Elbasani konstant, 20 javë i “ngjitur” pas vendit të pestë

25 Mars 2025, 14:13 / SPORT ALFA PRESS

Elbasani konstant, 20 javë i “ngjitur” pas vendit të

Elbasani është gati për të sfiduar ditën e nesërme skuadrën e Laçit, e cila do të luhet në transfertë. Në përballjen e parë verdheblutë ia kanë dalë që të marrin një barazim, një rezultat ky që do të shihej si i kënaqshëm nëse do të përsëritej, edhe pse verdheblutë normalisht do të tentojnë që të marrin maksimumin e mundshëm.

Mirëpo, në kushtet ku janë, një pikë do të mbante larg rivalin direkt për vendin e pestë, siç është Laçi. Bëhet fjalë për një pozicion që elbasanasit janë “abonuar” këtë edicion dhe sipas të gjitha gjasave, do të vijojë të jetë i tyre deri në fund.

POZICIONET – Elbasani mund të thuhet se është ndër të pakta ekipe që vijnë nga Superiorja dhe për asnjë moment nuk e kanë vënë në diskutim mbijetesën. Të paktën, po t’i referohemi viteve të fundit, ku skuadrat që vijnë nga e Para janë më të riskuarat të zbresin sërish. Elbasani është ajo skuadra që ka thyer këtë tabu, të paktën deri më tani, sepse kanë mbetur edhe gjashtë javë për t’u luajtur deri në mbyllje të edicionit.

“Panorama Sport” i ka bërë një skaner 30 javëve të verdhebluve në elitë, me pozicionet që kanë mbajtur në renditje. Mund të duket e çuditshme, por verdheblutë janë ndër ekipet më konstante të “Abissnet Superiore”, duke mos e bërë shpesh “ashensor” renditjen, por qëndruar thuajse në një vend. Sipas vëzhgimit, rezulton se në 20-të javë, skuadra e Elbasanit ka qenë e pozicionuar në vendin e pestë, pozicion që e mbajnë edhe aktualisht.

Në njëfarë mënyre, duket se “fati” i elbasanasve është i lidhur ngushtë me këtë vend në klasifikim. Nëse arrihej në fund të ruhej, mund të cilësohej pozitiv, edhe pse do të mbeteshin jashtë “Final 4”. Sa i përket vendeve të tjera, verdheblutë kanë qëndruar katër javë në vendin e tretë dhe tre javë në të katërtin. Sakaq, nga një javë kanë qëndruar më vendin e parë, të dytë dhe të gjashtë.

Bie në sy, se nuk kanë qenë asnjëherë poshtë vendit të gjashtë në renditje, çka tregon se nuk janë ndier për asnjë moment të rrezikuar sa i takon mbijetesës. Gjithsesi, i rëndësishëm është verdikti përfundimtar në kampionat dhe Elbasani do tentojë që së paku të mos e lëshojë më vendin e pestë.

 

Po ndodh...

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128