Nga Rrësheni në Romë, Belgjikë e Tiranë/ Vrasje, atentate e makina të djegura, saga e “Pushkës së kuqe” merr sërish jetë

3 September 2026, 15:00 / AKTUALITET ALFA PRESS
Nga Rrësheni në Romë, Belgjikë e Tiranë/     Vrasje,

Një nga historitë më të rënda të gjakmarrjes në Mirditë ka goditur sërish. Viktor Bardhi u gjet i vrarë me armë zjarri brenda automjetit të tij, në fshatin Ndërfushaz, duke rikthyer në vëmendje një prej konflikteve më të vjetra dhe më të përgjakshme të zonës, atë mes familjeve Reçi dhe Bardhi.

Policia ka njoftuar se po heton një pistë kryesore për ngjarjen, por pa dhënë detaje mbi motivin apo autorët. Megjithatë, historia e përplasjes mes familjeve Reçi dhe Bardhi është e njohur prej dekadash dhe është shoqëruar ndër vite me një seri ekzekutimesh, atentatesh dhe hakmarrjesh.

Saga do të niste më 1 maj 1995, me vrasjen e Ilir Reçit. Përplasja kishte lindur pas një konflikti mes tij dhe një pjesëtari të familjes Bardhi. Reçi, i konsideruar në atë kohë si një prej personave me ndikim në Rrëshen, i kishte kërkuar familjes Bardhi që të mos kalonte lumin Fan dhe të hynte në qytet.

Pas konfliktit, Pjetër Bardhi, atëherë oficer i ushtrisë, shkoi në Rrëshen dhe qëlloi për vdekje Ilir Reçin me armën e shërbimit.

Nga ai moment, konflikti nuk do të mbetej më mes dy familjeve. Në të do të përfshiheshin edhe familjet Jaku dhe Gjini. Jaku u pozicionua në krah të Reçëve, ndërsa Gjini u lidh me familjen Bardhi. Një zinxhir vrasjesh do të vijonte për më shumë se tri dekada.

9 shtator 2016 – Saimir Jaku

Pas 21 vitesh, gjakmarrja do të rikthehej në skenë. Saimir Jaku, drejtues i linjës së Tensionit të Lartë për veriun në OSHEE, u qëllua për vdekje në një lokal në Rrëshen.

Dy persona të armatosur hapën zjarr me kallashnikov, ndërsa një tjetër person mbeti i plagosur.

28 prill 2017 – Gasper Reçi

Vetëm disa muaj më vonë, më 28 prill 2017, Gasper Reçi, 43 vjeç, nga Rrësheni, u vra me armë zjarri në banesën e tij në Tor Vergata të Romës.

Ai u qëllua me katër plumba, ndërsa në banesë ndodhej edhe vajza e tij. Autorët nuk u identifikuan në atë kohë dhe dyshimet u orientuan drejt konfliktit të vjetër mes familjeve të përfshira në hasmëri.

6 shtator 2017 – Kreshnik Gjini

Vetëm pak muaj më pas, hakmarrja goditi në anën tjetër.

Kreshnik Gjini, 31 vjeç, u vra në komunën Forest të Belgjikës. Dy persona të maskuar e qëlluan teksa po hynte në automjetin e tij.

Në atë kohë, vrasja u dyshua se mund të kishte lidhje me ekzekutimin e Gasper Reçit në Romë.

Gusht 2019 – Armando Gjini

Dy vite më vonë, në gusht 2019, Armando Gjini u vra me armë zjarri në qendër të Rrëshenit.

Edhe kjo ngjarje u pa në kuadër të historisë së përplasjeve që prej vitesh kishte përfshirë familje të ndryshme të Mirditës.

7 janar 2020 – Kastriot Reçi

Në janar 2020, radha ishte sërish e familjes Reçi.

Kastriot Reçi u vra pranë lokalit të tij në qendër të Rrëshenit. Ai u qëllua nga distanca ndërsa po lëvizte në këmbë.

Shtator 2020 – atentati ndaj Preng Gjinit

Vetëm disa muaj më pas, konflikti u zhvendos në Tiranë.

Preng Gjini mbeti i plagosur rëndë nga një shpërthim me eksploziv në një zonë të populluar të kryeqytetit. Atentati u lidh në atë kohë me dyshimet për një hakmarrje të ardhur nga konflikti i gjatë në Mirditë.

4 shtator 2023 – Martin Bardhi

Tre vite më vonë, goditja do të binte mbi familjen Bardhi.

Martin Bardhi, i njohur edhe si Marjan Marku, u vra në lokalin e tij në Rrëshen, pak pasi ishte liruar nga qelia dhe ishte ulur në lokal.

Një automjet, i dyshuar se përdorej nga autorët, ishte parë disa herë pranë biznesit. Më pas, ndaj Bardhit u hap zjarr me armë automatike. Ai mbeti i vrarë në vend, ndërsa tre persona të tjerë u plagosën.

Automjeti i dyshuar si i autorëve u gjet më vonë i djegur në fshatin Gëziq.

13 janar 2025 – Kristian Bardhi

Familja Bardhi do të goditej sërish në vitin 2025.

Kristian Bardhi, i njohur edhe si Marku, u ekzekutua në aksin Fier-Vlorë. Autorët, që dyshohet se ishin tre persona, i zunë pritë në mbikalimin e Novoselës.

Ata e ndoqën me automjet dhe më pas hapën zjarr ndaj tij më shumë se 13 herë, duke përdorur armë zjarri të tipit pistoletë ose automatik të vogël “Shars”.

Kristian Bardhi mori tre plumba në trup. Pas atentatit, automjeti me të cilin udhëtonte u përplas disa herë me trafikndarëset, përpara se të ndalonte.

Dhe tani, Viktor Bardhi.

Prita, breshëri plumbash, atentate të mirëorganizuara, makina të djegura dhe autorë që shpesh mbeten pa emër e pa gjurmë. Këto janë elementët që karakterizojnë një sagë gjakmarrjeje që në Mirditë është pagëzuar prej kohësh me një emër: “Pushka e kuqe”.

Më shumë se 30 vite pas shkrepjes së parë, ajo pushkë duket se nuk ka heshtur ende.

Vrasja e Viktor Bardhit rikthen frikën se zinxhiri i hakmarrjeve mund të vazhdojë, ndërsa shumë prej atentateve të kësaj saga ende mbeten të rrethuara nga pikëpyetje dhe autorë të paidentifikuar.

Nëse drejtësia nuk arrin të zbardhë vrasjet dhe të vendosë përgjegjësit përpara ligjit, “Pushka e kuqe” rrezikon të vazhdojë të shkrepë.

Po ndodh...

ide