Sportistët e 'EUSACombat' denoncuan kushtet e këqija, Gonxhja: Pamjet online janë të pavërteta dhe keqinformuese
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar lidhur me disa postime të publikuara online mbi kushtet e akomodimit të sportistëve, që marrin pjesë në kampionatin EUSACombat – Tirana 2026.
Në reagimin e tij, Gonxhja i ka cilësuar pretendimet si të pasakta, duke theksuar se ato nuk pasqyrojnë situatën reale dhe krijojnë një panoramë të shtrembëruar të organizimit të aktivitetit.
Kampionati po zhvillohet në Tiranë nga 7 deri më 17 shtator, me pjesëmarrjen e mbi 1,600 sportistëve dhe shoqëruesve universitarë nga rreth 400 universitete të 38 vendeve europiane. Garat zhvillohen në disiplinat e taekwondos, karatesë, xhudos dhe kickboxingut.
Sipas ministrit, organizimi i aktivitetit i takon tërësisht Federatës Shqiptare të Sportit Universitar, e cila ka kërkuar mbështetje financiare nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, të ofruar në shkurt të vitit 2026.
Sa u përket fotografive të publikuara në rrjetet sociale, Gonxhja deklaron se ato nuk u përkasin ambienteve ku janë sistemuar pjesëmarrësit e kampionatit.
Për këtë arsye, ministri e konsideron paraqitjen e këtyre pamjeve si ambiente ku qëndrojnë delegacionet e huaja, të pavërtetë dhe keqinformuese.
Deklarata e plotë:
Sqarojmë se pretendimet e ngritura nuk pasqyrojnë situatën reale dhe krijojnë një panoramë të shtrembëruar. Kampionati zhvillohet në Tiranë nga 7 deri më 17 shtator 2026, me pjesëmarrjen e mbi 1,600 sportistëve dhe shoqëruesve universitarë nga rreth 400 universitete të 38 vendeve europiane, në disiplinat taekwondo, karate, xhudo dhe kickboxing. Aktiviteti organizohet tërësisht nga Federata Shqiptare e Sportit Universitar, e cila ka kërkuar një mbështetje financiare nga MTKS, që iu ofrua në shkurt 2026.
Sipas informacionit të përcjellë nga federata organizatore, Bashkia Tiranë kishte marrë përsipër dhe kishte lëshuar garanci për akomodimin e rreth 1,500 pjesëmarrësve. Kjo garanci, ka qenë pjesë e kushteve mbi të cilat EUSA miratoi zhvillimin e kampionatit në Shqipëri. Vetëm pak ditë përpara fillimit të aktivitetit, organizatorët janë njoftuar se kapacitetet e parashikuara fillimisht nuk mund të viheshin plotësisht në dispozicion, pasi një pjesë e dhomave ishin të zëna nga studentë shqiptarë me kontrata njëvjeçare. Për të mos cenuar strehimin e tyre dhe për të garantuar vazhdimësinë normale të aktivitetit, një pjesë e delegacioneve është sistemuar në Kamëz, në ambiente të vlerësuara si më të përshtatshme.
Pavarësisht se Ministria nuk ka asnjë përgjegjësi direkte organizative apo logjistike, zëvendësministri përgjegjës për sportin ka qenë personalisht i pranishëm në momentet e mbërritjes dhe pritjes së delegacioneve, duke shprehur gatishmërinë e plotë institucionale për të ndihmuar në adresimin e çdo nevoje që mund të paraqitej. Duhet kuptuar se aktivitete të këtyre përmasave, kudo në Europë, nuk mbështeten në standardet e hoteleve superiore. Për akomodimin e mijëra sportistëve të rinj përdoren zakonisht kampuse universitare, rezidenca studentore, hostele rinore dhe njësi ekonomike akomodimi, duke garantuar kushtet e nevojshme të sigurisë, higjienës dhe funksionalitetit, edhe në funksion prakticiteti.
Imazhet e publikuara në rrjetet sociale, nuk u përkasin hapësirave ku janë sistemuar pjesëmarrësit e kampionatit. Nga verifikimet e kryera rezulton se ato mund t’u përkasin godinave të tjera të vjetra, të pabanuara e në pritje të rikonstruksionit. Paraqitja e këtyre pamjeve si ambiente ku qëndrojnë delegacionet e huaja është, për rrjedhojë, e pavërtetë dhe keqinformuese.
Në një aktivitet me mbi 1,600 pjesëmarrës, ku intervalet e zhvendosjeve e pauzave janë minimale, të pastrosh e të mirëmbash dhoma e ambiente sanitare kërkon turne e kapacitete të shtuara. Njëkohësisht, kërkohet bashkëpunim dhe respektim i rregullave edhe nga vetë përdoruesit, veçanërisht për mbetjet dhe sjelljen brenda dhomave dhe hapësirave të përbashkëta. Situata të veçuara nuk mund të paraqiten si prova të mungesës së angazhimit në të gjithë strukturën akomoduese.
Asnjë ushqim apo shërbim jashtë standardeve nuk është konstatuar nga strukturat përgjegjëse. Shërbimi i ushqimit dhe çdo element tjetër organizativ kontrollohen vazhdimisht nga organizatorët dhe ekipi ndërkombëtar i aktivitetit. Çdo mangësi apo parregullsi e evidentuar komunikohet drejtpërdrejt dhe trajtohet në kohë reale. Përfaqësuesit e EUSA-s kanë inspektuar nga afër edhe ambientet e akomodimit, duke u njohur drejtpërdrejt me kushtet reale.
Organizatorët po punojnë për mbarëvajtjen e kampionatit, ndërsa Ministria, brenda rolit të saj ligjor dhe institucional, mbetet e gatshme për të kontribuar në adresimin e çdo nevoje që mund të kërkojë masa e zë. Çdo problem konkret duhet të trajtohet me përgjegjësi, por nuk mund të pranohet që raste të izoluara, fotografi të paverifikuara apo ambiente që nuk përdoren nga delegacionet të shërbejnë për të cenuar një aktivitet madhor ndërkombëtar dhe imazhin e Shqipërisë si vend mikpritës.
Po ndodh...
Basha, Berisha dhe një takim me prindër në SHBA!
ide
Edi Rama, kujt i ankohesh? Ti ke qenë problemi!
Tashmë e dimë që Edi Rama nuk ka limit, por a e ka SPAK limit Ramën?
Kur pushteti ankohet se po demaskohet!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128