Alarm ajror në Estoni, dronët kalojnë nga Letonia! NATO ngre avionët luftarakë në përgjigje të incidentit

1 September 2026, 10:47 / BOTA ALFA PRESS

Dronë në hapësirën ajrore të Estonisë kanë aktivizuar alarmin për sulm ajror gjatë natës, në një tjetër incident që rrit shqetësimin për sigurinë në krahun lindor të NATO-s.

Dronët fillimisht shkaktuan alarm në Letoni dhe më pas kaluan në hapësirën ajrore estoneze, sipas transmetuesit publik ERR.

Incidenti u regjistrua rreth orës 03:00 të mëngjesit, kur autoritetet estoneze aktivizuan alarmin për kërcënim ajror në disa zona të vendit.

Sipas Forcave të Mbrojtjes së Estonisë, dronët kishin lëvizur paralelisht me kufirin lindor të Estonisë dhe Letonisë, përpara se të hynin në hapësirën ajrore estoneze.

Pas sinjalizimit, avionë luftarakë të NATO-s u ngritën nga baza ajrore Ämari, në kuadër të Misionit të Patrullës Ajrore Baltike. Avionët turq, të dislokuar në Estoni për misionin e mbrojtjes ajrore të NATO-s, monitoruan situatën.

Alarmi u hoq para orës 06:00, ndërsa autoritetet vijuan vëzhgimin e situatës.

Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, bëri me dije se NATO reagoi në përputhje me procedurat e parashikuara dhe se aleanca vijon të jetë në gatishmëri për mbrojtjen e territorit të vendeve anëtare.

Po ndodh...