Luan Muça i plagosur në spital, kryepolici i Vlorës sqaron sherrin e biznesmenëve: Vasil Bedinajt i vendosën gjobë 5 milionë euro dhe i lanë 48 orë…

3 September 2026, 19:59 / POLITIKË ALFA PRESS
Luan Muça i plagosur në spital, kryepolici i Vlorës sqaron

Kryepolici i DVP Vlorë, Ervin Ndreu ka dalë në një konferencë për mediat mbrëmjen e kësaj të enjte, për të sqaruar konfliktin e biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinaj, në ambientet e resortit të këtij të fundit, "Rengina Palm" në Radhimë.

"Rreth orës 11:30 jemi njoftuar se Vasil Bedinaj ishte kërcënuar me arme zjarri. Ngritëm pika kontrolli ne qytet dhe ne Dhërmi. Njoftuam dhe Fierin dhe Gjirokastrën. Rreth ores 12:00 në pikën e kontrollit në Alikokë, mjeti Range Rover nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar.

Ai ka vazhduar drejt fshatit Peshkëpi. Në urën e Peshkëpisë, ky automjet ka humbur drejtimin dhe është përplasur me barrierat e rrugës.

Në këtë automjet ndodheshin Luan Muça, Klaudio dhe Mandid Lleshaj, vëllezër dhe punonjës të SWAT Security. Si pasojë e daljes nga rruga, Luan Muça dhe Mandid Lleshaj janë dërguar në spital sepse janë plagosur. Policia ka gjetur në makinë pistoletë dhe krehër me 16 fishekë", u shpreh drejtori Ervin Ndreu.

Më tej, kryepolici i Vlorës ka sqaruar se shërbimet e DVP Fier kanë ndaluar në bypassin e Fierit një automjet të shpallur në kërkim, i dyshuar i përdorur në ngjarjen e Radhimës. Në drejtim të tij ka qenë shtetasi kosovar, Blerim Heta.

"Në orën 13:00 pika e kontrollit në Fier te Mbikalimi i Memorialit, ka ndaluar një automjet të shpallur në kërkim për këtë ngjarje, me drejtues shtetasin kosovar Blerim Heta. Nga kontrolli, kishte dëmtime në xham, krahu i pasagjerit, të shkaktuara nga armë zjarri. Brenda janë gjetur 3 fishekë pistolete.

Rreth orës 16:30 në Bypassin e Vlorës, në Kaninë është konstatuar duke u djegur një automjet Audi A8 i dyshuar i përdorur në ngjarje", njoftoi kryepolici i Vlorës, duke konfirmuar se dhe Audi A8 që po digjej në Kaninë 5 orë pas ngjarjes, ishte i Luan Muçës, biznesmeni pronarë i Deltës.

Për këtë ngjarje, janë arrestuar pesë shtetas dhe janë shpallur në kërkim gjashtë të tjerë, si dhe katër makina të dyshuara të përfshira. Sipas kryepolicit Ervin Ndreu, biznesmeni Luan Muça dhe shoqëruesit e tij i kanë vendosur gjobë 5 milionë euro Vasil Bedinaj dhe i kanë lënë 48 orë kohë të largohej nga Shqipëria.

"Nga tërësia e veprimeve hetimore, rezulton se shtetasi Luan Muça bashkë me disa shtetas të tjerë, kanë shkuar në hotelin në pronësi të Vasil Bedinaj, të cilit nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike i kanë vendosur gjobë prej 5 milionë eurosh dhe e kanë kërcënuar të largohej nga Shqipëria brenda 48 orësh.

Ndërkohë, shtetasi Anxhelo Breshani ka shkuar në makniën e Vasil Bedinaj, ka marrë armën e zjarrit që ai e dispononte me leje, dhe ka qëlluar drejt makinave dhe shtetasve që ndodheshin aty.

Janë arrestuar: Luan Muça, Klaudio Lleshaj, Mandid Lleshaj, Blerim Heta, Anxhelo Breshani.

Janë shpallur në kërkim 6 shtetas dhe 4 makina të përfshira në këtë ngjarje.

Vrasje e mbetur në tentativë, shtrëngim për dhënie pasurie dhe armëmbajtje pa leje", sqaroi më tej kryepolici i Vlorës, Ervin Ndreu, duke thënë se kontrollet në qytet vazhdojnë për të ndaluar personat e tjerë, të cilët mund të jenë dhe të plagosur.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Drejtues Edvin Ndreu – deklaratë për median

Përshëndetje!

Siç jeni bërë me dije nëpërmjet informacionit paraprak, sot, rreth orës 11:30, jemi njoftuar nga pronari i një hoteli në Radhimë, konkretisht nga shtetasi V. B., se kishte nevojë për ndihmë, pasi disa persona e kishin dhunuar dhe kërcënuar me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë dhe janë nisur në drejtim të adresës së dhënë.

Duke vlerësuar maksimalisht informacionin e marrë, u ngritën pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit të Vlorës dhe në Dhërmi. Gjithashtu, menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë.

Ndërkohë, u bashkëpunua me Drejtoritë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe Fier për ngritjen e pikave të kontrollit edhe në këto territore.

Rreth orës 12:00, në pikën e kontrollit në Rrethin e Alikokës, një automjet fuoristradë, tip “Range Rover”, me ngjyrë të zezë, nuk iu bind shërbimeve të Policisë për të ndaluar, duke vijuar rrugën në drejtim të fshatit Peshkëpi. Gjatë ndjekjes, në vendin e quajtur Ura e Peshkëpisë, ky automjet ka dalë nga rruga, duke goditur barrierat mbrojtëse të saj.

Në këtë automjet ndodheshin tre shtetas, konkretisht shtetasi Luan Muça, drejtues i automjetit, dhe dy pasagjerët, shtetasit Klaudio dhe Mandrit Lleshaj, vëllezër, punonjës të SH.P.S.F. “Swat Security”.

Si pasojë e daljes nga rruga, shtetasit Luan Muça dhe Mandrit Lleshaj janë dëmtuar dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës, jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri, pistoletë, së bashku me një krehër me 16 fishekë luftarakë.

Rreth orës 13:00, pika e kontrollit e ngritur nga shërbimet e DVP Fier, në vendin e quajtur Mbikalimi i Memorialit, ka ndaluar një nga automjetet e shpallura në kërkim, me drejtues shtetasin kosovar Blerim Heta.

Nga këqyrja dhe kontrolli i automjetit u konstatua se kishte dëmtime në xhamin nga krahu i pasagjerit, të shkaktuara, dyshohet, me armë zjarri. Në brendësi të automjetit u gjetën tre fishekë pistolete.

Rreth orës 16:30, në bypass-in e Vlorës, afër fshatit Kaninë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip “Audi A8”, i dyshuar se është përdorur nga autorët në ngjarje.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se shtetasi Luan Muça, së bashku me disa shtetas të tjerë, ka shkuar në hotelin në pronësi të shtetasit Vasil Bedinaj, të cilit, nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike, i kanë vendosur një gjobë prej 5 milionë eurosh dhe e kanë kërcënuar që, pas 48 orësh, të largohej nga Shqipëria.

Ndërkohë, shtetasi Angjelo Breshani ka shkuar te automjeti i shtetasit Vasil Bedinaj dhe ka marrë armën e zjarrit që ky e posedon me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave që ndodheshin aty.

Në përfundim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

- Luan Muça, 55 vjeç, banues në Tiranë;

- Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, banues në Tiranë;

- Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, banues në Tiranë;

- Blerim Heta, 40 vjeç, shtetas kosovar;

- Angjelo Breshani, 29 vjeç, banues në Vlorë.

Janë shpallur në kërkim 6 shtetas dhe 4 automjete të dyshuara se janë përfshirë në ngjarje dhe vijon puna intensive për kapjen e tyre.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore dhe operacionale për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Po ndodh...

ide