“Fute te spitali i Elbasanit se na iku"/ Humbi jetën rrugës për Tiranë, detaje të reja për vdekjen e 37-vjeçares 7-muajshe shtatzënë nga Pogradeci

31 August 2026, 14:36 / AKTUALITET ALFA PRESS

Marjana Karolina Bunaj, 37-vjeçarja shtatzënë që humbi jetën teksa dërgohej nga spitali i Pogradecit drejt Tiranës priste fëmijën e saj të parë.

Gruaja nga Mirdita, e martuar në Pogradec, ishte në muajin e 7-të të shtatzënisë.

I shoqi kishte pak ditë që ishte larguar drejt SHBA-ve, ku ai dhe familja e tij jetojnë, ndërsa 37-vjeçarja priste që t’u bashkohej atje.

Për të do të ishte hera e parë në SHBA, mesnatën e së dielës, 37-vjeçarja kishte dhimbje barku.

Ajo ka telefonuar motrën që banonte pranë saj, e cila menjëherë ka shkuar dhe e ka marrë me makinë për ta dërguar në spital.

Atje mjekët kanë dyshuar për hemorragji dhe pasi e kanë vendosur në katin e sipërm të maternitetit, kanë konstatuar se duhej dërguar në Tiranë.

Është diskutuar edhe helikopteri por duke qenë se ka qenë errësirë, s’mund të realizohej.

Sipas informacioneve të para, 37-vjeçarja është paraqitur me parametra jetësorë të ulët, në gjendje të patransportueshme, ndërsa më pas është kryer edhe reanimimi.

Në orën 04:30 e kanë nisur me ambulancë për Tiranë. Në hyrje të Elbasanit ajo ka ndaluar së reaguari dhe infermierja i ka rënë xhamit të shoferit duke i thënë “Fute te spitali i Elbasanit se na iku.”

Motra e 37-vjeçares ka qenë e pranishme edhe në ambulancë dhe thotë se 37-vjeçarja mbërriti e vdekur në spital.

Më pas e dërguan për autopsi në morgun e Tiranës, kurse motra e së ndjerës ka shkuar në komisariatin nr. 4 për të bërë një kallëzim.

Po ndodh...