Kosovë/ Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Vendi po shkon në zgjedhje

2 September 2026, 22:44 / KOSOVA ALFA PRESS
Kosovë/ Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Vendi po shkon në zgjedhje

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kreu i LVV-së, Albin Kurti, janë takuar të mërkurën pasdite për të diskutuar zhvillimet politike pas pajtueshmërisë për kandidatin për president të Kosovës.

Pas takimit, Abdixhiku ka folur shkurt për mediat, ndërsa më herët, përmes një reagimi publik, ka kritikuar gjashtë deputetët e LDK-së që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president.

Abdixhiku ka kundërshtuar argumentin e deputetëve se votimi i Sejdiut do t’i zgjaste jetën pushtetit të Albin Kurtit. Sipas tij, LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në opozitë dhe nuk kishte pasur asnjë marrëveshje për bashkëqeverisje me LVV-në.

“Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në opozitë. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këtë pozicion”, ka shkruar Abdixhiku.

 

Sipas kreut të LDK-së, ajo që u refuzua ishte kandidatura për president e propozuar nga LDK-ja dhe, si pasojë, vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.

“Dje u refuzua zgjidhja e presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja”, ka deklaruar ai.

Në qendër të përplasjes janë gjashtë deputetë të LDK-së – Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Arben Gashi – të cilët kanë kundërshtuar kandidaturën e Bekim Sejdiut.

Ky grup deputetësh ka mbajtur qëndrime kritike edhe ndaj drejtimit të partisë nga Abdixhiku dhe tashmë ka shprehur qëndrime të përafërta me PDK-në dhe Aleancën në lidhje me zgjedhjen e presidentit dhe formimin e qeverisë së ardhshme.

Ndërkohë, me 74 vota të mundshme në favor të Bekim Sejdiut, zgjedhja e presidentit nuk do të mjaftonte për të shmangur zgjedhjet e reja të parakohshme, pasi për formimin e institucioneve të reja kërkohet një zgjidhje më e gjerë politike.

Abdixhiku u ka kujtuar gjithashtu deputetëve “rebelë” zhvillimet e vitit 2020, kur LDK-ja u përfshi në krijimin e Qeverisë Hoti pas rrëzimit të qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

 

Po ndodh...

ide