ONE Albania/ ‘Jeniçeri’ i Viktor Orbánit kërkon strehë te Edi Rama

26 August 2026, 12:25 / POLITIKË ALFA PRESS
ONE Albania/ ‘Jeniçeri’ i Viktor Orbánit kërkon

Ndërsa Budapesti kontrollon financimet dhe kontratat e 4iG, Gellért Jászai kërkon të zgjerohet nga ONE Albania drejt energjisë dhe industrisë shqiptare të mbrojtjes.

Gellért Jászai nuk erdhi në Tiranë vetëm për të folur mbi gjendjen e ONE Albania. Drejtuesi dhe pronari kryesor i 4iG diskutoi me Edi Ramën mundësi të reja investimi, ndërsa zhvilloi takime të tjera për industrinë e mbrojtjes dhe sektorin energjetik. Vizita ndodhi pikërisht kur ‘NER’, grupi financiar i privelegjuar gjatë qeverisjes së Viktor Orbánit po humb mbështetjen politike në Hungari.

Kryeministri hungarez Péter Magyar e quan 4iG “anijen mëmë të fshehtë të NER-it”, sistemit ekonomik që Orbáni ngriti rreth pushtetit të tij. Ai e përfshiu Jászain mes oligarkëve dhe “jeniçerëve” që, sipas tij, përfituan pasuri publike dhe kontrata shtetërore. Magyar u kërkoi të kthejnë vullnetarisht atë që nuk u përket dhe paralajmëroi se qeveria do të përdorë ligjin për të rikuperuar paratë dhe asetet publike.

Qeveria hungareze ka urdhëruar kontrollin e marrëdhënieve financiare dhe kontraktore mes shtetit dhe 4iG. Grupi deklaron se ka vepruar në përputhje me ligjin dhe se do të bashkëpunojë. Kontrolli nuk ka dhënë ende përfundime, ndaj akuzat e Magyarit mbeten qëndrime politike. Megjithatë, dokumentet e publikuara më herët tregojnë se shteti hungarez luajti rol vendimtar në zgjerimin e 4iG.

Direkt36 zbuloi se Eximbank dhe një tjetër strukturë me kapital shtetëror investuan 37 miliardë forinta në një fond të lidhur me Jászain. Paratë kaluan më pas drejt strukturave të 4iG që blenë kompani hungareze të industrisë së mbrojtjes. Viktor Orbáni e emëroi Jászain edhe ambasador të jashtëzakonshëm për zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të biznesit, pa e larguar nga drejtimi i kompanisë.

Në Shqipëri, 4iG bleu ONE Telecommunications dhe mbi 80 për qind të Albtelecomit. Bashkimi i tyre e uli tregun celular nga tre operatorë në dy dhe i dha grupit hungarez kontroll mbi frekuenca, rrjete fikse, fibra optike dhe pjesë strategjike të infrastrukturës kombëtare. Sipas vetë 4iG, ONE Albania zotëron mbi gjysmën e tregut celular.

Tani, kur Budapesti po kontrollon burimet që ushqyen ngritjen e 4iG, Jászai kërkon hapësira të tjera në Shqipëri. Sipas medias hungareze Privátbankár, ai i paraqiti Ramës mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit. Jászai shprehu gatishmërinë që 4iG Space and Defence Technologies të marrë rol strategjik në zhvillimin e industrisë shqiptare të mbrojtjes. Ai diskutoi edhe projekte energjetike dhe disa fusha konkrete bashkëpunimi me përfaqësues të qeverisë.

Burimet e publikuara nuk provojnë se Rama i ka dhënë kontrata ose fonde 4iG. Ato konfirmojnë takimet, sektorët e diskutuar dhe synimin e grupit për të zgjeruar praninë. Pikërisht për këtë arsye, qeveria duhet të publikojë axhendën, propozimet dhe çdo dokument që palët kanë shkëmbyer.

A po kërkon 4iG kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes? A synon të hyjë në kompanitë shtetërore të industrisë ushtarake? Cilat projekte energjetike diskutoi Jászai? A ka paraqitur kërkesa për financim, garanci shtetërore, status investitori strategjik ose partneritet publik privat?

Qeveria duhet të sqarojë edhe mënyrën se si 4iG financoi blerjet shqiptare. A ka vendosur grupi aksionet, rrjetet ose të ardhurat e ONE Albania si garanci për borxhet e tij? Sa para transferon operatori drejt kompanisë mëmë dhe sa investon në mirëmbajtjen e rrjetit shqiptar?

Këto pyetje marrin peshë përballë ndërprerjeve të shërbimit dhe ankesave të abonentëve. Një operator që kontrollon mbi gjysmën e tregut nuk mund të trajtohet si biznes privat pa ndikim publik. Çdo problem financiar, teknik ose pronësor i tij prek komunikimet e qytetarëve, kompanive dhe institucioneve shtetërore.

AKEP duhet të kontrollojë gjendjen teknike dhe financiare të ONE Albania. Autoriteti i Konkurrencës duhet të rishikojë pasojat e bashkimit me Albtelecomin. Institucionet e sigurisë duhet të vlerësojnë varësinë e rrjetit strategjik nga një grup që po përballet me kontroll të gjerë shtetëror në Hungari.

Jászai e ndërtoi perandorinë e tij nën çatinë e Orbánit. Tani që Budapesti po i mbyll arkën dhe po i hap dosjet, ai shfaqet krah Ramës dhe kërkon të kalojë nga telefonia shqiptare te energjia dhe industria e mbrojtjes.

Shqipëria nuk mund të bëhet arka zëvendësuese e 4iG. Para se Rama t’i hapë Jászait sektorë të tjerë strategjikë, duhet të tregojë çfarë marrëveshjeje ka bërë me të për ONE Albania dhe rrjetin shqiptar./Pamfleti

 

Po ndodh...