Derdhje masive nafte në brigjet e Omanit, alarm për një katastrofë ekologjike

Një derdhje e madhe nafte në brigjet e Omanit po kërcënon ekosistemet detare dhe komunitetet që varen nga peshkimi, ndërsa autoritetet dhe ekipet ndërkombëtare po përpiqen të kufizojnë përhapjen e ndotjes.
Sipas analizës së imazheve satelitore nga Greenpeace, nafta është shpërndarë në disa zona dhe nuk formon një masë të vetme të vazhdueshme.
Deri më 4 gusht, sipërfaqja e prekur kishte arritur në rreth 600 kilometra katrorë, ndërsa autoritetet omaneze kanë paralajmëruar qytetarët të shmangin peshkimin në zonat e prekura dhe të raportojnë çdo shenjë të pazakontë ndotjeje.
Në tregje pritet gjithashtu të kryhen kontrolle të produkteve të detit për të evidentuar praninë e ndotësve.
Në operacionin e pastrimit dhe shpëtimit janë angazhuar anije dhe avionë, me më shumë se 100 tonë pajisje, ndërsa puna po vështirësohet nga kushtet e sezonit të musoneve.
Tankeri me 800 mijë fuçi naftë
Në qendër të incidentit ndodhet cisterna Caroline Bezengi, e cila thuhet se transportonte rreth 800 mijë fuçi naftë. Anija, e sanksionuar dhe e dyshuar se është pjesë e flotës së ashtuquajtur “në hije” të Rusisë, pësoi një incident të paqartë më 6 qershor në brigjet e Omanit dhe më 21 qershor u bllokua pranë ishullit Al-Qibliyya.
Shkaku i incidentit mbetet ende i paqartë. Disa vëzhgues të sigurisë kanë raportuar për një shpërthim në bord, ndërsa autoritetet nuk kanë përcaktuar përfundimisht se çfarë e shkaktoi dëmtimin e cisternës.
Derdhja u zbulua në javën e parë të korrikut dhe më pas u përhap me shpejtësi. Autoritetet omaneze kanë konfirmuar se nafta ka arritur edhe në tokë, duke prekur rreth 40 kilometra të vijës bregdetare të Ras Madraqës.
Rrezik për balenën e rrallë të Detit Arabik
Shqetësimi më i madh lidhet me pasojat ekologjike. Zona e prekur përfshin shkëmbinj koralorë, shtretër me bar deti dhe zona ku folezojnë breshkat e rrezikuara, ndërsa konsiderohet gjithashtu habitat i balenës së Detit Arabik, një prej specieve më të rralla të balenave në botë.
Ekspertët paralajmërojnë se, nëse nafta depërton në vijën bregdetare dhe sedimentet, pasojat mund të zgjasin për vite dhe të dëmtojnë rëndë ekosistemet dhe komunitetet që varen nga deti.
Ndërkohë, ndotja pritet të lëvizë drejt verilindjes dhe mund të prekë edhe ishullin Masirah.
Një tjetër derdhje në ishullin Qeshm
Një situatë e ngjashme është raportuar edhe më në veri, në Iran, ku një tjetër derdhje nafte ka prekur ishullin Qeshm në Ngushticën e Hormuzit.
Imazhet satelitore të analizuara nga BBC Verify sugjerojnë se ndotja mund të ketë ardhur pas një sulmi ndaj anijes Minoan Pioneer më 3 gusht. Nafta më pas është përhapur në një zonë të konsiderueshme të ngushticës.
Qeshmi është i pasur me mangrova, shkëmbinj koralorë dhe zona folezimi për breshkat e rrezikuara Hawksbill. Për këtë arsye, ekspertët paralajmërojnë për dëme të konsiderueshme ndaj biodiversitetit dhe komuniteteve lokale të peshkimit.
Incidentet e fundit kanë rikthyer në vëmendje edhe rrezikun që paraqet “flota në hije” e cisternave të naftës, të cilat shpesh janë anije të vjetra, me mirëmbajtje të dobët dhe me pronësi apo sigurim të paqartë. Në kushtet e konfliktit dhe sanksioneve ndërkombëtare, identifikimi i përgjegjësve dhe kompensimi për dëmet mjedisore bëhet edhe më i vështirë.
Po ndodh...
Pushtetit të Ramës nuk i mjafton më Berisha!
ide
Shenjat e një ndryshimi të padukshëm: Çarjet që po transformojnë Shqipërinë
Guximi është frika që zgjat një minutë më shumë
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128