Ndodh edhe në Itali! Zhduken 5 milionë euro verë

10 October 2026, 23:05 / BOTA ALFA PRESS
Ndodh edhe në Itali! Zhduken 5 milionë euro verë

Ngjarja ka ndodhur në Toskanë, në magazinat e kompanisë Marchesi Antinori, prodhuesit më të madh familjar të verës në Itali, me një histori që nis që prej vitit 1385.

Sipas Financial Times, shtatë persona të maskuar kanë hyrë gjatë natës së të shtunës në magazinën e kompanisë në Cortona, pasi kanë çaktivizuar sistemin e alarmit.

Grabitësit kanë përdorur dy kamionë të mëdhenj për të transportuar mijëra kuti me disa prej verërave më të shtrenjta italiane, përfshirë Tignanello, Solaia dhe Guado al Tasso.

Çmimi i një shisheje të vjedhur varion nga 150 deri në 500 euro, çka e bën këtë një nga grabitjet më të mëdha të verës të regjistruara ndonjëherë.

Ajo që e bën edhe më të pazakontë ngjarjen është fakti se vjedhja është kryer pikërisht në momentin kur kompania po përgatitej të eksportonte një sasi të madhe të verërave të saj më të vlefshme drejt tregjeve ndërkombëtare.

Zhdukja e shisheve është zbuluar vetëm mëngjesin e së hënës, kur punonjësit janë kthyer në magazinë dhe kanë konstatuar mungesën e tyre.

Kamerat e sigurisë kanë regjistruar grabitjen, ndërsa policia italiane ka nisur hetimet. Deri tani nuk raportohet për persona të arrestuar.

Renzo Cotarella, drejtori ekzekutiv i Antinori, është shprehur se mbetet e vështirë të kuptohet se si një sasi kaq e madhe vere mund të zhduket pa lënë gjurmë.

“Dy kamionë nuk mund të zhduken kaq lehtë”, ka deklaruar ai, duke shprehur shpresën se shishet do të gjenden.

Kompania u ka bërë thirrje tregtarëve dhe koleksionistëve të tregohen të kujdesshëm ndaj ofertave të dyshimta, pasi një pjesë e verës së vjedhur mund të përfundojë në treg me çmime shumë më të ulëta se vlera reale.

Grabitja në Toskanë nuk është një rast i izoluar. Gjatë muajve të fundit, Italia është përballur me një seri vjedhjesh të verërave të shtrenjta, ku autorët duket se kanë njohuri të hollësishme për produktet që synojnë.

Këtë verë, nga magazinat e prodhuesit Banfi di Montalcino u vodhën rreth 3 mijë shishe verë, ndërsa muajin e kaluar katër persona grabitën një sasi të ngjashme verërash Barolo nga kompania Conterno Fantino, duke përdorur një pirun ngritës për ngarkimin e tyre.

Në një tjetër rast, dy persona të veshur si punonjës arritën të vidhnin nga një restorant i njohur në Milano shishe vere Romanée-Conti me vlerë rreth 280 mijë euro.

Megjithatë, grabitja e Antinori konsiderohet më e madhja e këtij lloji në Itali, si për numrin e shisheve, ashtu edhe për vlerën financiare.

Për kompaninë, dëmi nuk është vetëm ekonomik. Antinori, e cila realizon rreth 263 milionë euro të ardhura vjetore dhe eksporton në 170 vende, e konsideron ngjarjen një goditje të rëndë ndaj një biznesi me histori më shumë se gjashtëshekullore.

Hetuesit po përpiqen të zbulojnë se ku kanë përfunduar dy kamionët me verë, ndërsa një nga pistat e hetimit lidhet me mundësinë e përfshirjes së personave që njihnin mirë funksionimin e magazinës dhe vlerën e produkteve. /skyweb.al

Po ndodh...

ide