Ish-ministri gjerman hedh idenë e bombës atomike europiane: Duhet të mbrohemi vetë

30 Janar 2026, 23:35 / BOTA ALFA PRESS

Ish-ministri gjerman hedh idenë e bombës atomike europiane: Duhet

Ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joschka Fischer, ka propozuar krijimin e një kapaciteti bërthamor të përbashkët europian, duke deklaruar se Europa nuk mund të mbështetet më plotësisht te garancitë e sigurisë së Shteteve të Bashkuara.

Në një intervistë për gazetën Tagesspiegel, Fischer tha se situata globale ka ndryshuar ndjeshëm dhe se Bashkimi Evropian duhet të mendojë seriozisht për mbrojtjen e vet.

“Garancitë e sigurisë amerikane nuk janë më të besueshme si më parë. Gjermania ka përgjegjësi për udhëheqjen në Europë, por gjithmonë së bashku me vendet e tjera,” u shpreh ai.

Fischer sqaroi se nuk bëhet fjalë për një bombë bërthamore gjermane, por për një armë bërthamore të përbashkët të vendeve të Bashkimi Evropian, si mjet mbrojtjeje në një klimë ndërkombëtare gjithnjë e më të pasigurt.

Ai theksoi se çarmatimi nuk është më një alternativë reale dhe se Europa duhet të investojë në fuqizimin ushtarak për të garantuar sigurinë e saj.

“Vetëm përmes forcës dhe parandalimit mund të shmanget një sulm i mundshëm nga një fqinj agresiv,” tha Fischer.

Në deklaratat e tij, ish-kryediplomati gjerman shtoi se po të ishte i ri sot, do t’i bashkohej ushtrisë.

“Kohët kanë ndryshuar. Jemi të kërcënuar dhe duhet të mbrohemi,” u shpreh ai, duke pranuar se kjo qëndrim bie ndesh me bindjet e tij politike të mëparshme.

 

Po ndodh...

ide