treg.

Për ne, zhvillimi i brandit lidhet ngushtë me cilësinë e shërbimit, inovacionin dhe aftësinë për t’iu përgjigjur në mënyrë të qëndrueshme nevojave të klientëve”.

Z.Çollaku shton se në tërësi, 2026 do të jetë një vit i vijimit të investimeve dhe i konsolidimit të mëtejshëm të Grupit. “Do të ndërtojmë mbi rezultatet pozitive të vitit 2025, duke kombinuar forcën e aktiviteteve tradicionale me potencialin e segmenteve të reja digjitale, investimet në teknologji dhe inovacion me investimet në njerëz dhe markë.

Qëllimi ynë mbetet të krijojmë rritje të qëndrueshme dhe vlerë afatgjatë për Grupin, kompanitë e tij dhe klientët që u shërbejmë.”

 

 “Duka”

Vëllezërit Duka kanë një shumëllojshmëri biznesesh, nga agroindustria te tregtimi. Shoqëria më e madhe e tyre është rrjeti i supermarketeve “Eco Market”, “D & D Distribution”, që u shit në mesin e vitit 2026. Në vend të dytë është kompania e tregtimit të produkteve elektroshtëpiake “Go Tech”.

Grupi ka interesa dhe në prodhimin e vezëve dhe tregtimin e produkteve të ndryshme. Të ardhurat e shoqërive kryesore ishin 6.8 miliardë lekë në vitin 2025, me rënie 8.2%. Në janar të vitit 2025, grupi themeloi shoqërinë e re “D-trans”, me aktivitet në transport rrugor kombëtar e ndërkombëtar mallrash dhe udhëtarësh.

 

Grupi EHW

Grupi EHW është ndër më të mëdhenjtë në vend me aktivitet të përqendruar në industrinë përpunuese, si përpunimi i mishit (marka EHW), prodhimi i ujit (marka “Qafshtama”) dhe vitet e fundit është zgjeruar dhe në zinxhirin e supermarketeve me aksione në “Conad”.

Prej disa vitesh, kompania publikon bilanc të konsoliduar për grupin, nën logon e EHW. Të ardhurat e grupit në vitin 2025 ishin 8.7 miliardë lekë, me rritje 12% me bazë vjetore.

Luan Leka, themeluesi i grupit, shprehet se kompania po zgjeron aktivitetin përtej Shqipërisë, me synim zhvillimin e rrjetit të supermarketeve. Hapi i parë ka qenë Kosova, ku grupi po ndërton rrjetin “Premium”.

Sipas tij, megjithëse tregu i shitjeve me pakicë në Kosovë është më i avancuar se në Shqipëri, oferta mbetet e përqendruar kryesisht te produktet me kosto të ulët, duke krijuar mundësi për një model të orientuar drejt cilësisë.

Një tjetër treg që po vlerësohet është Londra, ku grupi ndodhet në fazat fillestare të analizimit të mundësive dhe potencialit për hyrje.

 FINMAN

FINMAN ka interesa në aktivitetin e ndërtimit, me kompaninë kryesore “Alb-Star”. Vitet e fundit, grupi është zgjeruar në fushën e hotelerisë dhe turizmit, përmes ndërtimit të “Hotel Arena” (nën markën e “Marriott”), ndërsa është investitor i “Manastiri Resort”, me vila dhe apartamente luksoze, në Jug të vendit, i cili nuk ka filluar ende të gjenerojë të ardhura. Kompanitë kryesore të grupit raportuan 6.2 miliardë lekë në vitin 2025, me rënie 26%.

 

 

 

 

Po ndodh...