Ndahet nga jeta Dine Abazi, ish-presidenti i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë

15 September 2026, 15:11 / AKTUALITET ALFA PRESS

Një humbje e madhe ka ardhur për bluzat e bardha dhe mjekësinë shqiptare. Profesori dhe doktori Dine Abazi është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare, duke lënë pas një jetë të gjatë kushtuar mjekësisë, shëndetësisë dhe njerëzve.

Humbja e tij shënon dhe fundin e një rrugëtimi të gjatë në sistemin shëndetësor, ku për vite me radhë ai u bë një prej figurave më të njohura të komunitetit mjekësor shqiptar. Për dekada me radhë, Avazi ishte pjesë e sistemit shëndetësor duke mbajtur edhe role drejtuese e përfaqësuese në institucionet e mjekësisë.

Ai shërbeu për dy mandate në krye të Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, detyrë të cilën e përfundoi në vitin 2015. Gjatë drejtimit të tij, Abazi u përfshi në një sërë debatesh dhe çështjesh të cilat e lidhnin profesionin e mjekut me funksionimin e sistemit shëndetësor, duke mbajtur qëndrime publike edhe për tema si testimi dhe vlerësimi i bluzave të bardha.

Po ashtu, përgjatë viteve '70 dhe ’80, ai ka qenë pjesë e stafit mjekësor që shërbente për udhëheqjen komuniste shqiptare. Në atë periudhë ai punoi edhe me ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili asokohe ishte mjek dhe pjesë e ekipit mjekësor.

Përveç angazhimit në shëndetësi, Abazi pati edhe përvojë në përfaqësimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Dokumente të Organizatës së Kombeve të Bashkuara e evidentojnë atë në rolin e këshilltarit në delegacionin shqiptar në një konferencë ndërkombëtare.

Lajmi i kësaj të marte për këtë humbje ka lënë në dhimbje komunitetit mjekësor shqiptar të cilët humbën një prej profesionistëve që i kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës së tij shërbimit në fushën e mjekësisë.

Po ndodh...

ide