""Luftë" mes socialistëve në Kukës", reagon Shalsi: Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen në Kukës

20 Shkurt 2025, 15:25 / POLITIKË ALFA PRESS

""Luftë" mes socialistëve në Kukës",

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Kukës, Eduard Shalsi reagoi sot ndaj një statusi të publikuar dje në rrjetet sociale nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

“Sali Berisha, kjo rrangallë politike. I kërrusur – jo nga pesha e moshës, por nga damka e “non grata”-s; i sfilitur – jo nga betejat politike, por nga turpi me të cilin ka mbuluar veten e partinë e tij; i hallakatur mendërisht nga braktisja e atyre që dikur i kishte mbështetës; shumë i trembur nga fakti që për herë të parë në jetën e tij po përballet me drejtësinë, Sali Berisha tentoi dje të më përfshinte, duke i vendosur postimit të tij edhe një titull të neveritshëm, në një ngjarje në Kukës, me rrethanat e së cilës nuk kam asnjë lloj lidhjeje”, thekson Shalsi.

Ai shton se “është kjo gërdallë politike që shantazhoi sistemin e drejtësisë kur pushteti i tij vrau në mes të bulevardit 4 qytetarë të pafajshëm apo mori 28 jetë njerëzish në Gërdec. Është kjo gërdallë politike që ka kërkuar të mbjellë urrejtje e armiqësi mes shqiptarëve gjithmonë duke përdorur një gjuhë banale e vulgare”.

“Nuk mendoj se Sali Berisha meriton t’i përgjigjem seriozisht. Edhe në kulmin e pushtetit të tij e kam konsideruar si njeri krejtësisht të pazotin për të qeverisur Shqipërinë; të pakulturuar për të shërbyer si model për shqiptarët; të papërgatitur për të udhëhequr vendin; primitiv e tribal në sjellje e krejtësisht të paaftë për të mbajtur fjalime që do të frymëzonin njerëzit; plotësisht i zhytur në padije, gjë për të cilën nuk ka qenë kurrë i vetëdijshëm”, vijon Shalsi.

“Në finale të jetës së vet, është i dënuar të kuptojë se sa i turpshëm është fundi i tij dhe ky është makthi me të cilin duhet të mësojë të jetojë tani e sa kohë”, përfundon reagimin e tij Eduard Shalsi.

Berisha publikoi dje një mesazh nga një qytetar, sipas të cilit Shalsi “shkarkon kryetarin e PS-së, Kukës, Has dhe Tropojë”, duke shtuar se ka provokuar rrahje brenda klanit të kryetarit të Bashkisë dhe PS Kukës, Albert Halili.

Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja tronditëse sot në Kukës, ku një drejtor i bashkisë plagosi rëndë një të afërm të kryetarit të bashkisë së këtij qyteti, Albert Halili.

29-vjeçari Elvis Halili u plagos nga Zenel Muçmata, i cili e ndoqi me makinë dhe e plagosi pranë shtëpisë së tij.

Raportohet se zanafilla e sherrit është caktimi i kryebashkiakut Albert Halili si kryetar i PS-së në Kukës.

Eduard Shalsi, i dërguari i PS për Kukësin, nuk e ka pranuar një gjë të tillë. Ai madje u ka bërë me dije ndjekësve se Halilaj do shkarkohet si kryetar përmes një SMS-je.

“Pas disa bisedave me disa kryetarë njësish administrative që kanë marrë porosi të veçantë nga kryetari, z. Halili që të mbështesin akoma edhe me fort PS-në dhe mua personalisht, gjë për të cilën i shpreh mirënjohjen, ju bëj me dije se drejtimin e Partisë Socialiste në Kukës, do ta marr vetë deri në 11 maj. Vetëm në raste të jashtëzakonshme kryetari i bashkisë mund të jete edhe kryetar i partisë (në të gjithë Shqipërinë janë 1 ose 2 raste). Le të japim më të mirën dhe të vijojmë pa u lodhur përpjekjet tona për një rezultat që të na bëjë të gjithëve krenarë. Mbrëmje të qetë dhe mos harroni - diasporën!”, thuhet në mesazhin e Shalsi.

Autori i plagosjes së sotme, Zenel Muçmata, drejtor në bashki prej disa kohësh, njihet si krahu i Shalsit dhe ka një hotel në Kukës ku është akomoduar edhe Shalsi.

Por ditën e sotme, tensionet janë përshkallëzuar dhe njerëzit e Albert Halilit kanë dhunuar barbarisht Muçmatën, të cilin e kishin shkarkuar para një jave nga detyra. Ky i fundit pasi është armatosur, ka ndjekur dhe ka plagosur të afërmin e Halilit.

Mësohet se i plagosuri Elvis Halili është dërguar në spital për kurim dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Policia nga ana e saj, edhe pse kanë kaluar shumë orë nga ngjarja e rëndë, nuk ka bërë një reagim se kush është autori i këtij krimi kaq të rëndë.

Po ndodh...

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128