“Armiqësi e rreme, pazar i vërtetë”, gazetari Poli Hoxha zbulon lojën e fëlliqur Rama-Berisha, ja si po lëvizin gurët
Gazetari dhe analisti i njohur, Poli Hoxha ka lëshuar akuza të forta ndaj politikanëve kryesorë në vend, duke e cilësuar përplasjen publike mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demorkatike, Sali Berisha si një “armiqësi të rreme” për të fshehur një pazar të vërtetë pushteti. Sipas tij, protesta qytetare që ka kapërcyer më shumë se 75 ditë rezistencë nuk po përballet me konsumim natyral, por me një plan të mirëmenduar sabotimi të financuar direkt nga kjo kastë e korruptuar.
Hoxha thekson se tensionet dhe incidentet e ditëve të fundit janë eksportuar me qëllim brenda sheshit për ta bërë pis lëvizjen, për ta përçarë atë në grupime rivale dhe për t’i dhënë fund përpara muajit shtator. Paniku i pushtetarëve lidhet drejtpërdrejt me afatin e ngushtë, pasi me nisjen e stinës së re politike pritet një dhjetëfishim i pjesëmarrjes qytetare që do ta bëjë të pamundur funksionimin e parlamentit.
Një tjetër element i fortë i këtij alarmi është vjeshta e nxehtë që i pret në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku dosjet e nxehta dhe hetimet e ndërkombëtarëve janë gati për të goditur figurat kyçe të këtij sistemi 36-vjeçar. Të gjendur përballë humbjes së kartës së “stabilokracisë” te partnerët perëndimorë, eksponentët e kësaj kaste po përdorin mjete mediatike, financiare dhe elemente kriminale për të inskenuar dhunë e për t’i faturuar destabilizimin protestuesve paqësorë.
Analisti u bën thirrje organizatorëve dhe qytetarëve të mos bien në kurthin e provokimeve të paguara, pasi përgjegjësia për çdo përplasje fizike bie vetëm mbi financuesit e identifikuar tashmë nga agjencitë partnere. Në mbyllje, Hoxha nënvizoi se protesta ka fituar moralisht dhe është shndërruar në një gjendje shpirtërore që nuk ndalet më deri në çmontimin e plotë të kësaj kaste politike. Më poshtë po pasqyrojmë analizën e plotë të gazetarit Hoxha në “alfapress” me titull “Për gjendjen aktuale të protestës dhe tensionin e shtuar brenda dhe rreth saj”.
ANALIZA E Z. POLI HOXHA
Pse 15 ditët e ardhshme janë përcaktuese për fatin e sistemit Rama-Berisha
“Pas 75 ditëve, një gjë është e qartë kristal: Protesta ka lindur, vazhdon dhe reziston si një vektor qindra mijë individësh, kundër Kastës së korruptuar dhe të kriminalizuar politike dhe sistemit të ngritur prej saj. Shumica e shqiptarëve në shesh apo jo, në Shqipëri apo jo, me akte apo me mendje dhe shpirt, më në fund është zgjuar dhe është kthjelluar për Pakicën që vjedh dhe sundon nëpërmjet kapjes së demokracisë, partive, votës, parlamentit, ekonomisë së deformuar dhe ligjeve! Pra armiqtë e Protestës janë Rama&Berisha si përfaqësues kyç të kësaj Kaste dhe ingranazhet e tyre politike, ekonomike, mediatike dhe kriminale.
Të gjithë këta po përdorin çdo mjet dhe mënyrë, jo për ta kapur Protestën, por për ta bërë pis atë, ta helmojnë, ta përçajnë në “grupime” të ndryshme në konflikt, me finale shuarjen e saj. Fakt është që ditët e fundit janë shtuar tensionet dhe incidentet brenda protestës. Por ky tension, në thelb nuk ka të bëjë me faktorë që duken në pamje të parë në shesh: Me grupime apo individë që kërkojnë protagonizëm në shesh dhe veçanërisht te grupi koordinues apo te “Banka e fundit” që ka monopolizuar udhëheqjen e marshimit.
Nuk ka të bëjë as me lëshimin e nervave pas 75 ditësh, as me lodhjen e shqiptarëve, “zvogëlimin” e numrit në një muaj temperaturash ekstreme dhe pushimesh vjetore, (Kjo protestë nuk ka pasur kurrë dhe nuk ka Numër pjesëmarrësish), si dhe aq më pak me dorëzim! Tensioni në shesh, (aq sa po shfaqet), është eksportuar dhe financuar nga Kasta. Secila pjesë e kapësve të sistemit politik-ekonomik- mediatik, e sjell me mënyrat dhe mjetet e veta. Duhet ta kuptojmë, nuk ka Tension Protesta e qytetarëve, por Kasta Rama&Berisha! Tensioni është rritur dhe do rritet sepse ata kanë limit kohor, për ta prishur dhe dështuar protestën.
Nëse nuk e arrijnë brenda këtyre 2 javëve, ata e dinë shumë mirë që duke nisur nga muaji shtator, Protesta nuk ndalet më dhe do dhjetra fishohet. Kanë tension sepse tashmë si Kastë e korruptuar dhe e urryer nga populli i tyre, janë kthyer në kosto Stabiliteti për Perëndimin. Plot 36 vite kanë përfituar kundrejt ndërkombëtarëve me kartën gjeopolitike të Stabilokracisë, me lojën stabilitet-destabilitet. Këtë kartë nuk e kanë më Rama-Berisha në dorë, por e ka Protesta, vetë shqiptarët.
Kanë tension, sepse e dinë më mirë se të gjithë ne, që vjeshta do të jetë zjarr për ata me hetimet dhe dosjet që janë gati në SPAK. Kanë tension sepse e dinë që në shtator, në parlament nuk do të hyjnë dhe nuk dot të dalin dot prej andej kurrë më normalisht, por vetëm siç bënë në 2 seancat e fundit, të rrethuar me qindra policë, nga qoshet dhe nga vrimat, njësoj si minjtë e rrethuar nga macet! Pra duke pasur vetëm 15 ditë kohë dhe gjithë këtë tension, po tensionojnë protestën! Pavarësisht se kanë gjetur dhe futur grupime dhe individë që të punojnë për këtë qëllim në gjithë strukturën e Protestës, janë të dëshpëruar dhe të kapur.
Si po tentohet inskenimi i dhunës për të goditur lëvizjen qytetare
Tashmë dihen financuesit dhe organizatorët. Janë të Kastës, subjekte të SPAK dhe agjencive perëndimore kundër krimit të organizuar. I dinë vetë protagonistët brenda Protestës, i dinë ambasadat e SHBA dhe Gjermanisë e të tjera. Janë njoftuar edhe institucionet shqiptare. Nëse grupe të financuara dhe të organizuara, do të tentojnë të pushtojnë ndonjë institucion, do të krijojnë dhunë dhe përplasje fizike, brenda apo në periferi të Protestës, organizatorët e tyre kanë emër dhe fytyrë që tani.
Nëse Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, do të bëjnë sikur nuk e dinë të vërtetën për t’ia faturuar një Proteste qytetare dhe paqësore (75 ditë nuk kanë prekur asnjë gjethe), të paprecedentë edhe për Perëndimin, dhunën dhe destabilitetin e krijuar nga 100 zara të paguar nga veglat e Kastës, Rama-Berisha, atëherë përgjegjësinë do ta mbajnë ata dhe vetëm ata. Dhe së fundmi një këshillë miqësore për protagonistët e Protestës që kanë marrë përsipër mbarëvajtjen e saj për gati 3 muaj të vrullshëm dhe të vështirë: Keni bërë një punë të shkëlqyer.
Keni sakrifikuar dhe keni nderuar veten dhe emrin tuaj. Emrat tuaj do jenë pjesë e kësaj faqeje të ndritshme të historisë së Shqipërisë. Por kujdes! Kjo Protestë është shpresa e fundit që shqiptarët të kthehen nga një vend që sundohet nga vampirë të pangopur, në një vend demokratik dhe meritokratik për të gjithë. Në këtë protestë ka qindra mijë aksionerë. E dimë që askush nuk ka fuqi ti shesë ato aksione, por kushdo që e shet shpirtin te armiqtë e Protestës, pra te armiqtë shqipfolës të ardhmërisë të fëmijëve të këtyre aksionerëve, nuk do jetë thjesht një “biznesmen” apo karakter i dobët.
Kushdo që i ka vënë shpatullat dhe fytyrën kësaj Proteste, ka përgjegjësi përtej çdo protestuesi: Ose do jetë i dashur, i nderuar dhe i paharruar për shqiptarët ndër breza, ose pak më i pasur por i përçmuar, pështyrë dhe i treguar me gisht, por ndër breza. Protesta nuk ndalet dhe nuk shuhet dot më, deri sa të shporrë vampirët politikë, sepse ajo nuk është më thjesht një tubim i përditshëm.
Ajo tashmë është gjendje mendore dhe shpirtërore pas zgjimit nga letargjia 36 vjeçare. Protesta nuk diskutohet që ka fituar. Ajo që vjen është vetëm durim, rezistencë dhe integritet gjatë procedurës së çmontimit të kësaj Kaste të paprecedentë në makutëri dhe ligësi antishqiptare. Ndaj qëndroni në kahun e duhur të historisë dhe të shqiptarëve të ndershëm dhe atdhetarë. Duket si një panoramë romantike por në fakt është pragmatike. Ky kah është pasuria më e madhe që mund të imagjinosh. Nesër edhe materialisht, për veten dhe fëmijët e tu!”, shprehet analisti dhe gazetari, Poli Hoxha.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128