Zjarri në Pukë i afrohet banesave, era e fortë përhap flakët drejt Gojanit

2026-08-17 21:00:00 / AKTUALITET ALFA PRESS
Zjarri në Pukë i afrohet banesave, era e fortë përhap

Zjarri në zonën e Gojanit në Pukë po afrohet me shpejtësi drejt banesave, duke rritur ndjeshëm rrezikun për banorët.

Flakët janë aktive mbi lagjen Meshurdh dhe, sipas burimeve nga banorët, zjarri ka kapërcyer rrugën dhe po avancon në drejtim të fshatit dhe banesave.

Situata është veçanërisht shqetësuese për shkak të erës së fortë, e cila po favorizon përhapjen e flakëve.

Mësohet se mjetet zjarrfikëse e kanë të pamundur të afrohen nga fshati Gojan i Madh për shkak të terrenit, ndërsa aksesi mund të realizohet vetëm përmes rrugës së vjetër të ndërtuar gjatë periudhës së pushtimit italian.

Ndërkohë, vijon zjarri në pyjet e Tërbunit dhe në zonën e livadheve të Hamzit, ku situata mbetet e vështirë. Flakët, të shtyra nga era, po përparojnë drejt pyjeve të Tërbunit dhe Gjegjanit.

Gjatë gjithë ditës kanë punuar të gjitha strukturat për izolimin e vatrave, me mbështetjen edhe të efektivëve të Forcave të Armatosura.

Megjithatë, vatrat e izoluara janë riaktivizuar disa herë për shkak të erës së fuqishme, veçanërisht gjatë orëve të pasdites.

Për shkak të rrezikut gjatë natës, po dërgohet një automjet në zonën e Gojanit për monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen duke qenë se zjarri po përparon më tej drejt banesave.

Situata mbetet e vështirë, ndërsa era e fortë mbetet një prej faktorëve kryesorë që po vështirëson kontrollin e flakëve.

Po ndodh...