''Censurë digjitale''/ Dhjetra profile të aktivistëve të protestës fshihen nga Instagrami
Një ekran i zi me mesazhin e shkurtër në anglisht: “We’ve disabled your account” [Kemi çaktivizuar llogarinë tuaj], pa asnjë mundësi për apelimin e vendimit, shfaqet mbi profilin e Alesia Burnazit, aktiviste dhe eksperte e komunikimit.
Të njëjtin fat dixhital pësuan edhe një seri me llogari të tjera kritike ndaj qeverisë në Instagram, të cilat tashmë janë fshirë plotësisht nga platforma e Metës. Për deputetin e opozitës, Agron Shehaj, kërkimi në Instagram kthen vetëm një faqe boshe me mbishkrimin “User not found”, mbi të cilën përdoruesit kanë vulosur me të kuqe fjalën “CENSORED”.
Disa nga imazhet e këtyre profileve të mbyllura po qarkullojnë masivisht në rrjet në formën e një kolazhi denoncues, të shoqëruara me thirrjen: “Diktaturë! Nuk na Heshtni Dot!!!!!”. Aktivistët ndërkohë kanë njoftuar hapjen e faqeve të reja, që kanë thithur menjëherë qindra ndjekës.
Personat e prekur dhe specialistë të IT-së dyshojnë se nuk kemi të bëjmë me raste të izoluara, por një valë të paprecedentë mbylljeje të dhjetëra llogarive kritike në Instagram. Emëruesi i përbashkët i profileve të goditura është përfshirja dhe pasqyrimi i protestave të fundit të njohura si “Revolucioni i Flamingove” dhe kritikat ndaj qeverisë.
Sipas tyre, kjo duket se është bërë përmes një fushate masive raportimesh të rreme, e njohur si abuzim i koordinuar, ku mekanizmat algoritmikë të Metës janë manipuluar për të zhdukur nga hapësira virtuale zërat kritikë dhe aktivistët në Shqipëri.
“Kur pushteti nuk mund ta ndalojë informacionin drejtpërdrejt, ekziston rreziku që ta bëjë përmes raportimeve masive dhe algoritmeve,” tha Besmir Semanaj ekspert i IT. Kompania META nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.
Akuzat ndaj qeverisë për censurë
Përpjekja e qeverisë shqiptare për të dominuar hapësirën e rrjeteve sociale nuk është një fenomen i ri. Të dhënat e siguruara nga një investigim i BIRN sugjerojnë se gjatë ditëve të nxehta të protestave, platformat u përmbytën nga profile të rreme të krijuara rishtazi mes 28 dhe 30 qershorit.
Kjo ushtri digjitale, e cila identifikohet me terma pro-qeveritarë si “Edi Rama per Shqiperine 2030”, nuk shërbeu vetëm për të imituar angazhimin organik dhe shpërndarë propagandën qeveritare. Ndryshe nga profilet reale, BIRN gjeti se këto llogari fantazmë po përdoren masivisht për të sulmuar dhe delegjitimuar mbështetësit e protestës, duke targetuar drejtues të opozitës si dhe aktivistë të tjerë në terren përmes gjuhës denigruese.
Ndërkohë, ditë më parë, një numër llogarish që publikojnë po ashtu materiale nga protesta raportuan se postimet e tyre po zhdukeshin kryesisht përmes pretendimit se po publikonin materiale pa të drejtë autori. Një prej profileve të sulmuara “@flamingo_revolution_” në Instagram, i tha BIRN se postimet e raportuara ishin plotësisht të tyre, përfshi fjalime të shkurtra të aktivistëve të ndryshëm në protestë.
“Po për copyright ama na kanë fshirë pikërisht video që i kemi bërë vetë gjatë protestave,” tha profili në fjalë në një komunikim me BIRN.
Sulmi i fundit duket se është më i ashpri dhe për personazhet e shënjestruar, fshirja e llogarive është një akt i mirëfilltë censurimi me prapavijë të qartë politike.
Deputeti Agron Shehaj, llogaria e verifikuar e të cilit numëronte 150 mijë ndjekës dhe gjeneronte dhjetëra milionë shikime në muaj, e bën përgjegjëse të drejtpërdrejtë qeverinë për këtë goditje.
“Një pushtet që është afër fundit ndërmerr masa të tilla diktatoriale,” tha Shehaj për BIRN. “Nuk është sulmi i vetëm ndaj meje, më kanë përjashtuar nga parlamenti për 140 ditë vetëm këtë sesion, Ministria e Financave ka urdhëruar hetim pasuror dhe kanë bërë një sërë kallëzimesh të pabaza në SPAK,” shtoi ai.
Shehaj e cilësoi këtë si një censurë të paprecedentë ndaj drejtuesit të një partie të opozitës. “Absolutisht, nuk ka asnjë dyshim që vjen nga qeveria. Nuk na është dhënë asnjë shpjegim për mbylljen e llogarisë, nuk ka asnjë email, asnjë të dhënë,” tha ai, ndërsa shtoi se do të kontaktonin me META për të kërkuar sqarime.
Njëra prej aktivisteve të bllokuara në Instagram, Burnazi, theksoi se ky fenomen është një goditje e rëndë për lirinë e fjalës.
“Kjo është një censurë digjitale ndaj fjalës së lirë,” u shpreh Burnazi, duke shtuar se sulmi kibernetik i mirëorganizuar ndaj llogarisë së saj pati fillesat që në fund të qershorit.
“Presioni ushtrohet nga struktura specifike që qartazi kanë lidhje me pushtetin. Ky sulm duhet të dënohet, pasi fjala e lirë është në rrezik,” tha ajo duke akuzuar gjithashtu qeverinë.
Manipulimi i algoritmeve të Metës
Ekspertët e teknologjisë dhe sigurisë kibernetike theksojnë se algoritmet e rrjeteve sociale mbeten lehtësisht të manipulueshme nga fushata të tilla të koordinuara. Besmir Semanaj, ekspert IT, thekson se askush nuk e di saktësisht numrin e llogarive të fshira, pasi Meta nuk publikon të dhëna specifike për Shqipërinë.
“Ajo që është shqetësuese është përqendrimi i rasteve, shumë prej llogarive të pezulluara u përkasin njerëzve aktivë në protesta dhe denoncime publike,” tha Semanaj. Sipas tij, kur pushteti nuk ndalon dot informacionin drejtpërdrejt, tenton ta bëjë përmes raportimeve masive. Ai sjell në vëmendje rastin e Vietnamit në vitin 2021, kur Meta zbuloi një rrjet që përdorte mijëra raportime të rreme për të fshirë llogaritë e aktivistëve dhe kritikëve të qeverisë.
Orkidea Xhaferaj, eksperte e sigurisë kibernetike pranë SCiDEV, analizon se raportimet e bëra nga aktivistët nxjerrin në pah një abuzim të koordinuar specifikisht me raportimet për shkelje të të drejtave të autorit (copyright).
“Abuzimi me copyright është ai që sjell ndoshta një reagim më të shpejtë se raportimet për spam apo dhunë, dhe nuk kërkon një numër shumë të madh raportuesish,” shpjegoi Xhaferaj.
Ndërsa e konsideron heqjen masive të përmbajtjes si një metodë të drejtpërdrejtë censure, ajo shton se nevojiten fakte konkrete dhe një koordinim i shoqërisë civile në nivel kombëtar për ta bërë Metën llogaridhënëse.
Një përpjekje për llogaridhënie po e bën edhe Partia Demokratike Europiane, e cila përmes Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Sandro Gozi, i kërkoi zyrtarisht META-s sqarime urgjente për pezullimin e llogarive të aktivistëve protestues dhe përfaqësuesve të opozitës në Shqipëri.
Përmes një deklarate për shtyp, Partia Demokratike Europiane deklaroi se Gozi e ka dërguar çështjen para Komisionit Evropian përmes një pyetjeje parlamentare, duke i kërkuar Komisionit të kërkojë sqarime urgjente nga Meta dhe të shqyrtojë incidentin në kontekstin e procesit të pranimit të Shqipërisë në BE, të drejtave themelore dhe pluralizmit politik.
“Kur dhjetëra llogari të opozitës dhe aktivistëve të lidhur me të njëjtën lëvizje proteste zhduken pothuajse njëkohësisht, nuk mund ta trajtojmë thjesht si një problem teknik. Meta duhet të shpjegojë se çfarë ka ndodhur, dhe duhet ta bëjë këtë shpejt,” deklaroi Gozi.
“Ne nuk po bëjmë akuza pa prova. Por liria e shprehjes dhe pluralizmi politik nuk mund të varen nga algoritme të errëta ose nga sisteme moderimi që potencialisht mund të manipulohen përmes sulmeve të koordinuara. Platformat dixhitale janë bërë pjesë e hapësirës sonë publike demokratike, dhe me këtë fuqi vjen një përgjegjësi për të garantuar transparencën dhe mbrojtjet efektive,” përfundon deklarata./BIRN
Po ndodh...
Kur pushteti zgjedh dhunën
ide
Edi Rama, koha e llogarisë ka ardhur!
Udhë të mbarë për në Amerikë Dr. Berisha. Por vetëm kaq!
Mos e vidhni protestën! Nëse nuk ju pëlqen, themelojeni tuajën!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128