Mbi 500 telefonata e mesazhe mes Hysenit dhe Agasit/ Si ranë në duart e hetuesve përgjimet e forta

23 September 2026, 14:20 / AKTUALITET ALFA PRESS

Mbi 500 komunikime mes kreut të SHISH, Vlora Hyseni, dhe personit nën hetim Ergys Agasi kanë përfunduar në duart e hetuesve të SPAK, duke nxjerrë në pah një komunikim të shpeshtë dhe të vazhdueshëm mes tyre.

Bëhet fjalë për telefonata, videotelefonata, mesazhe dhe forma të tjera komunikimi të evidentuara në telefonin e Agasit gjatë periudhës 28 qershor–26 gusht 2026, dita kur Agasi u arrestua.

Në dosjen hetimore, SPAK evidenton se në funksionin “BIOME” të telefonit të Agasit janë gjetur gjithsej 508 komunikime me Vlorën Hyseni.

Në lidhje me komunikimet ndërmjet Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, të ruajtura në funksionin BIOME të aparatit telefonik të shtetasit Ergys Agasi janë të ruajtura gjithsej 508 forma komunikimi (calls, voice, video calls, messages, chat messages) ndërmjet këtyre dy shtetasve për periudhën e sipër-cituar.”

Por si përfunduan këto të dhëna në duart e hetuesve?

Sipas dosjes hetimore, gjurmët e komunikimeve u administruan gjatë hetimit që pasoi sekuestrimin e automjetit të Agasit. Më 20 korrik 2026, në ambientet e “Equos Resort” në Tiranë, u sekuestrua automjeti me targë GG444AA, në pronësi të tij.

Gjatë veprimeve hetimore, në automjet u gjetën dhe u sekuestruan, ndër të tjera, nëntë printime në letër të formatit të madh, në të cilat paraqiteshin diagrama me të dhëna që, sipas SPAK, kishin ngjashmëri me materiale të prodhuara nga Shërbimi Informativ i Shtetit.

Më 22 korrik, sendet u formalizuan përmes procesverbalit të sekuestrimit. Ndërkohë, hetimi vijoi edhe mbi pajisjet dhe komunikimet e Agasit, duke nxjerrë në pah numrin e lartë të kontakteve me kreun e SHISH.

Vetë Agasi, gjatë seancës gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit, ka pranuar se automjeti ishte i tij dhe se sendet e gjetura në të i kishte lënë me qëllim që të gjendeshin nga organet e Prokurorisë së Posaçme.

Përveç 508 formave të komunikimit të ruajtura në telefon, hetuesit kanë analizuar edhe komunikimet përmes aplikacionit “Signal”.

Sipas të dhënave të administruara në dosje, vetëm në këtë aplikacion rezultojnë 70 telefonata hyrëse nga Vlora Hyseni drejt Ergys Agasit, 28 telefonata të humbura, 25 telefonata pa përgjigje dhe telefonata të tjera të refuzuara.

Pra, bëhet fjalë jo vetëm për komunikime të shkëmbyera në mënyrë sporadike, por për një kontakt të përsëritur dhe të zgjatur në kohë, i cili, sipas hetuesve, ka vijuar edhe gjatë periudhës kur Agasi ishte në kërkim nga drejtësia.

Nga përmbajtja e komunikimeve mes tyre rezulton ekzistenca e një lidhjeje personale dhe e vazhdueshme, e cila ka vijuar edhe gjatë kohës kur shtetasi Ergys Agasi ka qenë i shpallur në kërkim nga drejtësia.”

Në dosje theksohet se komunikimet nuk kanë qenë vetëm telefonata të zakonshme. Hetuesit kanë evidentuar edhe video-call, shkëmbim fotosh dhe videosh, si dhe komunikime të tjera.

Komunikimi i Kreut të SHISH, shtetases Vlora Hyseni, me person nën hetim Ergys Agasi, deri në atë kohë dhe në kërkim nga drejtësia, është periodik (1 përditshëm) dhe i tejzgjatur në kohë bisede duke përfshirë jo vetëm telefonata të tjeshta (voice call) por dhe telefonata me video (video call) dhe dërgim e marrje fotosh e videosh.”

Pikërisht përmbajtja e këtyre komunikimeve është një prej elementeve që SPAK e ka vendosur në fokus të hetimit. Sipas materialit hetimor, në disa prej bisedave Hyseni shfaqet e lidhur drejtpërdrejt me interesat e Agasit përballë organeve të drejtësisë.

Në disa prej komunikimeve, shtetasja Vlora Hyseni identifikohet drejtpërdrejt me interesat e Ergys Agasit kundrejt organeve të drejtësisë që po e ndiqnin penalisht.”

Ky konstatim i hetuesve vihet përballë edhe deklarimeve të dhëna nga Vlora Hyseni më 18 shtator 2026, kur ajo u pyet në cilësinë e personit me dijeni për veprën penale.

Hyseni ka pranuar komunikimin e vazhdueshëm me Agasin deri në ditën e arrestimit të tij dhe ka deklaruar se ai i kishte ofruar “bashkëpunim”. Ajo ka mohuar takime fizike me të dhe ka mohuar që Agasi të kishte siguruar informacione nga SHISH.

Por, sipas SPAK, përmbajtja e komunikimeve të administruara gjatë hetimit paraqet një dinamikë tjetër.

Ashtu sikurse rezulton nga bisedat e mësipërme, shtetasi Ergys Agasi jo vetëm që nuk është në rolin e ‘bashkëpunëtorit’ por në të kundërt është ai që merr dhe dikton informacionin e marrë.”

Në dosje ngrihet gjithashtu një tjetër pikëpyetje mbi mënyrën se si është trajtuar brenda SHISH marrëdhënia me Agasin. Sipas hetuesve, për personin që pretendohej si “bashkëpunëtor” nuk ishte vënë në dijeni asnjë prej instancave të tjera të institucionit.

“Për më tepër, për të ashtuquajturin bashkëpunëtor, Kreu i SHISH nuk ka vënë në dijeni asnjë nga instancat qoftë dhe paralele apo brenda institucionit.”

Të dhënat e telefonit dhe komunikimet përmes “Signal” tashmë janë pjesë e materialit që SPAK po analizon për të përcaktuar natyrën e marrëdhënies mes Hysenit dhe Agasit dhe rolin e secilit në ngjarjet nën hetim.

Po ndodh...

ide