Selenica kundër shkrirjes me Vlorën, 19 vota unanime në Këshillin Bashkiak: Mos na bashkoni!

14 August 2026, 14:20 / POLITIKË ALFA PRESS

Këshilli Bashkiak i Selenicës është mbledhur këtë të premte në një mbledhje jashtë radhe për të kundërshtuar propozimin për bashkimin e kësaj bashkie me Bashkinë e Vlorës, në kuadër të reformës së re territoriale të propozuar nga mazhoranca socialiste.

Me 19 vota pro, këshilltarët e majtë dhe të djathtë janë shprehur kundër shkrirjes së Bashkisë së Selenicës dhe bashkimit të saj me Vlorën. Gjatë mbledhjes është theksuar se një ndryshim i tillë do të sillte largimin e shërbimeve nga qytetarët dhe do ta vështirësonte administrimin e zonave rurale.

Nga mbledhja, këshilltarët i kanë bërë thirrje deputetëve të qarkut, Vullnet Sinaj dhe Bujar Leskaj, që të shprehen kundër propozimit dhe të mos e mbështesin miratimin e reformës territoriale në këtë formë.

I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku i Selenicës, Nertil Bellaj, i cili ka paraqitur argumentet e tij në favor të ruajtjes së Bashkisë së Selenicës si njësi më vete, duke iu referuar kapaciteteve financiare, performancës ekonomike dhe nivelit të investimeve të realizuara ndër vite.

Sipas të dhënave të paraqitura prej tij, Selenica renditet ndër bashkitë me performancë të mirë në të ardhurat për frymë dhe në investimet për komunitetet, ndërsa borxhi publik i bashkisë është në nivel të ulët.

“Keni fituar besimin e banorëve të kësaj zone. Ashtu si ju dhe unë, nëpërmjet televizorit, ditët e fundit të korrikut e ditët e para të gushtit u njohëm me draftin e komisionit të reformës që Bashkia e Selenicës do t’i bashkohet Bashkisë së Vlorës. Pas lajmeve erdhi dhe një lajm tjetër, ku një prej deputetëve, duke dalë dhe duke firmosur dhe shprehur që këtë kërkesë kanë qenë e banorëve. Ka qenë e njerëzve që Selenica të bashkohet me Vlorën.

Kjo deklaratë na vuri në siklet të gjithëve, më vendosi edhe mua edhe ju këshilltarëve, që ne kemi dashur vetë që të shkojmë në Vlorë. Qëndrimi im zyrtar ka qenë, para se reforma të bëhet, të vijë drafti. Kudo ku kam pasur mundësi të flas, unë kam shprehur mendimin tim me argumenta pse duhet të qëndrojë Bashkia e Selenicës. Si detyrim ndaj popullit, këshilltarëve, unë po e përsëris edhe njëherë. Ndër pikat kryesore të reformës ishte kapacitetet financiare të bashkisë. Ne renditemi bashkia e 14 në Shqipëri me të ardhurat e veta për frymë, bashkia e 9 në Shqipëri ku shpenzimet që kryejmë i kemi për investim.

Ne investojmë për komunitetet tona, atje ku ka nevojë njerëzit dhe banorët. Ne jemi bashkia e 29 për funksionalitet, nuk renditemi as 47 apo e 61, renditemi të 29. Ky është një raport i bërë nga komisioni. Borxhi publik i Bashkisë Selenicë është 3.6%. Kemi performancë të mirë ekonomike, dhe bashkitë e para për diversitetin ekonomik. Ne kemi varësi nga të gjithë sektorët. Ne i kemi katërfishuar të ardhurat pa rritur barrën fiskale.", tha ai ndër të tjera.

Po ndodh...