Dhuna në familje zbulon arsenalin e fshehur, 5 kallëpë tritoli dhe 2 armë zjarri në banesat e dy të arrestuarve

14 August 2026, 10:18 / AKTUALITET ALFA PRESS

Dy raste të dhunës në familje kanë çuar në pranga dy persona në Lezhë dhe Kurbin, ndërsa kontrollet në banesat e tyre kanë zbuluar edhe armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë plasëse.

Policia sekuestroi gjithsej 5 kallëpë tritoli dhe dy armë zjarri, njëra prej të cilave ishte me fishek në fole. Të arrestuarit dyshohet se kishin ushtruar dhunë ndaj familjarëve të tyre.

"Lezhë; Kurbin. Ushtruan dhunë ndaj familjarëve të tyre në Lezhë dhe Kurbin, si dhe posedonin armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë plasëse, kapen dhe vihen në pranga dy shtetas.

Sekuestrohen 5 kallëpë tritoli, 2 armë zjarri (njëra me fishek në fole) dhe municion luftarak.

Vihen në pranga 2 shtetasit që mbanin në banesa sendet e kundërligjshme.

I arrestuari në Lezhë dhunoi bashkëshorten e vëllait, ndërsa i arrestuari në Kurbin dhunoi babanë.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale të kryera nga Policia e Lezhës dhe e Kurbinit, pas telefonatave për dhunë në familje, janë vënë në pranga shtetasit:

-Në Lezhë u arrestua në flagrancë shtetasi M. P., 33 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht bashkëshorten e vëllait. Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën 5 kallëpë tritoli, 1 armë zjarri (pushkë) dhe municion luftarak.

-Në Kurbin u arrestua në flagrancë shtetasi G. K., 48 vjeç, banues në Mamurras, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait. Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën të fshehura 1 armë zjarri (automatik), me fishek në fole, dhe municion luftarak.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme”, shkruan Policia.

Po ndodh...