Banka e Shqipërisë: Qytetarët morën 470 milionë euro kredi për konsum në 2024-n

21 Mars 2025, 07:53 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Banka e Shqipërisë: Qytetarët morën 470 milionë euro

Huamarrja e shqiptarëve për qëllime konsumi arriti një nivel rekord vitin e kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia e re konsumatore e dhënë gjatë vitit 2024 arriti në 47.2 miliardë lekë ose rreth 470 milionë eurove (llogaritur me kursin mesatar të 2024). Kjo shumë përfshin kreditë konsumatore me këste dhe paradhëniet bankare apo overdraftet e individëve. Krahasuar me vitin 2023, kredia konsumatore ka shënuar një rritje mjaft të lartë, me 25% më shumë.

Huadhënia konsumatore është e përqendruar në pjesën dërrmuese në monedhën vendase. Më shumë se 89% e kredisë së re konsumatore të dhënë vitin e kaluar ka qenë në lekë. Rritja e kredisë paraqitet mjaft e lartë si në segmentin e mallrave të qëndrueshme, ashtu edhe në atë për mallra jo të qëndrueshme.

Mallrat e qëndrueshme në përgjithësi përkufizohen si produkte që kanë një jetëgjatësi më të madhe se tre vjet. Kredia konsumatore për këtë qëllim përfshin kryesisht financimin e blerjes së pajisjeve elektronike, elektroshtëpiake, mobiljeve, automjeteve, etj.

Në fund të vitit të kaluar, portofoli total i kredisë konsumatore arriti vlerën e 64.2 miliardë lekëve ose rreth 654 milionë eurove. Me bazë vjetore, portofoli i kredisë konsumatore është zgjeruar me 15%. Për shkak se kredia konsumatore ka afate më të shkurtra maturimi, edhe amortizimi i portofolit është relativisht i shpejtë, çka bën që zakonisht zmadhimi i portofolit të jetë më i ngadaltë krahasuar me rritjen e kredisë së re.

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, kredia konsumatore në Shqipëri dominohet nga financimet për mallra jo të qëndrueshme, që përbëjnë 58% të portofolit total, e ndjekur nga kredia për mallra të qëndrueshme me 32%. Pjesa e mbetur, prej rreth 10% konsiston në overdrafte të tërhequra nga individët.

Rritja e kredisë konsumatore po konfirmon ecurinë pozitive të kreditimit të individëve, e mbështetur nga ecuria e mirë e ekonomisë dhe nga normat relativisht të ulëta të interesit. E gjithë kredia e re për individët vitin e kaluar arriti vlerën prej 106.7 miliardë lekësh, me një rritje prej më shumë se 16% krahasuar me një vit më parë.

Analizat e Bankës së Shqipërisë kanë treguar se kredia konsumatore zakonisht ka një natyrë prociklike, duke qenë se është një kredi që mbështet konsumin dhe ndjek rritjen e tij. Përveç kontributit të turizmit, duket se konsumi privat në ekonomi po mbështetet edhe nga cikli në rritje i kreditimit të konsumatorëve vendas nga sektori bankar.

Gjithashtu, ecuria e mirë e tregut të punës, karakterizuar nga norma papunësie pranë niveleve më të ulëta historike dhe rritja dyshifrore e pagave, në vetvete përbëjnë premisa pozitive për të mbështetur rritjen e kredisë konsumatore në ekonomi./ Monitor

 

Po ndodh...

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128