Riatdhesohen 5 shqiptarë nga Siria, nis procesi i rehabilitimit dhe riintegrimit

26 August 2026, 08:58 / AKTUALITET ALFA PRESS

Riatdhesohen 5 shqiptarë nga Siria, nis procesi i rehabilitimit dhe

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi përfundimin me sukses të një tjetër operacioni riatdhesimi nga Siria. Më 26 gusht 2026, në Shqipëri u kthyen vullnetarisht pesë shtetas shqiptarë, gra dhe fëmijë, pas një procesi të koordinuar mes institucioneve shqiptare, përfaqësive diplomatike dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.

Sipas MEPJ-së, pas mbërritjes në atdhe, të riatdhesuarit do t’i nënshtrohen vlerësimeve shëndetësore dhe psikosociale, ndërsa institucionet do të vijojnë punën për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.

“Riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nga zona të prekura nga konflikti është shprehje e përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të vet, edhe në rrethana të vështira dhe komplekse. Kthimi i tyre në atdhe përmbyll një fazë të rëndësishme të këtij procesi, por jo përgjegjësinë institucionale ndaj tyre. Pas mbërritjes në Shqipëri, shtetasve të riatdhesuar do t’u ofrohet asistenca e nevojshme dhe do të kryhen vlerësimet shëndetësore dhe psikosociale. Institucionet përgjegjëse do të vijojnë në mënyrë të koordinuar punën për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri”, njofton MEPJ.

Ministria falënderoi të gjitha strukturat shqiptare dhe autoritetet e huaja, veçanërisht ato siriane, për bashkëpunimin që mundësoi kthimin e sigurt të shtetasve. Task-Forca ndërinstitucionale do të vijojë angazhimin për riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë nga zonat e konfliktit, sa herë që krijohen kushtet e nevojshme për kthimin e tyre të sigurt. 

Po ndodh...