Ndotja kërcënon ambicien e Shqipërisë për t’u kthyer në një destinacion turistik në Adriatik

5 August 2026, 10:17 / AKTUALITET ALFA PRESS
Ndotja kërcënon ambicien e Shqipërisë për t’u

Sipas një analize të Reporter.al, ndotja po kthehet në një nga kërcënimet më serioze për turizmin shqiptar, duke rrezikuar të zbehë imazhin e vendit si destinacion turistik dhe të dëmtojë një nga sektorët kryesorë të ekonomisë.

Në analizë evidentohet se ndotja e plazheve, shkarkimi i ujërave të zeza, mungesa e impianteve të trajtimit dhe menaxhimi i dobët i mbetjeve vijojnë të mbeten probleme të pazgjidhura përgjatë vijës bregdetare shqiptare. Situata, sipas ekspertëve të cituar, është përkeqësuar vitet e fundit, ndërsa rritja e shpejtë e turizmit ka ushtruar presion mbi një infrastrukturë që nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm zhvillimi.

Reporter.al sjell edhe shqetësimet e pushuesve, të cilët ankohen për mbeturinat në plazhe dhe ndotjen e ujit, duke theksuar se këto probleme po ndikojnë në zgjedhjen e destinacioneve për pushime.

Analiza ndalet edhe te raporti i Agjencisë Evropiane të Mjedisit, sipas të cilit Shqipëria renditet e fundit në Evropë për cilësinë e ujërave të plazheve. Vetëm 16.8% e plazheve shqiptare janë vlerësuar me cilësinë “shkëlqyeshëm”, ndërsa një pjesë e konsiderueshme klasifikohen me cilësi të dobët, shumë mbi mesataren evropiane.

Sipas ekspertëve të cituar nga Reporter.al, ndotja lidhet kryesisht me shkarkimin e ujërave të zeza të patrajtuara, mungesën e investimeve në impiantet e trajtimit, urbanizimin e pakontrolluar të bregdetit dhe menaxhimin e dobët të mbetjeve. Ata kërkojnë investime urgjente në rrjetet publike të kanalizimeve, forcimin e monitorimit të ujërave dhe zbatimin rigoroz të legjislacionit mjedisor.

Në përfundim, analiza paralajmëron se nëse këto problematika nuk adresohen me prioritet, Shqipëria rrezikon të humbasë avantazhin konkurrues që ka ndërtuar vitet e fundit në sektorin e turizmit, në një kohë kur ekonomia e vendit po mbështetet gjithnjë e më shumë te ky sektor.

Po ndodh...

ide

Nga Ardi Stefa 17:39 IDE

Prova

Nga Ardi Stefa