VIDEO/ Kryefamiljari u mor zvarrë nga Policia në sy të fëmijëve, Skënder Hita pezullon 3 efektivët

3 September 2026, 16:43 / AKTUALITET ALFA PRESS
VIDEO/ Kryefamiljari u mor zvarrë nga Policia në sy të

Një situatë e paprecedentë u raportua nga fshati Krekëz i Kuçovës, ku një familje me gjashtë anëtarë është përballur me një episod të dhunshëm nga Policia.

Kryefamiljari Dashnor Toska është marrë zvarrë dhe shoqëruar në sy të fëmijëve të cilët qajnë dhe bërtasin para efektivëve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita ka pezulluar menjëherë nga detyra tre punonjësit e Komisariatit të Policisë Kuçovë, pas publikimit të videos së mësipërme.

Masa e pezullimit ka prekur inspektorët K. M. dhe D. D., me detyrë trupë shërbimi në Patrullën e Përgjithshme, si dhe inspektorin A. M., ndihmësspecialist (SPZ). Paralelisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre për shkeljet grave “Përdorimi i paligjshëm dhe i paarsyeshëm i forcës” si dhe “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë”.

Krahas masave disiplinore, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka përgënjeshtruar pretendimet se shoqërimi i shtetasit D. T. po kryhej për shkak të punimeve pa leje.

Sipas sqarimit zyrtar, ndërhyrja ka ardhur pas një kallëzimi të bërë më 20 korrik 2026 nga kunata e tij, shtetasja V. T., e cila e ka denoncuar atë për kanosje. Dy familjarët ndodhen prej kohësh në një konflikt të hapur dhe në proces gjyqësor për pronësinë e një sipërfaqeje toke.

Sipas policisë, më 3 gusht 2026, efektivët kanë shkuar në fshatin Krekëz për të ekzekutuar shoqërimin e shtetasit D. T., pasi ky i fundit kishte refuzuar të paraqitej vullnetarisht në komisariat për t’u pyetur në cilësinë e personit nën hetim.

 

Reagimi i plotë:

Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, ku shfaqet shoqërimi i një shtetasi nga punonjësit e Policisë së Komisariatit të Policisë Kuçovë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita ka pezulluar menjëherë nga detyra 3 punonjësit e Komisariatit të Policisë Kuçovë që shfaqen në video, konkretisht: inspektorët K. M. dhe D. D., oficerë të Patrullës së Përgjithshme, si dhe inspektor A. M., ndihmësspecialist (SPZ).

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në zbatim të kërkesave të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, në DPPSH, për nisjen e hetimit disiplinor ndaj 3 punonjësve të pezulluar nga detyra, për shkeljet “Përdorimi i paligjshëm dhe i paarsyeshëm i forcës” dhe “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”.

Ndërkohë, sqarojmë opinionin publik se shoqërimi i shtetasit D. T., që shfaqet në video, nuk është bërë për kryerjen e punimeve të ndërtimit pa leje, por për shkak se ndaj tij është bërë kallëzim për kanosjen e kunatës së tij.

Më datë 20.07.2026, në Komisariatin e Policisë Kuçovë është paraqitur kunata e shtetasit D. T., shtetasja V. T., e cila ka kallëzuar se ky shtetas e kishte kanosur.

Në kuadër të veprimeve procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Kuçovë dhe pas konsultimit me Prokurorinë e Beratit, më datë 03.08.2026, shërbimet e Policisë kanë shkuar në fshatin Krekëz, për të shoqëruar shtetasin D. T., i cili nuk kishte pranuar të paraqitej vullnetarisht në Komisariat, pas njoftimit nga ana e Policisë, për t’u pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime.

Në vijim të veprimeve për rastin, materialet procedurale janë referuar në Prokurori, për veprën penale “Kanosja”, parashikuar nga neni 84 i Kodit Penal.

Duke qenë se palët janë në situatë konfliktuale dhe në proces gjyqësor për një pronë (tokë), Komisariati i Policisë Kuçovë e ka trajtuar në mënyrë të vazhdueshme problematikën ndërmjet tyre, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatës, duke reaguar ndaj çdo njoftimi dhe duke kryer veprimet procedurale në përputhje me ligjin.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit garanton qytetarët se çdo pretendim për shkelje të ligjit apo të standardeve profesionale nga ana e punonjësve të Policisë do të verifikohet me seriozitet dhe paanshmëri.

Çdo punonjës Policie që konstatohet se ka shkelur ligjin, rregullat e shërbimit apo ka cenuar besimin e qytetarëve me veprimet e tij, do të mbajë përgjegjësi sipas parashikimeve të ligjit dhe të Rregullores së Policisë së Shtetit.

Po ndodh...

ide