Sekretari i Thesarit i SHBA-së: Kolapsi ekonomik mund ta sjellë Putinin në tryezën e bisedimeve

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Europian po shqyrtojnë vendosjen e një raundi të ri sanksionesh ekonomike dhe tarifash dytësore ndaj Rusisë, në përpjekje për ta çuar Vladimir Putinin drejt bisedimeve për paqe me Ukrainën. Lajmi u konfirmua të dielën nga Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, gjatë një interviste për NBC.
“Jemi të gatshëm të rrisim presionin mbi Rusinë, por kemi nevojë që partnerët tanë europianë të na ndjekin,” deklaroi Bessent, duke bërë të ditur se presidenti amerikan Donald Trump dhe zëvendëspresidenti J.D. Vance kanë biseduar të premten me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila më pas ka zhvilluar diskutime me vetë Bessent mbi sanksionet.
“Jemi në një garë kohe: sa gjatë mund të rezistojë ushtria ukrainase dhe sa gjatë mund të përballojë ekonomia ruse presionin? Nëse SHBA dhe BE vendosin sanksione të reja dhe tarifa mbi vendet që blejnë naftë ruse, atëherë ekonomia e Rusisë do të shembet dhe Putini do të detyrohet të ulet në tryezën e bisedimeve,” theksoi ai.
Pavarësisht sanksioneve të shumta që i janë vendosur deri tani nga Perëndimi, Rusia ka arritur të gjejë tregje të reja për eksportin e naftës dhe gazit natyror, kryesisht në Indi dhe vende të tjera.
Ndërkohë, përpjekjet e Trump për një zgjidhje të shpejtë diplomatike të luftës që zgjat prej afro katër vitesh kanë dështuar, sidomos pas takimit të tij me Putinin muajin e kaluar në Alaskë. Që nga ajo kohë, Rusia ka intensifikuar sulmet, përfshirë edhe goditjen e fundit të së dielës ndaj kompleksit qeveritar në Kiev – një veprim që u cilësua si “përshkallëzim serioz i konfliktit”.
Pas këtij zhvillimi, Ukraina dhe aleatët e saj kanë shtuar kontaktet diplomatike për garanci të reja sigurie. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është takuar në Uashington me Donald Trump, liderë europianë dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Ndërkohë që Trump nuk ka lehtësuar sanksionet e vendosura më herët nga ish-presidenti Joe Biden, ai ka ulur ndjeshëm nivelin e ndihmës së drejtpërdrejtë për Kievin. Javën e kaluar, Trump i kërkoi Europës të shtojë presionin ekonomik mbi Putinin, përfshirë ndalimin e plotë të importit të naftës dhe gazit nga Rusia, sipas presidentit të Finlandës, Alexander Stubb. Presidenti amerikan ka kërkuar gjithashtu që BE të ushtrojë presion ndaj Kinës në këtë drejtim.
Aktualisht, dy vende të BE-së, Hungaria dhe Sllovakia, vazhdojnë të blejnë naftë ruse, bëri të ditur Zelensky. Aleatët janë dakordësuar për të zhvilluar një takim të posaçëm, ku do diskutohet ndërprerja e të gjitha kanaleve tregtare të energjisë me Rusinë.
Sipas Bessent, të hënën ai do të zhvillojë takim me zyrtarë europianë në Uashington për të avancuar diskutimet mbi paketën e re të sanksioneve.
Po ndodh...
Karmën nuk e ndalon dot Sali Berisha!
ide
Sekretari i Parë i PD
Të “rrëzosh” Edi Ramën duke gënjyer veten…
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128


