Gjiganti mediatik aziatik Al Jazeera: Protestat në Shqipëri intensifikohen, por Rama përdor justifikimin banal të forcave nga jashtë

17 October 2026, 10:54 / POLITIKË ALFA PRESS

Gjiganti mediatik aziatik Al Jazeera: Protestat në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka fajësuar “duart e huaja” për protestat e udhëhequra nga studentët, të cilat po bëhen gjithnjë e më të dhunshme dhe kërkojnë dorëheqjen e tij.

Për të katërtën ditë radhazi, policia e rendit është përplasur me protestuesit para Ministrisë së Arsimit, ndërsa mijëra të rinj shqiptarë marshuan të premten në kryeqytet, Tiranë, për të protestuar kundër korrupsionit qeveritar dhe kushteve të këqija në universitete.

“Kjo nuk është një lëvizje studentore”, tha Rama në një videomesazh të publikuar të premten. Ai pretendoi se kishte “duar të huaja që nuk duan që Shqipëria të jetë në paqe”.

Rama këmbënguli se protesta “nuk ka absolutisht asnjë lidhje me vështirësitë, problemet apo aspiratat e ligjshme të askujt që dëshiron një jetë më të mirë”.

Policia përdori autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës, ndërsa demonstruesit hodhën gurë.

Sipas raportimeve të mediave vendase, protestat janë përhapur përtej kryeqytetit, në Elbasan, Shkodër dhe Korçë, ku demonstruesit thyen xhama dhe u vunë flakën koshave të mbeturinave.

Prej disa ditësh, protestuesit po shënjestrojnë gjithnjë e më shumë bankat dhe ndërtesat qeveritare. Të martën, ata hodhën tulla dhe blloqe betoni drejt Ministrisë së Arsimit. Gjithashtu, u vunë flakën disa ndërtesave në qytet, përfshirë zyrën e kryeministrit, ndërtesat e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë, si dhe degët e disa bankave.

Sipas një deklarate të policisë, të enjten në mbrëmje u ndaluan 160 persona, të dyshuar për përfshirje në akte dhune.

Çështja e BE-së

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës, si dhe reforma në sistemin zgjedhor dhe atë arsimor.

Kryeministri, qeveria e të cilit mohon akuzat për korrupsion, tha se ishte i gatshëm të diskutonte rritjen e kostove të arsimit, por hodhi poshtë kërkesat për dorëheqjen e tij.

Të enjten, ai deklaroi: “Përgjegjësia ime është të dëgjoj, të trajtoj shqetësimet e ligjshme dhe ta çoj Shqipërinë përpara”.

Dorëheqja e tij, shtoi Rama, “do të ishte një tradhti ndaj shqiptarëve që më dhanë një mandat të fortë për të përfunduar negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”.

Skandalet e korrupsionit e kanë vështirësuar përpjekjen e Shqipërisë për t'u anëtarësuar në BE. Analistët thonë se vendi është një qendër ku grupet kriminale përpiqen të pastrojnë paratë e fituara nga trafiku i drogës dhe i armëve.

Po ndodh...