Verstappen godet sërish: Formula 1 si kopsht zoologjik

15 October 2026, 17:12 / SPORT ALFA PRESS
Verstappen godet sërish: Formula 1 si kopsht zoologjik

Maks Vershtapen kishte ndjesinë se kishte prekur fundin. Dhe, kur arrin në atë pikë, të duket sikur asgjë nuk funksionon më, as në makinë, as në jetë. “Sidomos gjatë fundjavave të para të këtij sezoni. Nuk kisha përjetuar kurrë më parë një ndjesi të tillë”, shprehet piloti holandez, i cili mbetet gjithmonë i njëjti: ironik, konkurrues dhe i pamëshirshëm në pistë. Por, në intervistën e gjatë, të dhënë gazetës holandeze “De Telegraaf”, shfaqet një portret disi ndryshe i tij.

Piloti holandez i Red Bullit di të jetë edhe emocional. Ose, të paktën, di ta pranojë kur gjërat nuk shkojnë mirë. Për shembull, fillimi i sezonit nuk ishte aspak ai që kishte shpresuar. Shumë ndryshime, shumë koncepte të reja në Formula 1. Maksi mendoi edhe të hiqte dorë, por në fund vendosi të vazhdonte. Ndërkohë, kritikat e tij të ashpra ndaj botës së F1 nuk kaluan pa u vënë re. Mos vallë kërkonte më shumë ndjekës në rrjetet sociale? Aspak! “Ky nuk ishte qëllimi im. Unë thjesht shpreh atë që mendoj dhe them atë që, sipas mendimit tim, nuk shkon, duke dhënë sugjerime se çfarë mund të përmirësohet”, deklaron Vershtapen.

Pa dyshim, motorët e rinj të vitit 2026 kanë ndikuar në fillimin e sezonit të tij. Red Bulli ishte i shpejtë, por jo gjithmonë mjaftueshëm për të qëndruar përpara Mercedesit. Tani gjërat kanë ndryshuar për mirë dhe Maksi ka fituar dy gara radhazi, gjithashtu makina po u përgjigjet denjësisht rivalëve. Sigurisht, Vershtapen ka një karakter të fortë. Këtë nuk po e zbulojmë sot.

“Ndonjëherë kritikohem nga disa njerëz për mënyrën se si sillem, por ndoshta kjo ndodh sepse nuk e kuptojnë se çfarë dua të them. Në fund, megjithatë, gjithmonë del në pah nëse diçka është e drejtë apo e gabuar. Thjesht, në disa raste duhet pak më shumë kohë sesa në të tjera”, thotë 29-vjeçari, i cili nuk ka filtra: ose e pranon, ose jo. Te Red Bulli e kanë pranuar këtë anë të karakterit të tij.

 

Madje, kanë vendosur ta mbajnë në skuadër deri në vitin 2030: “Ndjehem vërtet mirë me njerëzit me të cilët punoj dhe me mënyrën se si funksionojmë si skuadër. Për ne, rezultati vjen mbi gjithçka tjetër, është gjëja më e rëndësishme. Por duhet të ndihesh edhe rehat dhe të kuptosh se vlerësohesh. Këtu ndodh pikërisht kjo”. Natyrisht, asgjë nuk mund të thuhet me siguri absolute, por Maksi e ka të qartë objektivin: “Viti 2030 është synimi”.

KOPSHTI ZOOLOGJIK I MAKSIT

Vershtapen kishte trokitur edhe në derën e MekLarenit, por bisedimet nuk shkuan më tej. Dëshira e tij mbetet vetëm një: të fitojë. Këtë e ka bërë të qartë edhe në intervistën për gazetën holandeze. Vershtapen nuk është thjesht një egoist që mendon vetëm për shpejtësinë. Ai është një fitues dhe, pikërisht për këtë arsye, kërkon një makinë të shpejtë. Por, Vershtapen do të dëshironte gjithashtu një “paddock” më të qetë, me më pak zhurmë dhe biseda të kota.

Problemi është se Formula 1 është shndërruar në një lloj pasareleje, ku të mos jesh i pranishëm do të thotë të mbetesh jashtë rrethit ku zhvillohen gjërat e rëndësishme. “Kohët e fundit, ‘paddock’-u ngjan vërtet me një kopsht zoologjik. Shpesh nuk mund të shkëmbesh më as dy fjalë me dikë, në fakt, nuk mund ta bësh më fare këtë. Prandaj, fundjavat i kaloj duke lëvizur mes dhomës sime të vogël dhe bokseve”.

As ambientet e mikpritjes së skuadrës nuk përbëjnë gjithmonë një hapësirë të qetë. “Madje, edhe në ambientet tona të mikpritjes ka shumë të ftuar që duan diçka prej teje”, rrëfen Vershtapen, ndërsa e pranon se disa prej tyre “kanë qëllime të mira”, por thekson se, si pilot, duhet të ketë edhe mundësinë të pushojë. “Duhet të kem mundësi të çlodhem, pa u shqetësuar vazhdimisht nga të tjerët”, përfundon katër herë kampioni i botës në F1.

 

Po ndodh...

ide