Momente frike/ Ish-ylli i Arsenalit përfundon në spital pas përplasjes brutale

15 August 2026, 16:18 / SPORT ALFA PRESS
Momente frike/ Ish-ylli i Arsenalit përfundon në spital pas

Ish-mesfushori i Arsenalit, Francis Coquelin, është dërguar me urgjencë në spital pas një përplasjeje të rëndë kokë më kokë gjatë një ndeshjeje në Francë.

Coquelin, 35-vjeçar, u rikthye këtë verë te klubi i vendlindjes së tij, Laval, duke iu bashkuar skuadrës së Ligue 2 si lojtar i lirë. Ky transferim u konsiderua si një rikthim emocional, pasi ai ishte larguar nga akademia e Lavalit 18 vjet më parë për t’iu bashkuar Arsenalit.

Pas debutimit në humbjen 3-1 ndaj Rodez AF, Coquelin u paraqit për herë të dytë me Lavalin në ndeshjen e radhës, por aventura e tij në fushë mori një kthesë të frikshme.

Në minutat e para të takimit, francezi u përplas fuqishëm kokë më kokë me Wilitty Younoussën, i cili po zhvillonte debutimin e tij me Nantes.

Përplasja ishte aq e rëndë sa që ekipet mjekësore u detyruan të ndërhynin menjëherë. Të dy futbollistët u nxorën nga fusha me barela, ndërsa për incidentin raportohet se u angazhua edhe Kryqi i Kuq Francez.

Coquelin, fatmirësisht, ishte i vetëdijshëm pas përplasjes, por u dërgua në spital për t’iu nënshtruar ekzaminimeve dhe skanimeve të nevojshme.

Sipas raportimeve fillestare, ish-lojtari i Arsenalit mund të ketë pësuar frakturë në kockën rreth syrit, dëmtim që potencialisht mund ta lërë jashtë fushave për disa muaj.

Një rikthim që duhej të ishte emocional për Coquelin në klubin e tij të fëmijërisë, tashmë rrezikon të kthehet në një periudhë të gjatë rehabilitimi.

Po ndodh...