Frika nga përshkallëzimi i protestës, Rama e thotë para socialistëve: Nëse nuk merremi me veten, të hapim krahun

3 September 2026, 10:40 / POLITIKË ALFA PRESS

Kreu i qeverisë shqiptare dhe njëkohësisht kryesocialisti Edi Rama ka mbledhur paraditen e kësaj të enjteje në Pallatin e Brigadave Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, si dhe Kabinetin Qeveritar, ku iu është adresuar publikisht duke dhënë më tepër detaje sa i përket dritares së re të menduar për adresimin e problemeve të qytetarëve, e cila do të quhet “Pasqyrë Albania”.

Gjatë mbledhjes së grupit të PS-së, Rama u ndal te platforma e re e cila sipas tij synon të ndjekë në kohë reale problematikat e qytetarëve dhe t’u japë atyre zgjidhje brenda dy javësh.

Rama tha se në këtë mekanizëm, përveç qeverisë, do të ishte mirë të përfshiheshin edhe pushteti legjislativ dhe ai gjyqësor, edhe pse theksoi se kjo mbetet një vendimmarrje që u takon vetë këtyre institucioneve.

“Pasqyrë Albania është hapësirë e re ku, falë teknologjisë dhe mundësisë së jashtëzakonshme që na jep në këtë fazë të zhvillimit tonë IA, mund të bashkëjetojnë e gjithë qenia publike e shtetit dhe e drejta e plotë e çdo qytetari për të kontrolluar shtetin e vet, për ta pyetur shtetin dhe për të kërkuar mbështetje nga shteti. Do të jetë hapësirë ku qeveria do të jetë tërësisht aty, por patjetër që e mira e do që te Pasqyrë Albania të jenë edhe dy pushtete të tjera, pushteti legjislativ dhe gjyqësor, por kjo është vendimmarrje e tyre”, tha Rama.

Kryeministri kërkoi që qeveria të mos merret me “pasqyrën”, por me veten, pasi platforma sipas tij duhet të jetë një mekanizëm transparent që mund të përdoret edhe kundër vetë qeverisë, nëse puna nuk është bërë siç duhet.

Të njëjtin mesazh Rama e adresoi edhe për Partinë Socialiste, duke theksuar se edhe PS-ja nuk duhet të “zihet” me pasqyrën, por të merret me veten dhe të përballet me atë që ajo pasqyrë do të tregojë. Nëse nuk merret me veten, atëhere sipas tij do të duhet të hapë krahun.

Kryeministri njoftoi po ashtu se shfaqja e parë e “Pasqyrë Albania” pritet të jetë gati brenda pak javësh dhe do të nisë me një komponent të posaçëm të quajtur “Pasqyra e Flamingos”.

Në këtë hap të parë do të vendosen në dispozicion të publikut të gjitha informacionet që lidhen me projektin e Sazanit dhe zonën e Nartë-Pishë Poros, për të cilin Rama theksoi edhe një herë se do të vijojë.

Sipas kryeministrit, në “Flamingo Mirror” do të publikohen dokumentet përkatëse, të dhënat e procesverbaleve, statusi i negociatave, referencat ligjore dhe më tej edhe projektet, studimet mjedisore dhe çdo informacion tjetër që lidhet me këtë çështje.

“Dhe kartela publike plotëson disa kritere shumë të thjeshta, cila është puna që po bëhet apo u bë, në interes të kujt është, cili institucion po e ndjek apo e ndoqi, cili përgjigjet për pyetjet që mund të kem unë rreth kësaj pune, ku janë dokumentet, afatet, statusi, çfarë ka ndryshuar, cila është prova dhe të tjera dhe faktikisht së shpejti, kur them së shpejti çështje javësh, shfaqja e parë e pasqyrës, sepse është një punë shumë e madhe që po bëhet për ta ndërtuar të gjithë këtë arkitekturë të re, shfaqja e parë e pasqyrës do të jetë një komponent i saj i cili quhet “Pasqyra e Flamingos” ku do të ekspozohen nga A te ZH të gjitha aspektet e mundshme që lidhen me një çështje me rëndësi të veçantë dhe në rastin konkret tema e Sazanit dhe e Nartë-Pish Poro, nuk ka Nartë Vjosë, do të jetë e gjitha e ekspozuar me dokumentet përkatëse, me të dhënat e procesverbaleve, me statusin e negociatave, me referencat ligjore për të gjitha pikat e ngritura si problem dhe pastaj ajo do të pasurohet hap pas hapi me projektin, studimin mjedisor, me gjithçka. Cilido në shqip apo anglisht se kjo çështje ka një interes të madh dhe për anglishtfolësit mund të futet aty dhe të gjejë gjithçka që lidhet me temë. Por patjetër që Flamingo Mirror është një pasqyrë aktive që do të thotë që është aty e gjallë për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe nëse ka diçka që nuk gjendet sipas dikujt aty “Flamingo Mirror” duhet ta plotësojë ose duhet të japë përgjigje se pse nuk mund ta kërkojë aty”, tha Rama. 

Pjese nga fjala e Edi Ramës:

Në këtë mënyrë të gjithë personat përgjegjës lidhur me çfarë nuk shkon janë në dritën e diellit. Dhe ose janë të larë përballë publikut sepse nuk lidhet me përgjegjësinë e tyre drejtpërdrejt rrëshqitja e një kodre ose janë aty të pajustifikueshëm me deklarata dhe me postime të rastit. Qytetari sot duhet të bëjë shumë përpjekje dhe shpesh të pasuksesshme për të ditur se cila zyrë mban çelësin e fatit të një çështjeje që lidhet me të. Shteti ka detyrimin të ketë një adresë të vetme, publike për faktin, dokumentin dhe provën e çdo pune të madhe dhe halli të vogël.

Tani, në hamendësimet e bëra thuhet që pasqyra është një tjetër hap që vjen nga përpjekja për të mbuluar dështimin e platformës bashkëqeverisje ndërkohë që kjo është e pavërtetë, jo se platforma s’ka dështuar, por do jetë pjesë e pasqyrës. Ama çfarë platforma e bashkëqeverisjes nuk i ka bërë deri më sot, pasqyra do ta garantojë, edhe përmes platformës bashëqeverisëse e cila aktualisht është në një proces transformimi për shkak se nuk e kemi pasur instrumentin e jashtëzakonshëm që kemi sot, inteligjencën artificiale.

E-Albania do të jetë pjesë përbërëse po ashtu e pasqyrës dhe dosja personale, dokumentet individuale, komunikimi vetjak për çështje shërbimesh apo çështje hallesh të një qytetari mbeten të mbrojtura dhe vazhdojnë të kryhen përmes E-Albania ose në kanalin përkatës ku zgjidhet çështja. Halli vazhdon të trajtohet me dinjitet, por risia është që halli individual nuk mbetet jetim në mjegullën e padepërtueshme të xhunglës dixhitale. Pasqyra Albania publikon në kohë reale për çdo qytetar ku ngec një shërbim për të. Pasqyra Albania informon çdo qytetar të interesuar sa zgjat përgjigjja që ai duhet të presë. Pasqyra Albania mban në kontakt të vazhdueshëm çdo qytetar që do të jetë në kontakt të vazhdueshëm për çdo ndryshim që bëhet në korpusin legjislativ dhe në korpusin rregullator të Republikës së Shqipërisë dhe Pasqyra Albania do fitojë një kapacitet të ri që çdo qytetari që do të dëshirojë të jetë i informuar përmes celularit për çfarë ndodh në fushën e tij të jetës, çdo qytetar sipërmarrës i vogël, sipas profesionit apo fushës së interesit regjistron në Pasqyra Albania dëshirën për të qenë i lajmëruar dhe kështu do i shkojë informacioni në kohë reale. Pasqyra Albania nuk mbledh të dhëna jashtë dijenisë së cilido qoftë dhe nuk përdor të dhënat e mbledhura.

Pasqyra Albania do të informojë çdo qytetar që ndodhet në një zonë ku ka rrezik zjarri, përmbytje, jo duke pritur konferencën e shtypit të ministrit përkatës, apo duke ndjekur në pasqyrat mediatike se botës i erdhi fundi. Mjeti themelor i Pasqyrës është kartela publike, pasqyra nuk ka asnjë tekst propagandistik, asnjë deklaratë se çfarë do bëjmë ne, pasqyra ka vetëm çfarë bën qeveria sot, çfarë bën me gjasë parlamenti, pushteti gjyqësor sot. Dhe kartela publike plotëson disa kritere shumë të thjeshta, cila është puna që po bëhet apo u bë, në interes të kujt është, cili institucion po e ndjek apo e ndoqi, cili përgjigjet për pyetjet që mund të kem unë rreth kësaj pune, ku janë dokumentet, afatet, statusi, çfarë ka ndryshuar, cila është prova dhe të tjera dhe faktikisht së shpejti, kur them së shpejti çështje javësh, shfaqja e parë e pasqyrës, sepse është një punë shumë e madhe që po bëhet për ta ndërtuar të gjithë këtë arkitekturë të re, shfaqja e parë e pasqyrës do të jetë një komponent i saj i cili quhet “Pasqyra e Flamingos” ku do të ekspozohen nga A te ZH të gjitha aspektet e mundshme që lidhen me një çështje me rëndësi të veçantë dhe në rastin konkret tema e Sazanit dhe e Nartë-Pish Poro, nuk ka Nartë Vjosë, do të jetë e gjitha e ekspozuar me dokumentet përkatëse, me të dhënat e procesverbaleve, me statusin e negociatave, me referencat ligjore për të gjitha pikat e ngritura si problem dhe pastaj ajo do të pasurohet hap pas hapi me projektin, studimin mjedisor, me gjithçka. Cilido në shqip apo anglisht se kjo çështje ka një interes të madh dhe për anglishtfolësit mund të futet aty dhe të gjejë gjithçka që lidhet me temë. Por patjetër që Flamingo Mirror është një pasqyrë aktive që do të thotë që është aty e gjallë për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe nëse ka diçka që nuk gjendet sipas dikujt aty “Flamingo Mirror” duhet ta plotësojë ose duhet të japë përgjigje se pse nuk mund ta kërkojë aty.

Po ndodh...

ide