Ndezën zjarre në Kombinat dhe Prush, arrestohen dy të dyshuar

30 September 2026, 13:04 / AKTUALITET ALFA PRESS

Tiranë

Arrestohen 2 autorët e dyshuar të zjarrvënieve në Kombinat dhe në fshatin Prush.

Njëri prej tyre kishte thyer masën e sigurisë për 2 vepra penale, kishte me vete mjet prerës dhe tentoi t’iu ikte efektivëve sapo ndezi zjarrin.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, të kryera në zbatim të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për parandalimin e rasteve të zjarrvënieve, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan autorët e 2 rasteve në këtë fushë. Konkretisht, u arrestuan shtetasit:

-E. K, 49 vjeç, pasi dyshohet se iu ka vënë zjarrin, disa mbeturinave në sheshin “Garibaldi” në zonën e quajtur “Kombinati”. Shtetasi, sapo ka konstatuar shërbimet, ka tentuar të largohet.
Nga kontrolli fizik, 49-vjeçarit iu gjet një mjet prerës (thikë), i cili u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, ndërkaq nga verifikimet rezultoi se ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për vjedhje dhe për posedim të kundërligjshëm të armëve të ftohta;

-Sh. H., pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në sipërfaqen e tokës në pronësi të tij, në fshatin Prush, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë dëmtuar sipërfaqe kodrinore të fshatit, si dhe janë djegur pisha, bimësi e egër dhe pemë të tjera.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon në mënyrë të përsëritur, për të gjithë qytetarët që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, pasi pasojat mund të jenë të rënda për jetën, shëndetin dhe pronën e tyre. Veçanërisht, Policia apelon për banorët që djegin mbetje apo synojnë të pastrojnë sipërfaqet e tokave nëpërmjet djegies, që të shmangin këto praktika, pasi mund të shkaktojnë përhapjen e pakontrolluar të zjarreve dhe sjellin pasoja penale sipas parashikimeve ligjore.

Po ndodh...

ide