Të ardhurat jashtë Shqipërisë nën lupën e Tatimeve, forcohet shkëmbimi i informacionit me BE-në
Një projektligj i ri i depozituar në Kuvend synon të ndryshojë mënyrën se si administrata tatimore shqiptare bashkëpunon me autoritetet e vendeve të Bashkimit Evropian, duke krijuar një sistem më të strukturuar për shkëmbimin e informacionit tatimor.
Projektligji “Për bashkëpunimin administrativ në fushën e tatimeve dhe shkëmbimin e informacionit tatimor” përafron kuadrin shqiptar me Direktivën e Këshillit 2011/16/BE, të njohur si DAC 1, të ndryshuar së fundi nga Direktiva e Këshillit (BE) 2025/872.
Në thelb, ligji synon t’i japë administratës shqiptare instrumente më të forta për të identifikuar të ardhurat dhe aktivitetet ekonomike me dimension ndërkufitar, duke e lidhur Shqipërinë më ngushtë me mekanizmat evropianë të bashkëpunimit tatimor.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është shkëmbimi automatik i informacionit. Sipas projektligjit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të komunikojë me autoritetet tatimore të shteteve anëtare informacionin e disponueshëm për persona rezidentë tatimorë në një vend tjetër të BE-së.
Kategoritë përfshijnë: të ardhurat nga punësimi; të ardhurat nga pjesëmarrja në bordet drejtuese; produkte të caktuara të sigurimit të jetës; pensionet; pronësinë dhe të ardhurat nga pasuritë e paluajtshme; honoraret; dividendët që nuk lidhen me një llogari kujdestarie.
Shkëmbimi duhet të kryhet të paktën një herë në vit dhe jo më vonë se gjashtë muaj pas përfundimit të vitit tatimor gjatë të cilit informacioni është bërë i disponueshëm. Shqipëria duhet të sigurojë shkëmbimin për të paktën pesë nga kategoritë e përcaktuara në ligj.
Kjo do të thotë se aktivitetet ekonomike të një personi nuk do të shihen më vetëm brenda kufijve të një administrate tatimore kombëtare, kur ato kanë lidhje me një tjetër shtet të BE-së.
Projektligji i kushton rëndësi të veçantë numrit të identifikimit tatimor, TIN. Për periudhat tatimore që fillojnë më 1 janar 2030, raportimi dhe komunikimi i TIN-it të lëshuar nga shteti i rezidencës do të kërkohet, kur është e mundur, për të ardhurat nga punësimi, të ardhurat nga bordet drejtuese dhe pensionet.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të ketë gjithashtu detyrimin të kryejë kontrolle të cilësisë dhe validimin e TIN-it për informacionin që shkëmbehet.
Projektligji parashikon tre forma kryesore të shkëmbimit: me kërkesë, spontan dhe automatik.
Në rastin e shkëmbimit sipas kërkesës, një autoritet tatimor i një vendi të BE-së mund t’i kërkojë Shqipërisë informacion që ka rëndësi të parashikueshme për administrimin e tatimeve. DPT duhet ta sigurojë informacionin sa më shpejt të jetë e mundur dhe, në parim, brenda tre muajve. Nëse kjo nuk është e mundur, afati përfundimtar nuk duhet të kalojë gjashtë muaj.
Në rrethana të caktuara, DPT do të mund të shkëmbejë edhe spontanisht informacion me autoritetet e një shteti tjetër. Kjo mund të ndodhë, për shembull, kur ka arsye të besohet se një transaksion apo strukturë biznesi mund të sjellë humbje të të ardhurave tatimore, kursim tatimor përmes strukturave ndërkufitare ose transferim artificial të fitimeve brenda grupeve të kompanive.
Një tjetër element i rëndësishëm është mundësia e kontrolleve të njëkohshme dhe auditimeve të përbashkëta.
Nëpunës të autorizuar të një shteti tjetër anëtar mund të jenë të pranishëm në zyrat e administratës tatimore shqiptare, të marrin pjesë në hetime administrative ose të marrin pjesë përmes mjeteve elektronike të komunikimit.
Në rastin e auditimeve të përbashkëta, autoritetet shqiptare dhe ato të vendeve të tjera mund të punojnë së bashku për një person ose subjekt që paraqet interes të përbashkët tatimor. Kur auditimi zhvillohet në Shqipëri, nëpunësit e huaj veprojnë në prani dhe nën drejtimin e strukturave të DPT-së dhe nuk mund të ushtrojnë kompetenca përtej atyre që u njeh legjislacioni përkatës. /ekofin.al
Po ndodh...
Kosova nuk ka kthim pas. PIKË!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128