Golat e anuluar nuk e ndalin Tiranën, Daci i jep tri pikët bardhebluve

17 October 2026, 17:07 / SPORT ALFA PRESS
Golat e anuluar nuk e ndalin Tiranën, Daci i jep tri pikët bardhebluve

Tirana ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në Abissnet Superiore, duke mposhtur Laçin me rezultatin 1-0 në ndeshjen e javës së shtatë. Në sfidën e zhvilluar në Vorë, bardheblutë iu falën golit të Dacit në minutën e 77-të për të marrë tri pikët e radhës.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, megjithëse Tirana u shfaq më kërkuese dhe iu afrua avantazhit që në minutën e 8-të, kur një goditje e saj u ndal nga traversa.

Pas pushimit, bardheblutë vijuan të kërkonin golin, por disa herë festimi i tyre u ndërpre nga vendimet për pozicion jashtë loje. Fillimisht u anulua një gol i Bernard Berishës në minutën e 64-t, ndërsa pesë minuta më vonë nuk u konsiderua i vlefshëm as një tjetër aksion i përfunduar me gol nga Kish. Edhe Berisha shënoi sërish në minutën e 81-të, por goli i tij u anulua.

Momenti vendimtar erdhi në minutën e 77-të. Bernard Berisha ndërtoi aksionin nga krahu i djathtë dhe dërgoi topin në zonë, ku Daci u tregua i saktë në devijimin drejt rrjetës, duke i dhënë Tiranës avantazhin që do të rezultonte vendimtar.

Laçi u përpoq të reagonte, por nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës dhe të shmangte humbjen.

Me këtë sukses, Tirana regjistron fitoren e dytë radhazi pas triumfit në derbi ndaj Partizanit dhe ngjitet përkohësisht në vendin e katërt me 11 pikë. Nga ana tjetër, Laçi pëson humbjen e tretë radhazi dhe mbetet me 7 pikë në klasifikim.

 

Po ndodh...