Në kulmin e krizës/ Qeveria propozon të shtohet taksë e re për naftën

2026-09-24 18:45:00 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Në kulmin e krizës/ Qeveria propozon të shtohet taksë e re

Në kulmin e krizës së çmimeve, karburanteve pritet t’u shtohen edhe 40 mln euro të tjera në vit barra fiskale nga vendosja e një tarife të re. Qeveria supozon që niveli i saj të jetë 3 lekë për litër.

Të ardhurat nga tarifa e re për naftën do të përdoren për të financuar krijimin dhe menaxhimit e rezervës së sigurisë me naftë bruto dhe nënprodukte të saj.

Por rritja e barrës fiskale te karburantet do të shtrenjtojë më tej çmimin final të shitjes për konsumatorin. Efektet në rritjen e çmimit final të shitjes për konsumatorin, pranohen edhe nga qeveria.

Në relacionin e projektligjit “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, qeveria supozon se nëse niveli i tarifës për rezervën e sigurisë së naftës do të jetë 3 lekë për litër, prej saj do të arkëtojë 3,75 mld lekë të ardhura në vit.

Të ardhurat do të përdoren për blerjen e naftës rezervë, për të mbuluar kostot e depozitimit etj.

Megjithatë në relacionin e draftit sqarohet se niveli prej 3 lekë për litër për tarifën është i supozuar, pasi niveli përfundimtar do të miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimeve të ministrive përgjegjëse.

Por rezerva parashikohet të krijohet për një periudhë 5 -vjeçare, duke e çuar efektin financiar të arkëtimit nga tarifa në vlerën e rreth 200 mln eurove.

“Me qëllim financimin e krijimit, mbajtjes dhe menaxhimit të rezervave të sigurisë së naftës dhe nënprodukteve të saj, është parashikuar dhe vendosja e një tarife për këtë qëllim.

Tarifat e krijimit dhe mbajtjes së rezervës së sigurisë, që aplikohen mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure, që i nënshtrohet detyrimit për pagimin e taksës së akcizës, në perputhje me ligjin nr.61/2012, datë 24.5.2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, çdo vit.

Të gjitha këto aktivitete do të shoqërohen me kosto shtesë për sektorin publik për mbulimin e shpenzimeve për krijimin, ruajtjen, mirëmbajtjen, inspektimin e rezervave të sigurisë, si dhe për aktivitetet e tjera të rregullta të autoritetit.

Sigurimi i fondeve do të kërkojë, ndër të tjera, vendosjen e tarifës që do të aplikohet mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure. Kjo do të sjellë rritje të vlerës në zinxhirin e ngarkesës financiare dhe rezultatin final të çmimit të shitjes te konsumatori”, përcaktohet në relacion.

Vendosja e një tjetër tarife te nafta, pritet të rrisë çmimin final të shitjes me pakicë edhe me 3 lekë për litër të tjera. Aktualisht nafta në vend është e ngarkuar më disa taksa dhe tarifa, përfshirë TVSH, akcizë, taksën e qarkullimit, taksë karboni, tarifën e skanimit, taksat bashkiake, tarifën e rilicensimit.

Në çmimin final të naftës barra e taksave zë 53% të atij apo në vlerë llogaritet të jetë 90 deri 100 lekë të çmimit final. Krahasuar me shtetet e rajonit, vendi ynë ka barrën më të lartë fiskale për naftën. Në shtetet si Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Kosovë mbi çmimin e shumicës së naftës llogaritet vetëm akciza dhe TVSH-ja.

Nëse produktet e karburanteve do të lehtësoheshin nga barra fiskale konsumatori vendas do të paguante në të njëjtat vlera që paguajnë vendet e rajonit./Monitor 





Po ndodh...

ide