Nga “Refleksionet” te represioni: Rama përballë brezit të ri që nuk ka më frikë

Në gjysmën e dytë të vitit 1991, së bashku me Ardian Klosin, Edi Rama botoi librin Refleksione, një përmbledhje shkrimesh dhe ndërhyrjesh publike që trajtonin përvojën e ndryshimeve demokratike.
Në libër, autorët shprehnin shqetësimin se rrëzimi i sistemit komunist nuk garantonte automatikisht çlirimin nga mendësitë autoritare dhe se pluralizmi mund të shndërrohej në një garë të re për kontrollin e pushtetit.
Një nga paralelet më domethënëse me krizën e sotme gjendet kur Rama kujton se si, në dhjetor 1990, Ramiz Alia, duke dalë në televizion dhe duke i dënuar studentët si huliganë dhe vandalë, preu përfundimisht nyjën gordiane të përplasjes mes studentëve dhe pushtetit.
Në kapitullin “Në ditët kur lindi partia”, Rama shkruante: “Konfrontimi me policinë e bënte të pamundur këtej e tutje harresën që mund t'i kthente gjërat në statu quo-në gjysmëshekullore. Ata guxuan dhe panë që në krahun tjetër nuk kishte Perëndi të paprekshme, por njerëz pa ideale. Frika u vra dhe lufta filloi.”
Ky mekanizëm psikologjik ndihmon të kuptohet edhe përplasja e sotme mes protestuesve dhe Ramës. Përplasja me policinë mund të ndryshojë rrënjësisht marrëdhënien e protestuesve me autoritetin, duke shndërruar frikën në zemërim dhe duke e bërë gjithnjë e më të vështirë rikthimin në gjendjen e mëparshme.
Pikërisht këtu qëndron paradoksi historik.
Politikani që dikur e kuptonte se përdorimi i forcës mund të shkatërronte frikën dhe të përshpejtonte revoltën, sot drejton një qeveri që përballet me të njëjtën dilemë të menaxhimit të pakënaqësisë rinore.
Në reagimin ndaj protestave, Rama duket se po përpiqet ta zhvendosë betejën politike nga Tirana në Bruksel. Nuk është pa domethënie që për daljen publike zgjodhi si sfond zyrën e shkatërruar të Kolegjit të Europës. Simbolika ishte e fortë dhe audienca e synuar dukej qartësisht europiane.
Pas kritikave ndërkombëtare, pamjet e shkatërrimit të ambienteve ku ndodheshin zyrat e një institucioni të lidhur me integrimin europian i jepnin mundësinë të ringjallte formulën e vjetër të stabilokracisë, sipas së cilës Europa duhet të zgjedhë mes një pushteti që premton stabilitet dhe një alternative që paraqitet si kaos.
Paradoksi është se Rama kërkon t'i bindë europianët se qeverisja e tij është garancia kundër destabilizimit, ndërkohë që protestuesit po i kërkojnë llogari pikërisht për mënyrën e tij të qeverisjes.
Ky pretendim për stabilitet vihet në pikëpyetje nga përhapja e protestave dhe e dhunës përtej Tiranës në ditën e tretë, duke cenuar vetë premisën mbi të cilën mbështetet kjo narrativë.
Mekanizmi që kryeministri ka zgjedhur njihet si sekuritizim i krizës: shndërrimi i një problemi politik në kërcënim për rendin dhe sigurinë publike.
Në vend që të diskutohen shkaqet dhe përgjegjësitë e qeverisë, vëmendja përqendrohet te vandalizmi, arrestimet dhe ndërhyrjet policore. Në këtë mënyrë, qeveria përpiqet të fitojë mbështetje për masa shtrënguese duke e paraqitur veten si garantuese të rendit përballë kaosit.
Por kjo përpjekje ndërlikohet kur ndërhyrja policore perceptohet si disproporcionale dhe si përshkallëzim i panevojshëm i tensioneve. Në këto kushte, ndërhyrja policore rrezikon të marrë karakter ndëshkues.
Në vend që të parandalojë incidentet, të shtensionojë situatën dhe të garantojë sigurinë e të gjithëve, policia rrezikon të sillet si palë në konflikt, duke i trajtuar protestuesit si kundërshtarë dhe jo si qytetarë me të drejta kushtetuese.
Dhe nëse konflikti bëhet mes policisë dhe qytetarëve, arrihet ajo pikë nga e cila gjërat nuk kthehen dot më atje ku ishin, siç thoshte Rama në vitin 1991.
Kjo lloj përplasjeje mes studentëve dhe policisë nxjerr në pah dallimin që bën filozofja politike Hannah Arendt mes pushtetit politik dhe dhunës. Sipas saj, pushteti buron nga aftësia e njerëzve për të vepruar së bashku dhe nga mbështetja kolektive që i jep autoritet institucioneve.
Dhuna, përkundrazi, është një mjet shtrëngimi që mund të imponojë bindjen, por nuk mund të krijojë legjitimitet politik. Madje, përdorimi gjithnjë e më i madh i forcës mund të tregojë se pushteti po humbet mbështetjen që e mban në këmbë.
Një qeveri mund të përdorë policinë, gazin lotsjellës dhe arrestimet për të rivendosur rendin publik, por këto mjete nuk mund të zgjidhin pakënaqësitë që i kanë nxjerrë qytetarët në protestë.
Përdorimi i forcës mund ta dekurajojë pjesëmarrjen përmes frikës, por mund të krijojë edhe solidaritet të ri e të shtojë zemërimin. Ky është efekti i kundërt i represionit: ndërhyrjet policore, në vend që ta shuajnë revoltën, e përshkallëzojnë atë, sepse dhuna e perceptuar si e padrejtë revolton edhe të tjerët.
Në protestën e studentëve, përdorimi i forcës mund të vërë në lëvizje një zinxhir reagimesh që e zgjeron protestën përtej radhëve të tyre. Dhuna ndaj të rinjve mund të revoltojë prindërit, pedagogët dhe qytetarë që deri atëherë kanë qëndruar indiferentë.
Pakënaqësia mund të përhapet përtej universiteteve e shkollave të mesme, ndërsa vetë sjellja e policisë mund të shndërrohet në një arsye të re proteste. Kështu, zemërimi i një grupi të rinjsh mund të kthehet në solidaritet të një brezi të tërë dhe, më pas, të shoqërisë.
Në një demokraci, qeveria ka përgjegjësinë kryesore për zgjidhjen politike të krizave që lindin gjatë qeverisjes së saj. Kjo kërkon dëgjimin e qytetarëve, pranimin e gabimeve, korrigjimin e politikave dhe, kur kriza e besimit thellohet, gatishmërinë për të marrë përgjegjësi deri në dorëheqje. Përgjegjësia politike është më e gjerë se ajo penale.
Një kryeministër nuk ka nevojë të dënohet nga gjykata që të mbajë përgjegjësi për dështimet e qeverisjes apo humbjen e besimit publik.
Protestat e sotme e vendosin Edi Ramën përballë kontradiktës më të madhe të historisë së tij politike.
Dikur, ai paralajmëronte se ndryshimi i regjimit nuk mjaftonte për të çrrënjosur mendësinë autoritare. Sot, pas më shumë se një dekade në krye të qeverisë, përballet me një brez që nuk e sheh më pushtetin si një institucion që e dëgjon, por si një autoritet që duhet sfiduar për t'u marrë seriozisht.
Prova vendimtare e qëndrimit të tij ndaj protestës është sa i gatshëm është ta respektojë atë kur sfidohet pushteti i vet.
Refleksionet e vitit 1991 tingëllojnë si një paralajmërim që autori ia kishte bërë, pa e ditur, vetes.
Ndoshta ironia më e hidhur e kësaj historie është se njeriu që dikur sfidonte paprekshmërinë e pushtetit, sot rrezikon të mbahet mend për përpjekjen për ta bërë të paprekshëm pushtetin e vet./exit
Po ndodh...
ide
Rinia e burgosur mes PS dhe PD, po shpërthen!
Flamingot në 137 ditë u kthyen në shqiponja
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
