Nëse drejtësia kontrollohet nga Edi Rama, si ka mundësi që gjyqi i Ervin Salianjit është bllokuar në Apel prej 3 muajsh?!

26 Janar 2024, 13:34 / POLITIKË ALFA PRESS

Nëse drejtësia kontrollohet nga Edi Rama, si ka mundësi që
Ervin Salianji është një ndër deputetët më të zhurmshëm të grupimit të Gazment Bardhit. Me ambicie të pakufshme në proporcion të zhdrejtë me aftësitë e tij, ai e projekton veten si zëvendës të Berishës në krye të grupit.

Një gjë e tillë, ndihmohet, herë me humor, herë me një seriozitet të allasojshëm, nga deputetë të llojit Gjekmarkaj, i cili ia përkëdhel sedrën djalit riosh, kur i thotë se ai mund të bëhet lider dhe mund të jetë një figurë për të zëvendësuar Berishën në krye.

Nëse Gjekmarkaj e ka seriozisht një gjë e tillë, do të ishte një problem i madh për perceptimin publik, por nëse presoriqoftedashës Goni e ka si ato akrobacitë e tij një herë me Bashën-një herë me Berishën-pastaj as me Bashën-por me Berishën, kjo ka të bëjë me dinjitetin e presorit të famshëm të bejteve të përjavshme nga Kuvendi i Shqipërisë.

Salianji doli sot në një deklaratë për mediat dhe foli për amnistinë, duke hedhur poshtë zërat se grupimi i Gazment Bardhit është futur në pazar me Edi Ramën për një gjë të tillë, duke thënë se “nuk hyj tek ata që cenojnë dinjitetin, nuk bëj asnjë kompromis me asnjë nga akuzat, bandit, kriminel mafioz...”

Në fakt, pazari i Gazment Bardhit u pranua nga vetë ai dhe u iniciua nga Ferdinand Xhaferraj, i cili në mënyrë nominale përmendi rastin e deputetit Ervin Salianji.

Gjithsesi, kjo është çështje tjetër.

Duhet përmendur se kjo deklaratë e deputetit Salianji vjen dy ditë pasi ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi në një emision televiziv se krimet “kundër drejtësisë” nuk përfshihen në amnistinë e përgatitur nga qeveria.

Ashtu sikurse duhet përmendur fakti se vetë socialistët janë të përçarë përsa i përket rastit të Salianjit, sepse një pjesë me Ramën në krye u intereson ky pazar me deputetët e opozitës, për t’i mbajtur dhe për t’i pasur peng në të ardhmen, ndërsa është një grup tjetër i Fatmir Xhafajt dhe deputetët mbështetës të Erjon Veliajt, që nuk e kanë pranuar këtë pazar.

Pavarësisht kësaj, deputeti Salianji duhet të sqarojë për publikun diçka: nëse Gjykatat janë nën urdhrat politikë të Edi Ramës dhe të pushtetit, si ka mundësi që gjyqi i tij në Apel prej tre muajsh është bllokuar dhe nuk është zhvilluar asnjë seancë tjetër?

Nëse drejtësia është nën kontrollin e Edi Ramës dhe të pushteti, si ka mundësi që edhe ato pak seanca që u zhvilluan, thjesht u shtynë, dhe nuk u diskutua asgjë lidhur me çështjen?

Nëse Ervin Salianji nuk është në pazar me Edi Ramën dhe me pushtetin, si ka mundësi që nuk zhvillohet gjyqi normalisht, ashtu sikurse zhvillohet për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, që nuk kanë imunitet dhe nuk kanë mundësi për të hyrë në pazar me qeverinë?

Nëse Salianji u përgjigjet këtyre pyetjeve dhe nëse mendon se gjithçka është politike, le të kërkojë që çështja të gjykohet dhe të marrë pafajësinë në gjykatë, pastaj të dalë e të flasë për dinjitet dhe për politikë.

 

Po ndodh...

ide