Rrezikonte varje për trafikimin e 1 ton droge/ Shqiptari i shpëton dënimit me vdekje në Kinë: Jam mirë, mos u shqetësoni

4 October 2026, 20:24 / AKTUALITET ALFA PRESS
Rrezikonte varje për trafikimin e 1 ton droge/ Shqiptari i shpëton

Klaudio Kanani, shqiptari nga Tepelena që rrezikonte dënimin me vdekje në Kinë për trafik droge, ka shpëtuar nga dënimi kapital. Gjykata e Apelit në provincën Guangdong ka rrëzuar kërkesën e prokurorisë për ekzekutimin e tij dhe ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, që e dënon me 25 vite burg.

Në një video të siguruar së fundmi, Kanani shfaqet për herë të parë duke komunikuar nga burgu dhe u përcjell një mesazh familjarëve të tij.

“Mos u bëni merak, jam mirë me shëndet. Më ka marrë malli për ju. Unë këtu jam mirë, por normalisht si në burg. Ju mos u shqetësoni për asnjë gjë, sepse unë nuk është se kam probleme, jam mirë”, shprehet ai.

Kanani u shpall fajtor për trafikimin e rreth 1 ton droge të nisur nga Hong Kongu. Vendimi i Apelit u komunikua pak ditë më parë në qendrën e paraburgimit në Guangzhou.

Në të njëjtën çështje, dy shtetas kinezë të bashkëakuzuar me shqiptarin janë dënuar me ekzekutim me varje, ndërsa për dy të tjerë është dhënë dënimi me pushkatim publik.

Shpëtimi i Kananit nga dënimi kapital erdhi pas përpjekjeve diplomatike të autoriteteve shqiptare. Në këtë çështje u përfshinë ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, si dhe ambasadori shqiptar në Kinë, Riza Poda.

Tashmë, familja e Kananit kërkon që autoritetet shqiptare të ndërmarrin një tjetër hap, atë të transferimit të tij në Shqipëri për të vijuar këtu pjesën tjetër të dënimit.

Familjarët i janë drejtuar ministrave Ferit Hoxha dhe Toni Gogu, duke kërkuar nisjen e procedurave të nevojshme, bazuar në marrëveshjen e reciprocitetit mes Shqipërisë dhe Kinës për transferimin e personave të dënuar.

Po ndodh...