Thellohet kriza në Kosovë/ PDK paralajmëron “luftë” çdo 48 orë: Dyert e Kuvendit rikthejnë pamje të errëta

13 August 2026, 23:45 / KOSOVA ALFA PRESS
Thellohet kriza në Kosovë/ PDK paralajmëron

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka thënë se mbyllja e dyerve të Kuvendit rikthen pamje të errëta për Republikën e Kosovës.

Në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, Behrami ka deklaruar se salla e Kuvendit është vendi i punës së deputetëve dhe duhet të jetë e hapur sa herë që ata kanë nevojë për të qenë të pranishëm apo për të ushtruar funksionin e tyre.

“Salla e Kuvendit është vendi i punës të deputetëve dhe ajo duhet të jetë e hapur sa herë ne kemi nevojë, qoftë për prezencë, qoftë për punë, qoftë për performancë. Ajo duhet të jetë e hapur”, ka thënë Behrami.

Ai ka bërë të ditur se deputetët e PDK-së do të paraqiten në Kuvend dhe do ta përsërisin këtë çdo 48 orë, derisa, sipas tij, të jepet urdhër për thirrjen e seancës.

“Ne si PDK do të jemi nesër në Kuvend dhe do të jemi çdo 48 orë në Kuvend derisa Albin Kurti t’i japë urdhrin zotit Dehari”, është shprehur Behrami.

Behrami ka akuzuar Kurtin se, sipas tij, ka zëvendësuar institucionet dhe rregullat e Republikës me atë që ai e cilësoi si “skriptën e Lëvizjes Vetëvendosje”.

Ndërkohë, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka folur për seancën e 8 gushtit dhe mënyrën se si u thirr e njëjta, njofton Klankosova.tv

Ajo ka thënë se deputetët e PDK-së kanë marrë pjesë në atë seancë për të parë se deri ku do të shkonte procesi dhe se më pas nuk është propozuar emri për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit.

“E kanë thirrë më 8 gusht seancën edhe besoj është shumë e thjeshtë me e zbërthy skenarin që ne, nëse s’kishim shkuar atë ditë, e kish propozuar një emër edhe kish thënë nuk është opozita këtu me propozuar nënkryetarët për me konstituar Kuvendin”, ka deklaruar Hoxha.

Ajo ka shtuar se çështja mbetet për t’u diskutuar, veçanërisht sa i përket afateve kushtetuese dhe rregullores së Kuvendit.

Duke folur për situatën aktuale, Hoxha ka theksuar se mbetet e paqartë se çfarë ndodh në rast se Kuvendi nuk arrin të konstituohet.

Po ndodh...