Romeo Gurakuqi për krizën: Kosova ka nevojë për stabilitet dhe aleancë më të fortë me SHBA

3 September 2026, 15:06 / KOSOVA ALFA PRESS

Historiani dhe profesori universitar, Romeo Gurakuqi, e vlerëson situatën aktuale në Kosovë si një moment delikat politik dhe institucional.

Në një intervistë për Radio Kosovën, ai thotë se stabiliteti i brendshëm, forcimi i institucioneve dhe marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara janë jetike për Kosovën, ndërsa paralajmëron se Serbia vazhdon ta shohë destabilizimin si instrument politik kundër shtetësisë së Kosovës.

Radio Kosova: Si e vlerësoni momentin politik në të cilin ndodhet sot Kosova? A po përballet vendi me një krizë të zakonshme politike apo me një moment që mund të ketë pasoja më afatgjata për shtetësinë dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës?

Romeo Gurakuqi: Në fakt, prej muajsh Kosova ndodhet, sipas meje, në një moment mjaft delikat politik dhe institucional, për shkak të mungesës së dëshirës ose të kapacitetit për të lexuar drejt dhe saktë Kushtetutën e vendit, situatën aktuale ndërkombëtare, e cila është në ndryshim të vazhdueshëm, si dhe nevojat strategjike të Kosovës në këtë moment vendimtar. Kjo po ndodh në një kohë kur ekziston një nevojë imediate, sipas meje: ruajtja, me çdo kusht, në nivelet më të larta të mundshme, e marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe administratën e presidentit Donald Trump, me Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian. Moskuptimi, neglizhenca apo injorimi i vetë kuptimit të shtetit të Kosovës, të mishëruar në Kushtetutën e Republikës; mosvlerësimi i drejtë i situatës brenda Bashkimit Evropian në raport me Kosovën dhe i qëndrimeve të dyfishta që, për fat të keq, vazhdojnë të ekzistojnë brenda këtij organizimi; neglizhenca e çështjeve që lidhen me laicitetin dhe sekularizimin e shtetit të Kosovës, si dhe lejimi i depërtimit të faktorëve ndikues dhe destabilizues nga shërbimet e vendeve që punojnë kundër një Kosove evropiane dhe perëndimore, janë të gjithë faktorë që, sipas meje, ndikojnë në dobësimin e stabilitetit të Kosovës dhe e vendosin atë në një pozitë më të pambrojtur ndërkombëtarisht. Kjo është veçanërisht e rrezikshme përballë ambicieve të pakufizuara të Serbisë për rikthim. Thënë ndryshe, Kosova deri më tash ka vuajtur nga pamundësia për të gjetur një udhëheqësi gjithëpërfshirëse, me kapacitetet e nevojshme për të parë më larg, për të falur kur interesi shtetëror e kërkon dhe për të ndërtuar pajtim politik, një shtyllë themelore mbi të cilën qëndron shteti i Kosovës.

Radio Kosova: Zoti Gurakuqi, marrëdhëniet Kosovë–Serbi prej vitesh janë karakterizuar nga tensione dhe nga mungesa e një marrëveshjeje përfundimtare. A besoni se Serbia sot kërkon vërtet normalizim me Kosovën apo synon vetëm menaxhimin e konfliktit, për të shmangur njohjen e shtetit të Kosovës?

Romeo Gurakuqi: Për fat të keq, Serbia sot, ngjashëm me atë të së kaluarës, sipas vlerësimit tim, nuk e mendon seriozisht normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve me Kosovën. Nuk e pranon realitetin e ndryshuar dhe tashmë të konsoliduar gjeopolitik në Ballkan.Përkundrazi, besoj se ajo ndjek me vëmendje dhe monitoron në mënyrë sistematike paqëndrueshmërinë politike në Kosovë, dobësitë e saj institucionale, si dhe përçarjet brenda qarqeve politike shqiptare.Qartazi, Serbia ende ëndërron rikthimin. Shfaqjet e normalizimit që ne shohim herë pas here janë, në pjesën më të madhe, rezultat i detyrimeve dhe trysnisë që vijnë nga partnerët perëndimorë, dhe shumë më pak shprehje e një vullneti të mirë shtetëror nga Beogradi.Lëvizjet e Serbisë më duken të programuara dhe të orientuara drejt menaxhimit të konfliktit, jo drejt arritjes së një marrëveshjeje ndërkombëtare përfundimtare që do ta mbyllte çështjen e Kosovës me njohje reciproke dhe integrim paralel në Evropë.Ngjarjet që kanë ndodhur dy vjet më parë dhe zbulimet e herëpashershme të Policisë së Kosovës më bëjnë të kuptoj se në Serbi ekzistojnë struktura shtetërore, politike dhe intelektuale që punojnë në vazhdimësi për realizimin e objektivave të tyre strategjikë karshi Kosovës.Kjo është, në një farë mënyre, faqja e dytë e politikës serbe, ajo që ne, por edhe evropianët, jo gjithmonë e shohim menjëherë, por që ekziston dhe vepron në mënyrë të vazhdueshme.Në këto rrethana, Kosova ka vetëm një rrugë të sigurt: pjekurinë institucionale, stabilitetin politik, sekularizimin strikt të shtetit, zhvillimin e arsimit, forcimin e identitetit qytetar dhe kombëtar, si dhe forcimin e aleancës strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Në rrethanat e sotme, kjo do të thotë edhe ndërtimin e marrëdhënieve thelbësore dhe jo thjesht formale me presidentin Donald Trump dhe administratën e tij. Kosova duhet të rikuperojë, përmirësojë dhe institucionalizojë me urgjencë komunikimin e drejtpërdrejtë të presidentit të Republikës dhe të kryeministrit të Kosovës me administratën amerikane. Në rrethanat gjeopolitike në të cilat ndodhet Kosova, kjo nuk është thjesht e dëshirueshme, por është jetike dhe urgjente.

Radio Kosova: Duke parë zhvillimet aktuale politike në Kosovë, ku kemi një parti që dominon për nga numri i votave, por edhe një opozitë që herë duket më e shpërndarë e herë më e bashkuar rreth formimit të institucioneve, sa mendoni se kjo po i kushton vendit nga aspekti politik?

Romeo Gurakuqi: Unë besoj se kjo po i kushton mjaft vendit, sepse është momenti për t'i dhënë një zgjidhje situatës. Zgjidhjet në Kosovë janë krejt të mundshme. Ka forca intelektuale dhe njerëz me kapacitet që mund të kontribuojnë në tejkalimin e kësaj situate. Edhe zgjidhja e çështjes së presidentit të Republikës së Kosovës, ashtu si edhe konstituimi i Kuvendit, duhet të realizohen me shumë urgjencë dhe tolerancë nga të gjitha palët, pavarësisht qëndrimeve të tyre. Kosova ka disa shtylla themelore për të cilat nuk mund të negociohet. Ato janë të përcaktuara jo vetëm në Kushtetutë, por edhe në vetë frymën mbi të cilën është ndërtuar liria e Kosovës. Shteti i Kosovës është ndërtuar mbi bazën e lirisë, gjithëpërfshirjes dhe një rendi kushtetues që parashikon, jo rastësisht, që presidenti i Republikës së Kosovës duhet të përfaqësojë të gjitha palët. Këtu, para së gjithash, mazhoranca duhet të tregojë tolerancë. Njëkohësisht, edhe opozita duhet të heqë dorë nga ambicia për të imponuar qëndrime me metodat e vjetra politike. Pajtimi duhet të arrihet me njerëz që e nderojnë Kosovën, Shqipërinë dhe botën shqiptare. Kjo është një gjë krejtësisht e mundshme për t'u realizuar dhe është imediate për stabilitetin e shtetit.

Radio Kosova: Të kthehemi edhe një herë te dialogu Kosovë–Serbi, i cili prej vitesh ka mbetur në një status quo. A mendoni se mund të krijohet një moment i ri ndërkombëtar që do ta detyronte Beogradin dhe Prishtinën të pranonin një marrëveshje?

Romeo Gurakuqi: Unë besoj se rreziku i shndërrimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi në një konflikt të ngrirë afatgjatë është real, nëse vazhdohet me ritmin, mënyrën dhe metodat e deritanishme. Ajo që po shohim aktualisht është më shumë menaxhim i tensioneve sesa një proces që po ecën realisht drejt një zgjidhjeje përfundimtare. Vlerësimet ndërkombëtare flasin për një proces ku zbatimi i marrëveshjeve ka mbetur seriozisht prapa angazhimeve të marra. Megjithatë, nuk besoj se bashkësia euroatlantike do ta lejojë pafundësisht një gjendje të tillë. Kosova ndodhet në një hapësirë strategjike evropiane, ku një konflikt i pazgjidhur krijon mundësi për ndërhyrje dhe destabilizim nga faktorë të tretë. Prandaj, mendoj se do të vijë një moment i ri ndërkombëtar, në të cilin Shtetet e Bashkuara, së bashku me partnerët kryesorë evropianë, do të kërkojnë një zgjidhje më të qartë dhe më përfundimtare. Kosova, ndërkohë, duhet t'i kryejë me shpejtësi dhe saktësi detyrat e saj të brendshme. Nuk duhet të presë që faktorët ndërkombëtarë t'ia zgjidhin problemet e brendshme. Duhet të hyjë në çdo fazë të re të dialogut me institucione të qëndrueshme, me një udhëheqësi që kupton interesin afatgjatë shtetëror, me unitet sa më të gjerë rreth çështjeve themelore dhe me marrëdhënie të konsoliduara me Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët kryesorë të Bashkimit Evropian.

Radio Kosova: Veriu i Kosovës mbetet një nga pikat më të ndjeshme të sigurisë. Sa serioz është sot rreziku që një krizë e re në veri të përdoret nga Beogradi për të ndryshuar realitetin politik dhe të sigurisë në terren?

Romeo Gurakuqi: Serbia di të provokojë situata të tilla. Veriu i Kosovës mbetet një nga pikat më të ndjeshme të sigurisë së shtetit, pavarësisht sukseseve të dukshme që janë arritur.Duhet nënvizuar se qeveria e zotit Kurti ka pasur suksese të dukshme në veriun e Kosovës dhe, të paktën në këtë drejtim, meriton të vlerësohet për vendosmërinë e treguar për rivendosjen e integritetit dhe autoritetit shtetëror në atë pjesë të territorit.Rasti i Banjskës ishte një moment shumë i rëndësishëm. Ai dëshmoi se në Beograd ekzistojnë qarqe të gatshme për ta përdorur destabilizimin e veriut si instrument politik kundër shtetësisë së Kosovës.Megjithatë, dështimi i asaj përpjekjeje nuk do të thotë se tentativa të ngjashme nuk mund të përsëriten në të ardhmen, veçanërisht në një konjukturë ndërkombëtare më të pafavorshme për Kosovën dhe për demokracitë perëndimore.Pikërisht për këtë arsye, rëndësi të veçantë ka forcimi i kapaciteteve të inteligjencës dhe analizës strategjike për veriun, si dhe monitorimi profesional dhe sistematik i zhvillimeve në Serbi.Rreziku në veri nuk duhet as të ekzagjerohet dhe as të nënvlerësohet. Kontrolli i territorit është vetëm njëra anë e sigurisë; parandalimi kërkon inteligjencë, integrimin e qytetarëve, institucione funksionale dhe koordinim të vazhdueshëm me aleatët perëndimorë.

Radio Kosova: A vlerësoni se pas rastit të Banjskës, Bashkimi Evropian ka ndryshuar qasjen ndaj Serbisë?

Romeo Gurakuqi: Mendoj dhe shpresoj që pas Banjskës, Perëndimi e ka kuptuar më qartë natyrën dhe seriozitetin e rrezikut që mund të vijë nga politika e atyre qarqeve që kontrollojnë sot Serbinë. Megjithatë, nuk jam i bindur se ky ndërgjegjësim është shndërruar edhe në një ndryshim rrënjësor dhe përfundimtar të qasjes ndaj Serbisë. Fakti që edhe sot Bashkimi Evropian vazhdon t'i kërkojë Beogradit bashkëpunim për vendosjen para përgjegjësisë dhe ndjekjen penale të përgjegjësve për Banjskën tregon se kjo çështje mbetet ende e hapur. Qasja e Serbisë ndaj Kosovës, sipas meje, nuk do të ndryshojë në mënyrë thelbësore derisa Beogradi të vendoset përballë një kornize të qartë dhe të pakapërcyeshme ndërkombëtare për një marrëveshje përfundimtare. Në këtë proces, roli i Shteteve të Bashkuara është vendimtar. Bashkimi Evropian vazhdon të synojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht detyruese për normalizimin, por, sikurse ka treguar përvoja e deritanishme, vetëm procesi evropian nuk ka qenë i mjaftueshëm për të prodhuar një zgjidhje përfundimtare. Kosova nuk mund ta përballojë raportin me Uashingtonin vetëm përmes kanaleve rutinore diplomatike. Ajo ka nevojë për komunikim politik të drejtpërdrejtë dhe për besim reciprok në nivelin më të lartë. Pikërisht për këtë arsye, një nga vendimet më të rëndësishme institucionale për Kosovën sot është zgjedhja e një presidenti që, përveç patriotizmit dhe integritetit, të ketë formim të lartë, përvojë shtetërore, njohje të shkëlqyer të gjuhës angleze dhe aftësi për të komunikuar drejtpërdrejt me udhëheqësit e botës euroatlantike. Presidenti i Kosovës nuk duhet parë thjesht si rezultat i një marrëveshjeje mes partive, por si kreu i shtetit që, sipas rendit kushtetues, përfaqëson unitetin e popullit.

Radio Kosova: Ju jeni historian dhe keni trajtuar procesin e gjatë të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Nga një këndvështrim historik, sa ndikon trashëgimia e shekullit të kaluar në mënyrën se si Kosova dhe Serbia e shohin njëra-tjetrën sot? A mund të ketë pajtim të vërtetë mes këtyre dy vendeve pa një përballje serioze me të kaluarën?

Romeo Gurakuqi: Po i përgjigjem pjesës së fundit të pyetjes. Përballja me të kaluarën është një nga nyjat më të rëndësishme dhe themelore për një pajtim të vërtetë Kosovë–Serbi. Kjo përballje duhet të fillojë pikërisht me njohjen zyrtare nga Beogradi të krimeve të regjimit të Millosheviqit në Kosovë, me angazhimin e plotë të institucioneve të Serbisë për gjetjen e personave ende të zhdukur dhe me marrjen e përgjegjësive shtetërore për dëmet dhe humbjet e shkaktuara gjatë luftës. Në gjendjen e sotme politike në Serbi, një proces i tillë është shumë i vështirë të realizohet pa një angazhim serioz ndërkombëtar, sidomos nëse përballja me të kaluarën dhe përgjegjësia shtetërore nuk bëhen pjesë e procesit të integrimit evropian. Megjithatë, jam i bindur se në Beograd dhe në shoqërinë serbe ekzistojnë forca intelektuale dhe demokratike që e kuptojnë këtë domosdoshmëri dhe realitetin e ri politik të krijuar në Ballkan. A mund të ketë një pajtim të vërtetë Kosovë–Serbi? Po, por ai nuk mund të ndërtohet mbi mohimin ose relativizimin e së kaluarës. Vetëm një proces i mirëfilltë demokratizimi dhe evropianizimi i Serbisë, i shoqëruar me pranimin e përgjegjësive historike dhe respektimin e realitetit të ri shtetëror të Kosovës, mund ta bëjë të mundur një pajtim të tillë. Historia vazhdon të ndikojë fuqishëm në perceptimin reciprok. Problemi është se në Serbi një pjesë e rëndësishme e kësaj trashëgimie strategjike nuk është kapërcyer plotësisht. Pa një shkëputje të qartë nga konceptet territoriale dhe hegjemoniste të së kaluarës dhe pa pranimin e realitetit të ri të shtetit të Kosovës, është e vështirë të ndërtohet një marrëdhënie e vërtetë evropiane mes këtyre dy vendeve.

Radio Kosova: A duhet Shqipëria të luajë një rol më aktiv në mbështetje të Kosovës?

Romeo Gurakuqi: Shqipëria duhet të ketë një rol shumë më aktiv në mbështetje të Kosovës, por kjo kërkon, para së gjithash, një shtet shqiptar demokratik, të fortë, gjithëpërfshirës dhe të aftë të mendojë në mënyrë strategjike. Unë kam frikë se Shqipëria sot nuk është një shtet mjaftueshëm racional dhe strategjik në këtë kuptim. Duhet menduar në terma evropianë për shqiptarët dhe për raportet e shqiptarëve me fqinjët në Ballkan. Një shtet që ka shumë probleme të brendshme e ka më të vështirë të mendojë strategjikisht edhe për Kosovën dhe interesat shqiptare në rajon. Pikërisht këtu qëndron problemi.

Radio Kosova: Dhe krejt në fund, a e shihni mundësinë e një konflikti të ri në Ballkan?

Romeo Gurakuqi: Nuk duhet nënvlerësuar asgjë, por prania e NATO-s në Kosovë dhe angazhimi amerikan e bëjnë shumë më të vështirë shndërrimin e një krize në konflikt të hapur. Problemi është se kërcënimi me destabilizim përdoret edhe si instrument politik. Perëndimi sot i njeh më mirë mekanizmat e krizave ballkanike, por duhet të veprojë në mënyrë parandaluese, të vendosur dhe të unifikuar, jo vetëm pasi kriza të ketë shpërthyer. Në gjithë këtë bisedë kam këmbëngulur në një pikë: ruajtja, forcimi dhe vendosja në qendër të interesit strategjik të Kosovës të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me presidentin Donald Trump është jetike për Kosovën. Po aq jetik është edhe stabiliteti afatgjatë politiko-institucional, mbi parimet themelore mbi të cilat është formuar shteti i Kosovës. Këto parime duhet të forcohen dhe nuk mund të shkelen për interesa partiake apo individuale. Nuk ka interes partiak apo individual që mund të vendoset mbi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbi stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e institucioneve të Kosovës. Kosova ka forca të mjaftueshme intelektuale, profesorë dhe njerëz të dijshëm që mund ta drejtojnë vendin shumë mirë në rrugën evropiane. Shkolla dhe dija janë themelore për të kuptuar realitetin dhe për të zgjidhur situatat./rtk

Po ndodh...

ide