OSBE dënon ashpër dhunën ndaj gazetarëve në protestat antiqeveritare: Liria e medias, themelore për një demokraci funksionale

21 October 2026, 19:45 / POLITIKË ALFA PRESS

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias ka shprehur shqetësim për raportimet e vazhdueshme për dhunë ndaj gazetarëve dhe pengimin e tyre gjatë mbulimit të protestave antiqeveritare në Shqipëri.

Në reagim theksohet se liria e medias dhe e drejta e publikut për informim janë thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike. OSBE u bën thirrje autoriteteve shqiptare të hetojnë me shpejtësi dhe efektivitet të gjitha incidentet e raportuara, përfshirë raportimet për përdorim të tepruar ose joproporcional të forcës nga policia.

Gjithashtu, kërkohet garantimi i sigurisë së gazetarëve, në mënyrë që ata të raportojnë lirisht dhe pa ndërhyrje të pajustifikuara gjatë tubimeve publike.

Për të parandaluar incidente të tjera, OSBE inkurajon zbatimin e plotë të udhëzimeve ekzistuese të Policisë së Shtetit për sigurinë e gazetarëve.

 

Gazetarët kanë raportuar dhe vazhdojnë të raportojnë në kohë reale protestat për largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Disa incidente serioze janë shënuar në këto protesta, ku ka pasur edhe raportime për dhunë ndaj reporterëve.

OSBE dënon ashpër dhunën ndaj gazetarëve në protestat

OSBE – Përfaqësuesi për Lirinë e Medias

Raportimet e vazhdueshme për dhunë ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, si dhe për pengimin e tyre gjatë raportimit të protestave që po zhvillohen në Shqipëri, janë shqetësuese.

Liria e medias dhe e drejta e publikut për informim janë thelbësore për funksionimin e një shoqërie demokratike. Garantimi i sigurisë së gazetarëve është i domosdoshëm për mbrojtjen e këtyre parimeve, edhe gjatë demonstratave publike, ku gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirisht, në mënyrë të sigurt dhe pa ndërhyrje të pajustifikuara.

Këto parime pasqyrohen në Vendimin nr. 3/18 të Këshillit të Ministrave të OSBE-së për Sigurinë e Gazetarëve, i cili riafirmon angazhimet e shteteve pjesëmarrëse për mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e llogaridhënies për sulmet ndaj tyre.

U bëj thirrje autoriteteve shqiptare që të hetojnë me shpejtësi dhe efektivitet të gjitha incidentet e raportuara, përfshirë pretendimet për përdorim të tepruar ose joproporcional të forcës nga policia.

Po aq e rëndësishme është parandalimi i incidenteve të tjera. Për këtë qëllim, inkurajoj autoritetet ligjzbatuese që të zbatojnë plotësisht udhëzimet ekzistuese të Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve, duke garantuar që punonjësit e policisë të lehtësojnë raportimin e sigurt dhe pa pengesa gjatë tubimeve publike.

 

Po ndodh...